Sahihu i Buhariut — Hadithi 3434
46. Nënkapitulli: Ajetet: “(Kujto) kur melekët thanë: "Oj Merjeme! Allahu të jep lajmin e mirë për një (djalë që do të lindë me një) Fjalë prej Tij: emrin do ta ketë Mesih - Isa, i biri i Merjemes, do të jetë i nderuar në këtë botë dhe në tjetrën dhe një nga të afërmit e Allahut. Ai do t’u flasë njerëzve qysh i vogël në djep edhe si njeri i rritur dhe do të jetë nga më të mirët." Ajo tha: "Zoti im! Qysh do të kem unë fëmijë, kur nuk më ka prekur askush?!" - Kështu - tha (meleku) - Allahu krijon ç’të dojë Vetë. Kur vendos diçka, Ai vetëm thotë për të: "Bëhu!" - dhe ajo bëhet.”
Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Dhe do ta caktojë atë të dërguar te bijtë e Izraelit (të cilëve do t’u thotë): "Ju kam sjellë prova nga Zoti juaj (që vërtetojnë pejgamberinë time): bëj për ju diçka prej balte në formë shpendi, fryj në të e me urdhrin e Allahut ajo bëhet shpend i gjallë; shëroj të verbrit e lindur dhe të lebrosurit dhe i ngjall të vdekurit me lejen e Allahut; ju tregoj çfarë hani dhe çfarë ruani në shtëpitë tuaja. Sigurisht që te të gjitha këto ka prova për ju, nëse jeni besimtarë të vërtetë.” (Ali Imran, 49)
3434. Nga: Ebu Hurejra
Ibn Vehbiu na ka thënë: Më ka rrëfyer Junusi, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka treguar Seid ibn Musejebi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ të ketë thënë: “Gratë më të mira ndër ato që mund t'i ngasin devetë janë gratë kurejshe, janë më të buta për fëmijët dhe më të kujdesshmet për pasurinë e burrit.”
Pas kësaj, Ebu Hurejra tha: “Merjemja, e bija e Imranit, asnjëherë nuk ka hipur në deve.”
(Transmetimin e) Junusit e fuqizon i biri i vëllait të Zuhriut dhe Is'hak Kelbiu nga Zuhriu.