Sahihu i Buhariut — Hadithi 3440
48. Nënkapitulli: Ajeti: “Dhe trego (o Muhamed) në Libër për Merjemen, kur u tërhoq nga familja e saj në një vend në lindje.”
Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Ajo mbeti me barrë e u tërhoq me të në një vend të largët. Dhembjet e lindjes e detyruan atë që të shkonte te trungu i një hurme." Ajo tha: "Ah, sikur të kisha vdekur para kësaj (ngjarjeje) dhe të isha harruar krejt! Një zë e thirri nga poshtë: Mos u pikëllo, se Zoti yt të ka bërë një burim uji poshtë teje! Shkunde trungun e palmës, që të bien mbi ty hurma të freskëta!” (Merjem, 22-25) “Ajo i tha: "Unë kërkoj që të më mbrojë i Gjithëmëshirshmi prej teje, nëse i frikësohesh Allahut.” (Merjem, 18)
3440. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Sonte, në gjumë, e pashë veten afër Qabesë. Aty pashë një burrë zeshkan, më të bukurin e zeshkanëve, me flokë të gjatë e të drejtë deri në supe, të cilët i pikonin ujë. I kishte vendosur duart në supet e dy burrave të tjerë teksa bënte tavaf rreth Qabesë. Pyeta: “Kush është ky?” Më thanë: “Ky është Mesihu, i biri i Merjemes.” Pastaj, pas tij, pashë një burrë tjetër: me kaçurrela të dendura, të verbër në syrin e djathtë, që më së shumti i ngjasonte Ibn Katanit. Duart i kishte vendosur në supet e një burri, teksa po bënte tavaf rreth Qabesë. Pyeta: “Kush është ky?” Më thanë: “Mesihu Dexhall.”
(Transmetimin e) Musait e fuqizon Ubejdullahu nga Nafiu.