Sahihu i Buhariut — Hadithi 3427
40. Nënkapitulli: Ajeti: “Ne i falëm Davudit Sulejmanin, një rob të mrekullueshëm. Ai i drejtohej gjithnjë me pendesë Zotit!”
Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Dhe tha: "O Zoti im, më fal dhe më dhuro një pushtet që të mos e ketë askush pas meje! Me të vërtetë, Ti je Dhurues i madh!” (Sad, 35) Dhe shkuan pas shpifjeve që bënin djajtë kundër mbretërisë së Sulejmanit. E Sulejmani nuk ishte mohues, por djajtë ishin mohues. Ata u mësonin njerëzve magjinë dhe dijeninë që u ishte dërguar dy melekëve në Babiloni - Harutit e Marutit. Këta melekë nuk i mësonin ndokujt magji, pa i thënë: "Ne jemi dërguar për t’ju vënë në provë, andaj ti mos u bëj mohues (duke mësuar apo ushtruar magjinë)! Dhe njerëzit mësuan nga këta të dy se si t’i ndajnë bashkëshortët. Por magjistarët nuk mund t’i bëjnë dëm askujt pa lejen e Allahut. E megjithatë, njerëzit mësojnë ato gjëra që i dëmtojnë e nuk u bëjnë dobi. Në të vërtetë, ata e dinin se ai që e përvetësonte këtë mjeshtëri, nuk do të kishte kurrfarë të mire në jetën tjetër. Eh, sa e keqe është ajo për të cilën shitën shpirtrat e vet! Ah, sikur ta dinin!” (Bekare, 102) “Sulejmanit Ne ia nënshtruam erën, me të cilën udhëtimin e një muaji ai e bënte brenda një paraditeje ose një pasditeje. Ne i dhamë atij një burim të rrjedhshëm bakri të shkrirë dhe xhinë që i bëmë të punonin para syve të tij, me urdhrin e Zotit të tij. Këdo prej tyre që largohet nga urdhri ynë, do ta bëjmë që të shijojë dënimin e Zjarrit. Ata punonin për atë çfarë të dëshironte: faltore dhe statuja, enë të gjera si puse dhe kazanë të mëdhenj të palëvizshëm. Oj familje e Davudit! Bëni falënderim (për Allahun)! Megjithatë, pak nga robërit e Mi janë falënderues. Kur Ne ia caktuam atij vdekjen, atyre nuk u dha shenjë askush për vdekjen e tij, pos krimbit të drurit. Dhe, kur u rrëzua (Sulejmani), u bë e qartë se, sikur ta dinin xhinët të padukshmen, nuk do të vijonin në dënimin e poshtëruar.” (Sebe, 12-14) “Kur një pasdite iu paraqitën kuajt këmbëshpejtë, ai tha: "Unë shfaqa dashuri më të madhe për pasurinë (kuajt), sesa për lutjen ndaj Zotit tim, derisa dielli humbi mbas malit. M’i ktheni ata (kuajt) - e pastaj nisi t’i presë me shpatë këmbët dhe qafat e tyre. Ne e vumë në provë Sulejmanin dhe vendosëm në fronin e tij një trup, por ai iu drejtua Zotit.” (Sad, 31-34) Pastaj, Ne ia nënshtruam atij erën që të frynte me urdhrin e tij, andej nga të donte ai.” (Sad, 36) Si dhe të tjerë të lidhur në pranga." (Ne i thamë): "Kjo është dhurata Jonë për ty, prandaj jep lirisht ose mos jep gjë prej saj, sepse nuk do të kesh kurrfarë llogarie për këtë!” (Sad, 38-39)
3427. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Dy gra kishin nga një djalë. Papritmas, një ujk erdhi dhe e rrëmbeu fëmijën e njërës. Tjetra i tha: “E rrëmbeu birin tënd.” E para ia ktheu: “Jo, e rrëmbeu tëndin.” Kështu, vendosën të shkojnë të gjykohen te Davudi, i cili gjykoi në favor të së madhes. Pastaj shkuan edhe te Sulejmani, i biri i Davudit ﷺ, dhe ia treguan ngjarjen.” Ai tha: “Më sillni një thikë, që t'jua ndaj përgjysmë (djalin).” E vogla reagoi me të shpejtë dhe tha: “Mos e bëj, Allahu të mëshiroftë!” Atëherë, Sulejmani gjykoi se i biri ishte i së voglës.”
Ebu Hurejra ka thënë: “Për Allahun, kurrë më herët nuk e kam dëgjuar fjalën “sikin” (thikë), sepse thikës ne i thoshim vetëm mudje.”