Sahihu i Buhariut — Hadithi 3431

44. Nënkapitulli: Ajeti: “Dhe trego (o Muhamed) në Libër për Merjemen, kur u tërhoq nga familja e saj në një vend në lindje.”

Allahu i Madhërishëm ka thënë: “(Kujto) kur melekët thanë: “Oj Merjeme! Allahu të jep lajmin e mirë për një (djalë që do të lindë me një) Fjalë prej Tij: emrin do ta ketë Mesih - Isa i biri i Merjemes, do të jetë i nderuar në këtë botë dhe në tjetrën dhe një nga të afërmit e Allahut.” (Ali Imran, 45) “Allahu i zgjodhi Ademin, Nuhun, familjen e Ibrahimit dhe familjen e Imranit mbi të gjithë njerëzit. (Ata ishin) pasardhës të njëri-tjetrit. Allahu dëgjon dhe di çdo gjë. Kujto kur gruaja e Imranit tha: "Zoti im, unë Ty ta kam kushtuar atë që është në barkun tim, që të të shërbejë vetëm Ty; andaj, pranoje prej meje! Se Ti, me të vërtetë, dëgjon dhe di çdo gjë. E, kur ajo lindi, tha: "Zoti im! Unë linda femër, - Allahu e di më mirë se çfarë lindi ajo, - e mashkulli nuk është si femra. Unë ia vura emrin Merjeme dhe kërkoj mbrojtjen Tënde për të dhe pasardhësit e saj nga shejtani i mallkuar. Zoti e pranoi atë (Merjemen) me ëndje, e bëri që të rritet mirë dhe e la nën kujdestarinë e Zekerijait. Sa herë që hynte Zekerija në dhomën e saj, gjente pranë saj ushqim dhe e pyeste: "Oj Merjeme! Nga të vjen ky ushqim?" Ajo përgjigjej: "Ky është nga Allahu, se Allahu furnizon kë të dojë, pa kufi.” (Ali Imran, 33-37) “Pa dyshim, njerëzit më të afërt me Ibrahimin janë ata që e pasuan atë dhe ky Profet me besimtarët (e tij). Allahu është mbrojtës i besimtarëve.” (Ali Imran, 68)

3431. Nga: Ebu Hurejra

Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka treguar Seid ibn Musejebi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ të ketë thënë: “Të gjithë bijtë e Ademit, kur lindin, shejtani i prek, gjë që i bën të qajnë, përveç Merjemes dhe birit të saj.” Pastaj Ebu Hurejra lexoi: “... dhe kërkoj mbrojtjen Tënde për të dhe pasardhësit e saj nga shejtani i mallkuar.” (Ali Imran, 36)

Referenca: Sahihu i Buhariut 3431

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?