Sahihu i Buhariut — Hadithi 3421

39. Nënkapitulli: Ajetet: “Ti duroje atë që thonë ata dhe kujtoje robin Tonë të fuqishëm, Davudin, që përherë i drejtohej Zotit. Ne ia nënshtruam malet që, bashkë me të, t’i luteshin Allahut, në mbrëmje dhe në mëngjes, edhe shpendët e tubuar. Të gjithë i drejtoheshin Atij. Ne ia forcuam mbretërinë dhe i dhamë mençuri e dijeni për të gjykuar.”

Allahu Fuqiplotë ka thënë: “A e ke dëgjuar historinë e dy kundërshtarëve, që hipën mbi murin e faltores së tij? Kur hynë te Davudi, ai u frikësua prej tyre." Ata thanë: "Mos u frikëso! Ne jemi dy kundërshtarë, një nga të cilët i ka bërë padrejtësi tjetrit, prandaj gjyko me drejtësi dhe mos u shmang (prej së vërtetës), por na udhëzo në rrugë të drejtë. (Njëri prej tyre tha:) "Ky është vëllai im. Ai ka nëntëdhjetë e nëntë dele, kurse unë kam vetëm një dele, andaj më tha: "Ma jep mua atë! - dhe më mundi me fjalë." Davudi tha: "Vërtet, ai të ka bërë padrejtësi që të ka kërkuar delen tënde të vetme, për ta bashkuar me delet e veta. Shumë bashkëpronarë i bëjnë padrejtësi njëri-tjetrit, përveç atyre që besojnë dhe bëjnë punë të mira, por ata janë pak. Davudi e kuptoi, se në të vërtetë Ne e kishim vënë në provë atë, prandaj kërkoi falje nga Zoti i vet, ra në gjunjë dhe u përul, duke u penduar.” (Sad, 21-24)

3421. Nga: Abdullah ibn Abasi

Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Sehël ibn Jusufi, e ky e ka dëgjuar Avamin se Muxhahidi tregon: “Ibn Abasit (Allahu qoftë i kënaqur me të!) i thashë: “A ka sexhde leximi në suren Sad?” Ai i lexoi ajetet: “Ne i dhuruam atij Is'hakun dhe Jakubin. Që të dy këta i udhëzuam në rrugën e drejtë, ashtu siç patëm udhëzuar më parë Nuhun. Ndër pasardhësit e tij Ne udhëzuam Davudin, Sulejmanin, Ejubin, Jusufin, Musain dhe Harunin. Kështu i shpërblejmë punëmirët. Ne udhëzuam edhe Zekerijain, Jahjain, Isain, Iljasin - të gjithë këta kanë qenë nga njerëzit e mirë. Po ashtu, udhëzuam edhe Ismailin, Eljesain, Junusin dhe Lutin - secilin prej tyre e ngritëm mbi të gjithë njerëzit. Ne zgjodhëm dhe udhëzuam në rrugë të drejtë edhe disa nga paraardhësit, pasardhësit dhe vëllezërit e tyre. Ky është udhëzimi i Allahut, të cilin Ai ia jep kujt të dojë nga robërit e Vet. Por, nëse ata adhurojnë zota të tjerë, do t'u humbë çdo gjë nga ajo që kanë bërë. Këta janë ata që u kemi dhënë Librin, Urtësinë dhe pejgamberinë. E, nëse ata (banorët e Mekës) i mohojnë këto, Ne do t'ia besojmë një populli tjetër që nuk do t'i mohojë. Këta janë ata, të cilët Allahu i ka udhëzuar në rrugën e drejtë, andaj edhe ti (o Muhamed) ndiq rrugën e tyre...” (Enam, 84-90) dhe tha: “Edhe Pejgamberi juaj ﷺ ishte urdhëruar t'i pasonte ata.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 3421

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?