Sahihu i Buhariut — Hadithi 3443

48. Nënkapitulli: Ajeti: “Dhe trego (o Muhamed) në Libër për Merjemen, kur u tërhoq nga familja e saj në një vend në lindje.”

Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Ajo mbeti me barrë e u tërhoq me të në një vend të largët. Dhembjet e lindjes e detyruan atë që të shkonte te trungu i një hurme." Ajo tha: "Ah, sikur të kisha vdekur para kësaj (ngjarjeje) dhe të isha harruar krejt! Një zë e thirri nga poshtë: Mos u pikëllo, se Zoti yt të ka bërë një burim uji poshtë teje! Shkunde trungun e palmës, që të bien mbi ty hurma të freskëta!” (Merjem, 22-25) “Ajo i tha: "Unë kërkoj që të më mbrojë i Gjithëmëshirshmi prej teje, nëse i frikësohesh Allahut.” (Merjem, 18)

3443. Nga: Ebu Hurejra

Muhamed ibn Sinani na ka thënë: Na ka treguar Fulejh ibn Sulejmani, e këtij i ka treguar Hilal ibn Aliu, e ky nga Abdurrahman ibn Ebu Amra se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Unë jam më parësori i njerëzve për Isain, të birin e Merjemes, në këtë botë dhe në tjetrën. Pejgamberët janë bij të një babai të përbashkët e të nënave të ndryshme (rregullat sheriatike i kanë të ndryshme), kurse fenë e kanë të përbashkët.”

Ibrahim ibn Tahmani transmeton nga Musa ibn Ukbe, e ky nga Safvan ibn Sulejmi, e ky nga Ata ibn Jesari, e ky nga Ebu Hurejra se ka thënë: “I Dërguari i Allahut ka thënë...”

Referenca: Sahihu i Buhariut 3443

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?