Sahihu i Buhariut — Hadithi 3441
48. Nënkapitulli: Ajeti: “Dhe trego (o Muhamed) në Libër për Merjemen, kur u tërhoq nga familja e saj në një vend në lindje.”
Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Ajo mbeti me barrë e u tërhoq me të në një vend të largët. Dhembjet e lindjes e detyruan atë që të shkonte te trungu i një hurme." Ajo tha: "Ah, sikur të kisha vdekur para kësaj (ngjarjeje) dhe të isha harruar krejt! Një zë e thirri nga poshtë: Mos u pikëllo, se Zoti yt të ka bërë një burim uji poshtë teje! Shkunde trungun e palmës, që të bien mbi ty hurma të freskëta!” (Merjem, 22-25) “Ajo i tha: "Unë kërkoj që të më mbrojë i Gjithëmëshirshmi prej teje, nëse i frikësohesh Allahut.” (Merjem, 18)
3441. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ahmed ibn Muhamed Mekiu transmeton se e ka dëgjuar Ibrahim ibn Sadin, e këtij i ka treguar Zuhriu, e ky nga Salimi se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Jo, për Allahun.” Pejgamberi ﷺ nuk i ka thënë Isait: “I kuq”, - por ka thënë: “Në ëndërr, e pashë veten duke bërë tavaf rreth Qabesë. Aty pashë një burrë zeshkan, me flokë të gjatë e të drejtë, duke ecur mes dy burrave të tjerë, teksa koka i pikonte ujë. Pyeta: “Kush është ky?” Më thanë: “I biri i Merjemes.” Kur shkova të shikoj, pashë edhe një burrë tjetër: të kuq e trupmadh, me kaçurrela të dendura, të verbër në syrin e djathtë, që i dukej sikurse kokërr e dalë rrushi. Pyeta: “Kush është ky?” Më thanë: “Dexhalli.” Njeriu që më së shumti i ngjasonte ishte Ibn Katani.”
Zuhriu thotë: “Ibn Katani ishte një burrë nga fisi huzaë, që kishte vdekur në kohën e injorancës.”