Sahihu i Buhariut — Hadithi 3430

43. Nënkapitulli: Ajetet: “Ky është rrëfim për mëshirën e Zotit tënd ndaj robit të Tij - Zekerijas. Kur ai e thirri Zotin e vet me lutje të fshehtë (duke thënë): "O Zoti im! Eshtrat tashmë më janë dobësuar, koka më ndriçon nga thinjat dhe asnjëherë nuk kam mbetur i zhgënjyer nga lutja ime për Ty, o Zoti im! Unë u frikësohem (sjelljeve të) të afërmve të mi pas meje, ndërsa bashkëshortja ime është beronjë; andaj, më dhuro nga ana Jote një pasardhës, që të më trashëgojë mua dhe familjen e Jakubit. O Zoti im, bëje atë të pëlqyeshëm (për Ty)! O Zekerija, Ne po të japim lajmin e mirë për një djalë që do të quhet Jahja. Askujt nuk ia kemi dhënë këtë emër më parë.”

Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Ai tha: "O Zoti im, si mund të kem unë djalë, kur bashkëshortja ime është beronjë dhe unë kam arritur pleqërinë e thellë?!” (Merjem, 8) “(Zekerija) tha: "O Zoti im, më jep ndonjë shenjë! Ai tha: Shenja jote do të jetë se nuk do të mund të flasësh me njerëzit për tri net, ndonëse do të jesh i shëndoshë. Ai doli nga faltorja para popullit të vet dhe u bëri me shenjë atyre të lavdëronin Allahun në mëngjes dhe në mbrëmje! (Pasi lindi djali, iu tha): "O Jahja, rroke fort Librin (Teuratin). Dhe Ne, kur ende ishte fëmijë, i dhamë mençuri, butësi prej Nesh dhe dëlirësi. Ai ishte besimtar i përkushtuar dhe i sjellshëm ndaj prindërve të vet, nuk ishte i ashpër dhe i padëgjueshëm. Paqja qoftë mbi të, ditën kur ka lindur, ditën kur të vdesë dhe në ditën kur do të ringjallet.” (Merjem, 10-15)

3430. Nga: Malik ibn Saësai

Hudbe ibn Halidi na ka thënë: Na ka treguar Hemam ibn Jahjai, e këtij i ka treguar Katadja, e ky nga Enes ibn Maliku se Malik ibn Saësai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ u rrëfeu atyre për natën e Israsë dhe tha: “Pastaj shkuam në qiellin e dytë dhe Xhibrili kërkoi leje për të hyrë. Aty na thanë: “Kush është?”

- Xhibrili, - iu përgjigj Xhibrili ﷺ.

- E kush është me ty? - pyeti roja.

- Muhamedi.

- I është dërguar shpallja? - tha roja.

- Po, - iu përgjigj Xhibrili.

Pasi na lanë të hyjmë, e takova Jahjain dhe Isain ﷺ, të cilët ishin djem tezesh. Xhibrili më tha: “Ky është Jahjai dhe Isai, përshëndeti me selam!” Ata ma kthyen selamin dhe më thanë: “Mirë se ke ardhur, o vëlla e pejgamber i mirë!”

Referenca: Sahihu i Buhariut 3430

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?