Sahihu i Buhariut — Hadithi 351

2. Nënkapitulli: Është obligim që namazi të falet duke qenë i veshur me rroba

Allahu ﷻ thotë: “... vishuni bukur për çdo namaz...” (Araf, 31) Dispozita e faljes së namazit, duke qenë i mbështjellë vetëm me një rrobë; Përmendet nga Seleme ibn Ekvai se Pejgamberi ﷺ‎‎ ka thënë: “Le ta përthekojë (rrobën), qoftë dhe me një gjemb (nëse nuk posedon kopsë).” Ky hadith nuk është autentik. Dispozita e faljes së namazit me rroba që janë përdorur gjatë marrëdhënieve intime, por nuk vërehet ndyrësirë në to; Pejgamberi ﷺ‎‎ ka ndaluar të kryhet tavafi reth Qabesë duke qenë zhveshur.

351. Nga: Umu Atija Ensarja

Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Jezid ibn Ibrahimi, e ky nga Muhamedi se Umu Atija (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Jemi urdhëruar që në ditë Bajrami t'i nxjerrim jashtë edhe femrat me menstruacione dhe vashat e reja (që veçoheshin në dhomat e tyre), që ta përjetojnë tubimin dhe lutjet e muslimanëve, me përjashtim që ato me menstruacione të largohen nga namazgjahu. Një grua pyeti: “O i Dërguari i Allahut, ndodh që ndonjëra prej nesh të mos ketë mantel. Pejgamberi ﷺ tha: “Le t'i huazojë shoqja shoqes një mantel.”

Abdullah ibn Rexhai ka thënë: “Na ka treguar Imrani, e këtij i ka treguar Muhamed ibn Sirini, e këtij i ka treguar Umu Atija: “E kam dëgjuar Pejgamberin ﷺ...”, me tekst të njëjtë.

Referenca: Sahihu i Buhariut 351

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?