Sahihu i Buhariut — Hadithi 3674

Nënkapitull

3674. Nga: Ebu Musa Eshariu

Muhamed ibn Miskin Ebu Haseni na ka thënë: Na ka treguar Jahja ibn Hasani, e këtij i ka treguar Sulejmani, e ky nga Sherik ibn Ebu Nemri, e ky nga Seid ibn Musejebi se Ebu Musa Eshariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “(Një ditë) mora abdes në shtëpinë time dhe dola, ndërkohë thashë me vete: “Sot do ta shoqëroj të Dërguarin e Allahut ﷺ dhe do të jem tërë ditën me të.” Kështu, shkova në xhami dhe pyeta për Pejgamberin ﷺ, por më thanë: “Ka dalë dhe ka shkuar andej.” Ndoqa gjurmët e tij duke pyetur për të, derisa e gjeta se kishte shkuar te pusi Eris. U ula te dera, e cila ishte prej degëve të palmës, derisa i Dërguari i Allahut ﷺ e kreu nevojën e tij dhe mori abdes. Kur vajta tek ai, e gjeta të ulur buzë pusit Eris. Ai i zbuloi kërcinjtë dhe i futi në ujë. Unë i dhashë selam, pastaj u largova dhe u ula te dera duke thënë me vete: “Sot do të jem roja e të Dërguarit të Allahut ﷺ.”

Pas pak, erdhi Ebu Bekri dhe e shtyu derën.

Unë pyeta: “Kush është?”

- Ebu Bekri, - u përgjigj ai.

- Prit, - ia ktheva.

Pastaj shkova te Pejgamberi ﷺ dhe i thashë: “O i Dërguari i Allahut, Ebu Bekri po kërkon leje.”

- “Jepi leje dhe përgëzoje me Xhenet”, - tha ai.

U ktheva dhe i thashë Ebu Bekrit: “Hyr! I Dërguari i Allahut ﷺ po të përgëzon me Xhenet.” Ebu Bekri hyri dhe u ul në anën e djathtë të Pejgamberit ﷺ, buzë pusit. Edhe ky, sikur Pejgamberi ﷺ, i zbuloi kërcinjtë dhe i futi në ujë. Unë u ktheva dhe u ula (ku isha më parë), ndërsa kisha lënë vëllanë tim duke marrë abdes, që më pas të më bashkëngjitej. Thosha me vete: “Nëse Allahu ia do të mirën filanit, - duke aluduar në vëllanë e vet, - do t'ia mundësojë të vijë tani.” Papritmas një njeri lëvizi derën.

- Kush është? - pyeta.

- Omer ibn Hatabi, - u përgjigj ai.

- Prit pak, - ia ktheva dhe shkova te Pejgamberi ﷺ, i dhashë selam dhe i thashë: “O i Dërguari i Allahut, Omer ibn Hatabi po kërkon leje të hyjë?”

- “Jepi leje dhe përgëzoje me Xhenet”, - tha ai.

Kështu, u ktheva dhe i thashë: “Hyr! I Dërguari i Allahut ﷺ po të përgëzon me Xhenet.” Ai hyri dhe u ul në anën e majtë të Pejgamberit ﷺ, buzë pusit, dhe i futi këmbët në ujë. Pastaj u ktheva dhe u ula duke thënë me vete: “Nëse Allahu ia do të mirën filanit, do t'ia mundësojë të vijë tani.” Papritmas dikush e lëvizi derën.

- Kush është? - pyeta.

- Othman ibn Afani, - u përgjigj ai.

- Prit, - i thashë dhe shkova te Pejgamberi ﷺ e i tregova.

- “Jepi leje dhe përgëzoje me Xhenet, pas një sprove që do ta godasë”, - tha ai.

Shkova dhe i thashë: “Hyr! I Dërguari i Allahut ﷺ po të përgëzon me Xhenet, pas një sprove që do të të godasë.” Ai hyri dhe, meqenëse hapësira buzë pusit ishte mbushur, u ul përballë, në anën tjetër.

Sheriku ka thënë: “Seid ibn Musejebi thotë: “Këtë renditje të tyre në të ulur e komentova me pozitën e varreve të tyre.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 3674

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?