Sahihu i Buhariut — Hadithi 3446
48. Nënkapitulli: Ajeti: “Dhe trego (o Muhamed) në Libër për Merjemen, kur u tërhoq nga familja e saj në një vend në lindje.”
Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Ajo mbeti me barrë e u tërhoq me të në një vend të largët. Dhembjet e lindjes e detyruan atë që të shkonte te trungu i një hurme." Ajo tha: "Ah, sikur të kisha vdekur para kësaj (ngjarjeje) dhe të isha harruar krejt! Një zë e thirri nga poshtë: Mos u pikëllo, se Zoti yt të ka bërë një burim uji poshtë teje! Shkunde trungun e palmës, që të bien mbi ty hurma të freskëta!” (Merjem, 22-25) “Ajo i tha: "Unë kërkoj që të më mbrojë i Gjithëmëshirshmi prej teje, nëse i frikësohesh Allahut.” (Merjem, 18)
3446. Nga: Ebu Musa Eshariu
Muhamed ibn Mukatili na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Salih ibn Haji se: një burrë nga banorët e Horasanit e ka pyetur Shabiun, e këtij i ka rrëfyer Ebu Burde se Ebu Musa Eshariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Personi që e edukon dhe e mëson robëreshën në formën më të mirë e pastaj e liron dhe martohet me të, shpërblehet dy herë; personi që ka besuar Isain ﷺ, pastaj më ka besuar mua, shpërblehet dy herë; si dhe robi që i druhet Zotit të vet dhe i bindet pronarit të vet, shpërblehet dy herë.”