62. Vlerat e sahabëve
1. Nënkapitulli: Vlera e shokëve të Pejgamberit ﷺ
Çdo musliman që e ka shoqëruar ose e ka parë Pejgamberin ﷺ, konsiderohet sahab.
3649. Nga: Ebu Seid Hudriu
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Amri, e ky e ka dëgjuar Xhabir ibn Abdullahun se Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Do të vijë një kohë kur një grup njerëzish do të luftojnë dhe do të thonë: “A ndodhet mes jush ndokush që e ka shoqëruar të Dërguarin e Allahut ﷺ?” Ata thonë: “Po”, - dhe u mundësohet fitorja. Pastaj njerëzve do t'u vijë një kohë kur një grup prej tyre do të luftojnë dhe u thuhet: “A ndodhet mes jush ndokush që i ka shoqëruar shokët e Pejgamberit ﷺ?” Ata thonë: “Po”, - dhe u mundësohet fitorja. Pastaj do të vijë një kohë kur një grup njerëzish do të luftojnë dhe do të thuhet: “A ndodhet mes jush ndokush që i ka shoqëruar shokët e sahabëve të Pejgamberit ﷺ?” Ata thonë: “Po”, - dhe u mundësohet fitorja.”
3650. Nga: Imran ibn Husajni
Is'haku më ka thënë: Na ka treguar Nadri, e këtij i ka rrëfyer Shuëbe, e ky nga Ebu Xhemra, e ky e ka dëgjuar Zehdem ibn Mudarribin se Imran ibn Husajni (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Më të mirët e umetit tim janë gjenerata ime, pastaj pasardhësit e tyre, pastaj pasardhësit e këtyre.” - Imrani thotë: “Nuk di nëse ka përmendur dy apo tri gjenerata pas tij.” - Po ashtu ka thënë: “Pas jush do të vijnë njerëz që dëshmojnë, edhe pse nuk u kërkohet; që tradhtojnë dhe nuk u zihet besë; që zotohen, por nuk e përmbushin atë dhe mbipesha do të jetë e përhapur mes tyre.”
3651. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Muhamed ibn Kethiri na ka thënë: Na ka rrëfyer Sufjani, e ky nga Mensuri, e ky nga Ibrahimi, e ky nga Abide se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Gjenerata ime janë njerëzit më të mirë, pastaj pasardhësit e tyre, pastaj pasardhësit e këtyre. Më pas do të vijnë gjenerata që nxitojnë në dëshmi dhe betime.”
Mensuri tregon se Ibrahim Nehaiu ka thënë: “Kur ishim të vegjël, paraardhësit tanë na rrihnin për dëshmi dhe premtime.”
2. Nënkapitulli: Virtytet dhe vlera e muhaxhirëve
Një prej tyre është Ebu Bekër Abdullah ibn Ebu Kuhafe Tejmiu, Allahu qoftë i kënaqur me të. Allahu i Madhëruar ka thënë: “Një pjesë e plaçkës u takon edhe muhaxhirëve të varfër, të cilët u përzunë nga vendlindja dhe pasuritë e tyre, duke kërkuar mirësinë dhe kënaqësinë e Allahut dhe duke ndihmuar Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Pikërisht ata janë besimtarët e sinqertë.” (Hashr, 8) Ai, po ashtu, ka thënë: “Nëse ju nuk e ndihmoni atë (Muhamedin), Allahu tashmë e ka ndihmuar ditën kur atë e dëbuan mohuesit vetë të dytin, kur ishin në shpellë e ai i thoshte shokut të vet (Ebu Bekrit): "Mos u mërzit, se Allahu është vërtet me ne! Atëherë, Allahu zbriti qetësinë e Vet mbi të, e ndihmoi me një ushtri të padukshme (melekësh) dhe bëri që fjala e jobesimtarëve të jetë më e poshtëruara, kurse Fjala e Allahut të jetë më e lartësuara. Vërtet, Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Urtë.” (Teube, 40) Aishja, Ebu Seidi dhe Ibn Abasi kanë thënë: "Ebu Bekri ka qenë me Pejgamberin ﷺ në shpellë."
3652. Nga: Bera ibn Azibi
Abdullah ibn Rexhai na ka thënë: Na ka treguar Israili, e ky nga Ebu Is'haku se Berai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ebu Bekri bleu nga Azibi një shalë deveje për trembëdhjetë dërhemë. Ai i tha Azibit: “Thuaji Berait të ma sjellë shalën.” Azibi i tha: “Jo, pa na treguar se si vepruat ti dhe i Dërguari i Allahut ﷺ kur dolët nga Meka, teksa ju kërkonin idhujtarët?”
Ebu Bekri rrëfen: “U nisëm nga Meka pa fjetur dhe ecëm tërë natën e ditën vijuese, deri në drekë, në mesditë. Shikova mos shihja ndonjë hije për t'u strehuar aty, kur ja, një shkëmb. Shkova atje, e sheshova vendin nën hije, pastaj i shtrova diçka Pejgamberit ﷺ dhe i thashë: “Shtrihu, o i Dërguari i Allahut.” Pejgamberi ﷺ u shtri, kurse unë fillova të shikoja përreth mos na kërkonte ndokush. Një bari i kishte drejtuar delet nga shkëmbi, duke synuar atë që pak më parë po synonim edhe ne (hijen e shkëmbit). Shkova dhe e pyeta: “I kujt je, o djalosh?”
- I njërit prej kurejshëve, - tha ai duke përmendur emrin e babait, të cilin unë e njoha.
- A ke dele që milet? - e pyeta.
- Po, - tha ai.
- A po na mjel pak qumësht? - i thashë.
- Po, - u përgjigj.
I thashë të lidhë një nga delet, t'ia shkundë pluhurin nga gjiri dhe t'i shkundë duart në këtë mënyrë, - duke e goditur njërën shuplakë me tjetrën. Ai moli pak qumësht, ndërsa unë kisha përgatitur një strajcë (me ujë) që kishte një pëlhurë në grykën e saj. E zbraza ujin në qumësht, derisa u ftoh fundi i tij dhe ia dërgova Pejgamberit ﷺ, i cili tanimë ishte zgjuar. I thashë: “Pi, o i Dërguari i Allahut!” Ai piu, derisa unë mbeta i kënaqur, pastaj thashë: “Koha është të nisemi, o i Dërguari i Allahut ﷺ.”
- “Po”, - tha ai.
Ne vazhduam rrugën, ndërsa njerëzit na kërkonin, por asnjëri prej tyre nuk na arriti, përpos Suraka ibn Malik ibn Xhuëshumit, i cili udhëtonte me kalë. Unë thashë: “Na zuri një gjurmues, o i Dërguari i Allahut.” Ai tha: “Mos u mërzit, se Allahu është me ne.”
3653. Nga: Ebu Bekër Sidiku
Muhamed ibn Sinani na ka thënë: Na ka treguar Hemami, e ky nga Thabiti, e ky nga Enesi se Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Duke qenë në shpellë, i thashë Pejgamberit ﷺ: “Sikur ndonjëri prej tyre të shikojë nën këmbët e veta, do të na shohë.” Ai tha: “Çfarë mendon, ti, o Ebu Bekër, për dy vetë, i treti i të cilëve është Allahu?”
3. Nënkapitulli: Hadithi: “Mbyllni dyert, përpos derës së Ebu Bekrit.”
Këtë e ka transmetuar edhe Ibn Abasi nga Pejgamberi ﷺ.
3654. Nga: Ebu Seid Hudriu
Abdullah ibn Muhamedi më ka thënë: Na ka treguar Ebu Amiri, e ky nga Fulejhu, e këtij i ka treguar Salim Ebu Nadri, e ky nga Busr ibn Seidi se Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ u ligjëroi njerëzve dhe u tha: “Allahu i Lartësuar i dha të drejtën një robi për të zgjedhur mes dynjasë dhe asaj që gjendet tek Ai. Robi zgjodhi atë që gjendet tek Allahu.” Ebu Bekri zuri të qajë. Ne u çuditëm me të qarët e tij, nga ajo që tregoi i Dërguari i Allahut ﷺ për një rob, që të zgjidhte. Por, ai që duhej të zgjidhte ishte vetë Pejgamberi ﷺ. Ndërkohë, Ebu Bekri ishte më i dituri në mesin tonë (dhe e kuptoi këtë gjë).
I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë për të: “Njeriu që më së shumti më ka ofruar, në shoqërim dhe pasuri, është Ebu Bekri. Sikur të zgjidhja dikë për mik të ngushtë, përveç Zotit tim, do ta zgjidhja Ebu Bekrin. Mirëpo, vëllazëria dhe dashuria islame janë më parësore. Të mos mbetet asnjë derë përreth xhamisë pa u mbyllur, përveç asaj të Ebu Bekrit.”
4. Nënkapitulli: Vlera e Ebu Bekrit pas vlerës së Pejgamberit ﷺ
3655. Nga: Abdullah ibn Omeri
Abdulaziz ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sulejmani, e ky nga Jahja ibn Seidi, e ky nga Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) ka thënë: “Në kohën e Pejgamberit ﷺ bënim vlerësime mes njerëzve. Kështu, Ebu Bekrin e vinim të parin, pastaj Omer ibn Hatabin, pastaj Othman ibn Afanin.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 3655
Fjalë të panjohura?
5. Nënkapitulli: Hadithi: “Sikur të zgjidhja dikë për mik të ngushtë...”
3656. Nga: Abdullah ibn Abasi
Muslim ibn Ibrahimi na ka thënë: Na ka treguar Vuhejbi, e këtij i ka treguar Ejubi, e ky nga Ikrime se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Sikur të zgjidhja dikë prej umetit tim për mik të ngushtë, do ta zgjidhja Ebu Bekrin, por ja që ai është vëllai dhe shoku im.”
3657. Nga: Abdullah ibn Abasi
Muala dhe Musai na kanë thënë: Na ka treguar Vuhejbi, e ky nga Ejubi se Abdullah ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Sikur të zgjidhja dikë për mik të ngushtë, atë (Ebu Bekrin) do ta zgjidhja për mik të ngushtë, mirëpo vëllazëria islame është më e vlefshme.”
Kutejbe na ka thënë: “Njëjtë na ka treguar edhe Vuhejbi nga Ejubi.”
3658. Nga: Abdullah ibn Ebu Mulejke
Sulejman ibn Harbi na ka thënë: Na ka rrëfyer Hamad ibn Zejdi, e ky nga Ejubi se Abdullah ibn Ebu Mulejke tregon: “Banorët e Kufës i dërguan një pyetje Ibn Zubejrit për trashëgiminë e gjyshit, e në atë rast ai tha: “I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë kështu: “Sikur të zgjidhja dikë prej umetit tim për mik të ngushtë, do ta zgjidhja atë (Ebu Bekrin).” Kështu, në trashëgimi, Ebu Bekri e konsideronte gjyshin sikurse babanë.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 3658
Fjalë të panjohura?
Nënkapitull
3659. Nga: Xhubejr ibn Mutëimi
Humejdiu dhe Muhamed ibn Abdullahu na kanë thënë: Na ka treguar Ibrahim ibn Sadi, e ky nga babai i tij, e ky nga Muhamed ibn Xhubejr ibn Mutëimi se Xhubejr ibn Mutëimi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një grua vajti te Pejgamberi ﷺ (për ta pyetur), por ai e urdhëroi që të vinte një herë tjetër. Ajo i tha: “Nëse vij e nuk të gjej ty (çfarë të bëj)?” - sikur aludonte në vdekje. Pejgamberi ﷺ i tha: “Nëse nuk më gjen mua, atëherë shko tek Ebu Bekri.”
3660. Nga: Amar ibn Jasiri
Ahmed ibn Ebu Tajibi më ka thënë: Na ka treguar Ismail ibn Muxhalidi, e këtij i ka treguar Bejan ibn Bishri, e ky nga Vebra ibn Abdurrahmani, e ky nga Hemami se Amar ibn Jasiri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) ka thënë: “Kur e kam parë të Dërguarin e Allahut ﷺ për herë të parë, nuk kishte besimtarë të tjerë, përveç pesë robërve, dy grave dhe Ebu Bekrit.”
3661. Nga: Ebu Derdai
Hisham ibn Amari më ka thënë: Na ka treguar Sadaka ibn Halidi, e këtij i ka treguar Zejd ibn Vakidi, e ky nga Busr ibn Ubejdullahu, e ky nga Ajdhullah Ebu Idrisi se Ebu Derdai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa po rrija me Pejgamberin ﷺ, erdhi Ebu Bekri duke mbajtur në dorë skajin e rrobës, saqë iu zbulua gjuri. Pejgamberi ﷺ tha: “Ky shoku juaj qenka grindur (me dikë).” Ai dha selam dhe tha: “Mes meje dhe Ibn Hatabit ka ndodhur diçka. Unë u nguta (në veprim), por pastaj u pendova. I kërkova falje, por ai refuzoi, andaj erdha te ti.” Pejgamberi ﷺ tha tri herë: “Allahu të faltë, o Ebu Bekër!” Më pas, Omeri u pendua, andaj shkoi te shtëpia e Ebu Bekrit dhe pyeti: “A është Ebu Bekri aty?” I thanë: “Jo.” Atëherë shkoi te Pejgamberi ﷺ, të cilit i ndryshoi çehrja, sakaq Ebu Bekri, nga frika për Omerin, ra në gjunjë dhe tha dy herë: “O i Dërguari i Allahut, betohem në Allahun se unë kam bërë padrejtësi!” Pejgamberi ﷺ tha: “Allahu më dërgoi te ju, e ju thoshit: “Po gënjen”, kurse Ebu Bekri thoshte: “Ai e thotë të vërtetën.” Ai më mbështeti me veten dhe pasurinë e tij.” Pastaj, duke e përsëritur dy herë, tha: “Vallë, a mund ta lini të qetë shokun tim?”
Pas kësaj, kurrë më nuk e shqetësuan Ebu Bekrin.”
3662. Nga: Amër ibn Asi
Muala ibn Esedi na ka thënë: Na ka treguar Abdulaziz ibn Muhtari, e këtij i ka treguar Halid Hadhai, e ky nga Ebu Othmani se Amër ibn Asi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ më dërgoi udhëheqës në Betejën Dhatu Selasil. Pasi u ktheva, vajta tek ai dhe e pyeta: “Kush është njeriu më i dashur te ti?”
- “Aishja”, - u përgjigj ai.
- Po prej burrave? - e pyeta.
- “Babai i saj”, - më tha.
- Pastaj kush?
- “Pastaj Omer ibn Hatabi”, - tha ai dhe numëroi disa burra.
3663. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Seleme ibn Abdurrahmani se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ të ketë thënë: “Teksa një bari po i ruante delet, ujku e sulmoi dhe i rrëmbeu një dele. Bariu filloi ta ndjekë, kurse ujku u kthye nga ai dhe i tha: “Kush do ta ruajë në ditët e fitneve, ditët kur nuk do të ketë rojtar përveç meje?” Ndërkaq, teksa një burrë po i grahte një lope, që e kishte ngarkuar, ajo u kthye nga ai dhe i tha: “Unë nuk jam krijuar për këtë gjë, por jam krijuar për bujqësi.” Papritmas, njerëzit (të habitur) thanë: “Subhanallah!” Pejgamberi ﷺ tha: “Unë e besoj këtë, e edhe Ebu Bekri me Omer ibn Hatabin.” Allahu qoftë i kënaqur me ta!”
3664. Nga: Ebu Hurejra
Abdani na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e ky nga Junusi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Ibn Musejebi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “E kam dëgjuar Pejgamberin ﷺ të ketë thënë: “Sa isha në gjumë, pashë një pus me një kovë. Unë nxora prej tij (ujë) aq sa deshi Allahu, pastaj e mori Ibn Ebu Kuhafe (Ebu Bekri), i cili nxori një ose dy kova, porse gjatë nxjerrjes kishte dobësi, Allahu e faltë për këtë dobësi. Pastaj kova u bë e madhe dhe e mori Ibn Hatabi. Nuk kam parë ndër njerëz më të shkathët në nxjerrje (të ujit) se Omeri, saqë njerëzit e shfrytëzuan vendin për mriz (të deveve).”
3665. Nga: Abdullah ibn Omeri
Muhamed ibn Mukatili na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Musa ibn Ukbe, e ky nga Salim ibn Abdullahu se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Atë që e tërheq zvarrë rrobën e tij nga mendjemadhësia, Allahu nuk do ta shikojë Ditën e Kiametit.” Ebu Bekri tha: “Njëra anë e rrobës sime lëshohet, përveçse kur kujdesem për të?” Atëherë i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Ti nuk e bën këtë nga mendjemadhësia.”
Musai thotë: “E pyeta Salimin: “A e përmendi Abdullah ibn Omeri pjesën: “Atë që e tërheq zvarrë izarin (rrobën e poshtme)?”
- Nuk e kam dëgjuar duke përmendur këtë, por vetëm fjalët: “... rrobën e tij...”, - tha ai.
3666. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka treguar Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Humejd ibn Abdurrahman ibn Aufi se Ebu Hurejra ( Allahu qoftë i kënaqur me të) tregon: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ të ketë thënë: “Ai që i dhuron dy lloje pasurish në rrugën e Allahut, thirret nga portat e Xhenetit: “O rob i Allahut, kjo është vepër e mirë!” Kështu, ai që i përkushtohet namazit, thirret nga porta e namazit. Ai që i përkushtohet xhihadit, thirret nga porta e xhihadit. Ai që i përkushtohet dhënies së lëmoshës, thirret nga porta e lëmoshës. Ai që i përkushtohet agjërimit, thirret nga porta e agjërimit ose porta Rejan.” Ebu Bekri tha: “Nuk ka asnjë të keqe nëse dikush thirret nga të gjitha portat. O i Dërguari i Allahut, a thirret ndokush nga të gjitha këto porta?”
- “Po, ndërkohë shpresoj që ti të jesh njëri prej tyre, o Ebu Bekër”, - tha Pejgamberi ﷺ.”
3667. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Ismail ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sulejman ibn Bilali, e ky nga Hisham ibn Urve, e këtij i ka rrëfyer Urve ibn Zubejri se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), gruaja e Pejgamberit ﷺ, ka thënë: “Kur vdiq i Dërguari i Allahut ﷺ, Ebu Bekri ishte në Sunh.” - Ismaili ka thënë: “Kishte për qëllim pjesën e epërme jashtë Medinës.” Omeri u ngrit (në xhami) dhe filloi të thotë: “Betohem në Allahun se i Dërguari i Allahut ﷺ nuk ka vdekur.” - Aishja thotë: “Më vonë Omeri thoshte: “Betohem në Allahun se nuk më shkonte diçka tjetër në mend përveçse, Allahu do ta ringjallë atë e do t'ua këpusë duart dhe këmbët disa njerëzve.”
(Me të dëgjuar lajmin) Ebu Bekri erdhi, e zbuloi (fytyrën) e të Dërguarit të Allahut ﷺ, e puthi dhe tha: “Kurban t'u bëfsha me babë e nënë! Je i bukur, i gjallë e i vdekur. Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, se Allahu nuk do të të bëjë të shijosh dy herë vdekjen.” Pastaj doli dhe i tha Omerit: “Mos u ngut, o ti që po betohesh!” Kur Ebu Bekri foli, Omeri u ul.”
3668. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “(Kur vdiq Pejgamberi ﷺ) Ebu Bekri e falënderoi dhe e lavdëroi Allahun, pastaj tha: “Ai që e ka adhuruar Muhamedin ﷺ, Muhamedi ﷺ tashmë ka vdekur; ai që e adhuron Allahun, Allahu është i Gjallë dhe nuk vdes.” Pastaj citoi ajetin: “Sigurisht që ti (o Muhamed) do të vdesësh një ditë e, sigurisht që edhe ata do të vdesin.” (Zumer, 30) Më pas citoi edhe ajetin: “Muhamedi është vetëm i Dërguar, para të cilit ka pasur edhe të dërguar të tjerë. Nëse ai vdes ose vritet, a mos do të ktheheni ju prapa? Kushdo që kthehet prapa, nuk i bën kurrfarë dëmi Allahut. Dhe Allahu do t'i shpërblejë falënderuesit.” (Ali Imran, 144)
(Kur i dëgjuan këto) njerëzit filluan të qajnë. Ensarët u mblodhën te Sad ibn Ubade, në pushimoren e fisit benu saide, dhe thanë: “Le të jetë një prijës prej nesh dhe një prijës prej jush (muhaxhirëve).” Ebu Bekri, Omer ibn Hatabi dhe Ebu Ubejde ibn Xherrahu shkuan aty. Omeri u ngrit të flasë, por Ebu Bekri e ndaloi.
Më vonë, Omeri thoshte: “Betohem në Allahun se nuk kisha për qëllim diçka tjetër, përpos se kisha përgatitur disa fjalë që më pëlqenin dhe frikësohesha se Ebu Bekri nuk do t'i thoshte ato.” Pastaj, Ebu Bekri foli, si oratori më i mirë, duke thënë: “Ne (muhaxhirët) jemi prijësit, kurse ju (ensarët) jeni ministrat.” Habab ibn Mundhiri tha: “Jo, betohem në Allahun se nuk pranojmë, por (le të jetë) një prijës prej jush, një prijës prej nesh.” Ebu Bekri tha: “Jo! Prijësit prej mesit tonë, kurse ministrat prej mesit tuaj, sepse ata (kurejshët) janë nga vendbanimi më i mirë dhe janë zemra e arabëve. Zgjidheni Omerin, ose Ebu Ubejdën.” Atëherë Omeri tha: “Po të zgjedhim ty, sepse ti je zotëria ynë, më i miri prej nesh dhe më i dashuri i të Dërguarit të Allahut ﷺ.” Omeri e kapi për dore dhe ia dha besën, e pastaj edhe njerëzit ia dhanë besën. Dikush tha: “E mbytët (anashkaluat) Sad ibn Ubadën?” Omeri ia ktheu: “Allahu e ka mbytur (anashkaluar) atë.”
3669. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Abdullah ibn Salimi transmeton nga Zubejdi, e ky nga Abdurrahmani, i biri i Kasimit, e këtij i ka rrëfyer Kasimi se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ, duke qenë në prag të vdekjes, e nguliti shikimin dhe tha tri herë: “Në shoqërinë e lartë.” Atë ditë, Allahu solli dobi me ligjërimin e të dyve. Omeri i frikësoi njerëzit, sepse ndër disa prej tyre kishte hipokrizi, por Allahu i ktheu me këtë ligjëratë.”
3670. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pastaj Ebu Bekri ua qartësoi udhëzimin njerëzve dhe ua shpjegoi të vërtetën që u takon atyre, kurse ata dolën (nga xhamia) duke lexuar ajetin: “Muhamedi është vetëm i Dërguar, para të cilit ka pasur edhe të dërguar të tjerë. Nëse ai vdes ose vritet, a mos do të ktheheni ju prapa? Kushdo që kthehet prapa, nuk i bën kurrfarë dëmi Allahut. Dhe Allahu do t'i shpërblejë falënderuesit.” (Ali Imran, 144)
3671. Nga: Muhamed ibn Hanefije
Muhamed ibn Kethiri na ka thënë: Na ka rrëfyer Sufjani, e këtij i ka treguar Xhami ibn Ebu Rashidi, e këtij i ka treguar Ebu Jala se Muhamed ibn Hanefije tregon: “E pyeta babanë tim (Ali ibn Ebu Talibin): “Cili është njeriu më i vlefshëm pas Pejgamberit ﷺ?”
- Ebu Bekri, - tha ai.
- E pastaj cili? - i thashë.
- Pastaj Omeri, - më tha.
Unë u frikësova mos po thotë pastaj Othmani, andaj i thashë: “Pastaj ti?”
- Unë jam thjesht një musliman, - ma ktheu.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 3671
Fjalë të panjohura?
3672. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Kutejbe ibn Seidi na ka treguar nga Maliku, e ky nga Abdurrahman ibn Kasimi, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Së bashku me Pejgamberin ﷺ ishim në një udhëtim dhe, kur arritëm te vendi i quajtur Bejda ose Dhatu Xhejsh, m'u këput gjerdani (dhe më humbi). Pejgamberi ﷺ së bashku me njerëzit filluan ta kërkonin. Ata ishin në një vend që nuk kishte ujë dhe nuk kishin me vete ujë (për të marrë abdes), andaj disa shkuan tek Ebu Bekri dhe iu ankuan: “A nuk po sheh çfarë na bëri Aishja? Bëri që Pejgamberi ﷺ dhe të tjerët të çohen (në kërkim të gjerdanit), ndërkohë janë në një vend pa ujë dhe nuk kanë ujë me vete!”
Ebu Bekri erdhi tek i Dërguari i Allahut ﷺ, i cili po flinte me kokën mbështetur mbi prehrin tim, e më tha: “E vonove Pejgamberin ﷺ dhe të gjithë njerëzit, përderisa gjenden në një vend pa ujë dhe nuk kanë ujë me vete.” Më qortoi e më tha gjëra të rënda, pastaj filloi të më shpojë me dorë në ijë, por unë, duke mos dashur që Pejgamberi ﷺ ta largojë kokën nga prehri im, nuk lëviza. Pejgamberi ﷺ fjeti dhe, kur u zgjua nga gjumi, nuk kishte ujë. Atëherë Allahu ﷻ e zbriti ajetin e tejemumit, sakaq të gjithë morën tejemum. Usejd ibn Hudajri tha: “Kjo nuk është begatia juaj e parë, oj familja e Ebu Bekrit.”
Aishja thotë: “Pasi e çuam devenë në të cilën unë kisha hipur, gjerdanin e gjetëm nën të.”
3673. Nga: Ebu Seid Hudriu
Adem ibn Ebu Ijasi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Ameshi, e ky e ka dëgjuar Dhekvanin se Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Mos i shani shokët e mi, sepse, edhe nëse ndonjëri prej jush dhuron ar sa mali Uhud, (vlera e saj), nuk arrin as sa grushtet e tyre (që ata kanë dhuruar), madje as sa gjysma e kësaj.”
(Këtë transmetim nga) Shuëbe e fuqizon Xheriri, Abdullah ibn Davudi, Ebu Muaviu dhe Muhadiri nga Ameshi.
Referenca: Sahihu i Buhariut 3673
Fjalë të panjohura?
3674. Nga: Ebu Musa Eshariu
Muhamed ibn Miskin Ebu Haseni na ka thënë: Na ka treguar Jahja ibn Hasani, e këtij i ka treguar Sulejmani, e ky nga Sherik ibn Ebu Nemri, e ky nga Seid ibn Musejebi se Ebu Musa Eshariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “(Një ditë) mora abdes në shtëpinë time dhe dola, ndërkohë thashë me vete: “Sot do ta shoqëroj të Dërguarin e Allahut ﷺ dhe do të jem tërë ditën me të.” Kështu, shkova në xhami dhe pyeta për Pejgamberin ﷺ, por më thanë: “Ka dalë dhe ka shkuar andej.” Ndoqa gjurmët e tij duke pyetur për të, derisa e gjeta se kishte shkuar te pusi Eris. U ula te dera, e cila ishte prej degëve të palmës, derisa i Dërguari i Allahut ﷺ e kreu nevojën e tij dhe mori abdes. Kur vajta tek ai, e gjeta të ulur buzë pusit Eris. Ai i zbuloi kërcinjtë dhe i futi në ujë. Unë i dhashë selam, pastaj u largova dhe u ula te dera duke thënë me vete: “Sot do të jem roja e të Dërguarit të Allahut ﷺ.”
Pas pak, erdhi Ebu Bekri dhe e shtyu derën.
Unë pyeta: “Kush është?”
- Ebu Bekri, - u përgjigj ai.
- Prit, - ia ktheva.
Pastaj shkova te Pejgamberi ﷺ dhe i thashë: “O i Dërguari i Allahut, Ebu Bekri po kërkon leje.”
- “Jepi leje dhe përgëzoje me Xhenet”, - tha ai.
U ktheva dhe i thashë Ebu Bekrit: “Hyr! I Dërguari i Allahut ﷺ po të përgëzon me Xhenet.” Ebu Bekri hyri dhe u ul në anën e djathtë të Pejgamberit ﷺ, buzë pusit. Edhe ky, sikur Pejgamberi ﷺ, i zbuloi kërcinjtë dhe i futi në ujë. Unë u ktheva dhe u ula (ku isha më parë), ndërsa kisha lënë vëllanë tim duke marrë abdes, që më pas të më bashkëngjitej. Thosha me vete: “Nëse Allahu ia do të mirën filanit, - duke aluduar në vëllanë e vet, - do t'ia mundësojë të vijë tani.” Papritmas një njeri lëvizi derën.
- Kush është? - pyeta.
- Omer ibn Hatabi, - u përgjigj ai.
- Prit pak, - ia ktheva dhe shkova te Pejgamberi ﷺ, i dhashë selam dhe i thashë: “O i Dërguari i Allahut, Omer ibn Hatabi po kërkon leje të hyjë?”
- “Jepi leje dhe përgëzoje me Xhenet”, - tha ai.
Kështu, u ktheva dhe i thashë: “Hyr! I Dërguari i Allahut ﷺ po të përgëzon me Xhenet.” Ai hyri dhe u ul në anën e majtë të Pejgamberit ﷺ, buzë pusit, dhe i futi këmbët në ujë. Pastaj u ktheva dhe u ula duke thënë me vete: “Nëse Allahu ia do të mirën filanit, do t'ia mundësojë të vijë tani.” Papritmas dikush e lëvizi derën.
- Kush është? - pyeta.
- Othman ibn Afani, - u përgjigj ai.
- Prit, - i thashë dhe shkova te Pejgamberi ﷺ e i tregova.
- “Jepi leje dhe përgëzoje me Xhenet, pas një sprove që do ta godasë”, - tha ai.
Shkova dhe i thashë: “Hyr! I Dërguari i Allahut ﷺ po të përgëzon me Xhenet, pas një sprove që do të të godasë.” Ai hyri dhe, meqenëse hapësira buzë pusit ishte mbushur, u ul përballë, në anën tjetër.
Sheriku ka thënë: “Seid ibn Musejebi thotë: “Këtë renditje të tyre në të ulur e komentova me pozitën e varreve të tyre.”
3675. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Muhamed ibn Beshari më ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e ky nga Seidi, e ky nga Katadja se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ, Ebu Bekri, Omeri dhe Othmani u ngjitën në malin Uhud, i cili filloi të dridhej. Atëherë, Pejgamberi ﷺ i tha: “Qetësohu, o Uhud, sepse sipër teje janë një pejgamber, një i sinqertë dhe dy shehidë.”
3676. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ahmed ibn Seid Ebu Abdullahu më ka thënë: Na ka treguar Vehb ibn Xheriri, e këtij i ka treguar Sahri, e ky nga Nafiu se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “(Pashë në ëndërr se) teksa isha te një pus duke nxjerrë ujë, erdhën Ebu Bekri dhe Omeri. Ebu Bekri e mori kovën dhe nxori një ose dy kova, porse gjatë nxjerrjes kishte dobësi, Allahu e faltë! Pastaj, Ibn Hatabi e mori prej dorës së Ebu Bekrit, e në atë rast kova, në dorën e tij, u bë e madhe. Nuk kam parë njeri më të shkathët, që e përsos punën, se atë. Ai nxori aq ujë, saqë njerëzit e shfrytëzuan vendin për mriz (të deveve).”
3677. Nga: Abdullah ibn Abasi
Velid ibn Salihu më ka thënë: Na ka treguar Isa ibn Junusi, e këtij i ka treguar Omer ibn Seid ibn Ebu Husejn Mekiu, e ky nga Ibn Ebu Mulejke se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Teksa po qëndroja në mesin e njerëzve që luteshin për Omer ibn Hatabin (kur vdiq), të cilin e kishin vendosur në shtrat, një njeri mbrapa meje ma vendosi bërrylin mbi sup dhe tha: “Allahu të mëshiroftë (o Omer)! Shpresoj se Allahu do të të bashkojë me dy shokët e tu (Pejgamberin ﷺ dhe Ebu Bekrin), sepse shpeshherë e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: “Isha me Ebu Bekrin dhe Omerin"; “Bëra këtë me Ebu Bekrin dhe Omerin"; “Shkova gjetiu me Ebu Bekrin dhe Omerin”. Shpresoj që Allahu të të bashkojë me ta.” Kur shikova mbrapa, pashë se ishte Ali ibn Ebu Talibi.”
3678. Nga: Urve ibn Zubejri
Muhamed ibn Jezid Kufiu më ka thënë: Na ka treguar Velidi, e ky nga Evzaiu, e ky nga Jahja ibn Ebu Kethiri, e ky nga Muhamed ibn Ibrahimi se Urve ibn Zubejri thotë: “E pyeta Abdullah ibn Amrin (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) për gjënë më të rëndë që idhujtarët ia kanë bërë të Dërguarit të Allahut ﷺ, e në atë rast ai tha: “E kam parë Ukbe ibn Ebu Muajtin duke shkuar te Pejgamberi ﷺ, teksa po falej, dhe ia vendosi rrobën në fyt e ia shtrëngoi shumë fort. Por, vajti Ebu Bekri dhe e largoi prej tij duke cituar: “... Vallë, do të vrisni një njeri vetëm pse thotë: “Zoti im është Allahu”, ndërkohë që ai ju ka sjellë shenja të qarta prej Zotit tuaj?!” (Gafir, 28)
6. Nënkapitulli: Virtytet e Omer ibn Hatab Ebu Hafs Kureshi Adeviut, Allahu qoftë i kënaqur me të
3679. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Haxhaxh ibn Minhali na ka thënë: Na ka treguar Abdulaziz Maxhishuni, e këtij i ka treguar Muhamed ibn Munkediri se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Pashë në ëndërr se hyra në Xhenet, kur ja, në të ishte Rumejsa, gruaja e Ebu Talhait. Pastaj dëgjova një zë të lehtë dhe pyeta: “Kush është ky?” Më thanë: “Ky është Bilali.” Tutje pashë një pallat, në oborrin e të cilit qëndronte një vashë e re, dhe pyeta: “I kujt është ky (pallat)?” Më thanë: “I Omerit.” Doja të hyja brenda, që ta shihja, por m'u kujtua xhelozia jote (o Omer).” Omeri tha: “Kurban t'u bëfsha me babë e nënë, o i Dërguari i Allahut. Si mund të kem xhelozi ndaj teje?”
3680. Nga: Ebu Hurejra
Seid ibn Ebu Merjemi na ka thënë: Na ka rrëfyer Lejthiu, e këtij i ka treguar Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Seid ibn Musejebi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa po rrinim me Pejgamberin ﷺ, ai tha: “Duke qenë në gjumë, e pashë veten në Xhenet, ku hasa një grua duke marrë abdes pranë një pallati. Pyeta: “I kujt është ky pallat?” Më thanë: “I Omer ibn Hatabit.” Pastaj m'u kujtua xhelozia e tij, andaj u ktheva nga kisha ardhur.” Omeri filloi të qajë dhe tha: “A ndaj teje të kem xhelozi, o i Dërguari i Allahut?”
3681. Nga: Abdullah ibn Omeri
Muhamed ibn Salt Ebu Xhafer Kufiu më ka thënë: Na ka treguar Ibn Mubareku, e ky nga Junusi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Hamzai se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Teksa isha në gjumë, (në ëndërr) aq shumë piva, - kishte për qëllim qumësht, - saqë e pashë të rrjedhë prej thoit tim, - ose ka thënë: prej thonjve të mi. - Pastaj, pjesën e mbetur ia dhashë Omerit.” I thanë: “Si e komenton këtë, o i Dërguari i Allahut?” Ai tha: “Është dituria.”
3682. Nga: Abdullah ibn Omeri
Muhamed ibn Abdullah ibn Numejri na ka thënë: Na ka treguar Muhamed ibn Bishri, e këtij i ka treguar Ubejdullahu, e këtij i ka treguar Ebu Bekri, i biri i Salimit, e ky nga babai i tij Salimi se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Pashë në ëndërr duke nxjerrë ujë me kovë dhe rul prej pusit. Erdhi Ebu Bekri dhe nxori një ose dy kova, porse gjatë nxjerrjes kishte vështirësi, Allahu e faltë! Pastaj, erdhi Omer ibn Hatabi, (në duart e të cilit) kova u bë e madhe. Nuk kam parë më të shkathët, që e përsos punën, sikurse ai. Ai nxori aq ujë, saqë njerëzit i shfrytëzuan për mrize (të deveve).”
3683. Nga: Sad ibn Ebu Vekasi
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Jakub ibn Ibrahimi, e këtij i ka treguar babai i tij, e ky nga Salihu, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Abdulhamidi, e këtij i ka rrëfyer Muhamed ibn Seidi se babai i tij ka thënë: ... [t]: Abdulaziz ibn Abdullahu më ka thënë: Na ka treguar Ibrahim ibn Sadi, e ky nga Salihu, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Abdulhamid ibn Abdurrahman ibn Zejdi, e ky nga i biri i Sad ibn Ebu Vekasit, Muhamedi, e ky nga babai i tij se Sad ibn Ebu Vekasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa disa gra po bisedonin me Pejgamberin ﷺ dhe po e tepronin duke i ngritur zërat, Omer ibn Hatabi kërkoi leje për të hyrë. Me të dëgjuar Omer ibn Hatabin, ato nxituan për të kaluar në pjesën pas perdes dhe Pejgamberi ﷺ, duke qeshur, i dha leje Omerit për të hyrë, i cili, pasi hyri, tha: “Allahu të bëftë gjithnjë të qeshur, o i Dërguari i Allahut!” Pejgamberi ﷺ i tha: “U habita me këto që ishin tek unë: kur dëgjuan zërin tënd, nxituan për të kaluar në pjesën pas perdes.” Omeri i tha: “Por, ti, o i Dërguari i Allahut, je më meritor që të kenë frikërespekt ndaj teje.” Pastaj u ngrit dhe tha: “Oj armiket e vetvetes, po keni frikërespekt ndaj meje e jo për të Dërguarin e Allahut ﷺ ?!” Ato i thanë: “Po, sepse ti je më nevrik dhe më i vrazhdë se i Dërguari i Allahut ﷺ.” Pejgamberi ﷺ tha: “Po, o Ibn Hatab, betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, se, sa herë që shejtani të takon ty në ndonjë rrugë, detyrohet të ndjekë rrugë tjetër.”
3684. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Muhamed ibn Muthena na ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e ky nga Ismaili, e këtij i ka treguar Kajsi se Abdullah ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) ka thënë: “Qëkurse Omeri është bërë musliman, krenarinë e kemi shfaqur haptas.”
3685. Nga: Abdullah ibn Abasi
Abdani na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka treguar Omer ibn Seidi, e ky nga Ibn Ebu Mulejke se Abdullah ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) ka thënë: “Omerin (pasi vdiq) e vendosën në shtrat, ndërsa njerëzit, në mesin e të cilëve isha edhe unë, u mblodhën përreth tij duke u lutur dhe duke u falur për të, para se të bartej (për në varr). Papritmas, një njeri më kapi për supi. Kur shikova, pashë Ali ibn Ebu Talibin. Ai iu lut Allahut ta mëshirojë atë (Omerin) dhe tha: “Pas teje (o Omer) nuk ka mbetur askush që do të më bënte të lakmoj ta takoj Allahun me vepra sikurse të tuat. Betohem në Allahun se shpresoj që Allahu do të të bashkojë me dy shokët e tu (Pejgamberin ﷺ dhe Ebu Bekrin), sepse shpeshherë e kam dëgjuar Pejgamberin ﷺ duke thënë: “Shkova me Ebu Bekrin dhe Omerin"; “Hyra me Ebu Bekrin dhe Omerin"; “Dola me Ebu Bekrin dhe Omerin”.
3686. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jezid ibn Zureji, e këtij i ka treguar Seidi. Halife na ka thënë: Na ka treguar Muhamed ibn Sevai dhe Kehmas ibn Minhali, e këtyre dyve u ka treguar Seidi, e ky nga Katadja se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ, Ebu Bekri, Omeri dhe Othmani u ngjitën në kodrën Uhud, e cila filloi të dridhej. Pejgamberi ﷺ e goditi me këmbë dhe i tha: “Qetësohu, o Uhud, sepse sipër teje janë një pejgamber, një i sinqertë dhe dy shehidë.”
3687. Nga: Eslemi, i çrobëruari i Omerit
Jahja ibn Sulejmani na ka thënë: Më ka treguar Ibn Vehbiu, e këtij i ka treguar Omer ibn Muhamedi, e këtij i ka treguar Zejd ibn Eslemi se Eslemi ka thënë: “Abdullah ibn Omeri më pyeti për disa çështje në lidhje me Omerin, e unë i tregova. Atëherë Ibn Omeri tha: “Që kur ka vdekur i Dërguari i Allahut ﷺ, nuk kam parë njeri më punëtor dhe më bujar, - deri në fund të jetës së tij, - sesa Omer ibn Hatabin.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 3687
Fjalë të panjohura?
3688. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Sulejman ibn Harbi na ka thënë: Na ka treguar Hamad ibn Zejdi, e ky nga Thabiti se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një njeri e pyeti Pejgamberin ﷺ për Kiametin, duke thënë: “Kur është Kiameti?”
- “Çka ke përgatitur për të?” - ia ktheu Pejgamberi ﷺ.
- Asgjë, përveçse që e dua Allahun dhe të Dërguarin e Tij ﷺ, - iu përgjigj ai.
- “Ti do të jesh me ata që i do”, - i tha Pejgamberi ﷺ.
Enesi vazhdon: “Me asgjë nuk jemi gëzuar më shumë se me fjalën e Pejgamberit ﷺ: “Ti do të jesh me ata që i do.” Unë e dua Pejgamberin ﷺ, Ebu Bekrin e Omerin, andaj shpresoj të jem me ta, në saje të dashurisë sime ndaj tyre, edhe pse nuk kam bërë vepra (të mira) sikurse ata.”
3689. Nga: Ebu Hurejra
Jahja ibn Kazeja na ka thënë: Na ka treguar Ibrahim ibn Sadi, e ky nga babai i tij, e ky nga Ebu Seleme se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Në popujt para jush ka pasur njerëz të frymëzuar1, e, nëse në umetin tim ka njerëz të atillë, atëherë ai është Omeri.”
Zekerija ibn Ebu Zaide shton nga Sadi, e ky nga Ebu Seleme, e ky nga Ebu Hurejra se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Në popujt para jush, te benu israilët, ka pasur njerëz që kanë folur me frymëzim, pa qenë pejgamberë, e, nëse në umetin tim ka të atillë, atëherë ai është Omeri.”
3690. Nga: Ebu Hurejra
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Seid ibn Musejebi dhe Ebu Seleme ibn Abdurrahmani se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Teksa një bari po i ruante delet, ujku e sulmoi dhe i rrëmbeu një dele. Bariu filloi ta ndjekë, derisa e shpëtoi, porse ujku u kthye nga ai dhe i tha: “Kush do ta ruajë në ditët e fitneve, ditët kur nuk do të ketë rojtar përveç meje?” Papritmas, njerëzit (të habitur) thanë: “Subhanallah!” Pejgamberi ﷺ tha: “Unë e besoj këtë, e edhe Ebu Bekri me Omerin.” Ndërkohë, ata të dy nuk ishin aty.”
3691. Nga: Ebu Seid Hudriu
Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Ebu Umame ibn Sehël ibn Hunejfi se Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ të ketë thënë: “Ndërsa flija, m'u shfaqën disa njerëz të veshur me këmisha, prej të cilave kishte që u arrinin deri në gjoks, e disa të tjera ishin edhe më të shkurtra. M'u shfaq edhe Omer ibn Hatabi, të cilit këmisha i shkonte zvarrë.”
I thanë: “Si e komenton këtë, o i Dërguari i Allahut?” U tha: “Feja e tij.”
3692. Nga: Misver ibn Mahremi
Salt ibn Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Ismail ibn Ibrahimi, e këtij i ka treguar Ejubi, e ky nga Ibn Ebu Mulejke se Misver ibn Mahremi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur u plagos Omeri, ndiente dhimbje. Atëherë, Ibn Abasi, duke e ngushëlluar (për pikëllimin që kishte), i tha: “O prijës i besimtarëve, edhe pse po ndien dhimbje, mos harro se ti e ke shoqëruar të Dërguarin e Allahut ﷺ në mënyrën më të mirë, pastaj (kur ai vdiq) je ndarë prej tij, duke qenë ai i kënaqur me ty. Pastaj e ke shoqëruar Ebu Bekrin në mënyrën më të mirë, e, kur (ai vdiq) je ndarë prej tij, duke qenë ai i kënaqur me ty. Pastaj i ke shoqëruar shokët e tyre në mënyrën më të mirë, e, nëse ndahesh prej tyre, ndahesh duke qenë ata të kënaqur me ty.” Omeri tha: “Sa i përket asaj që përmende rreth shoqërimit të të Dërguarit të Allahut ﷺ dhe kënaqësisë së tij ndaj meje, kjo është begati e Allahut të Madhëruar ndaj meje. Sa i përket asaj që përmende rreth shoqërimit të Ebu Bekrit dhe kënaqësisë së tij ndaj meje, kjo është begati e Allahut të Madhëruar ndaj meje. Ndërkaq, ky pikëllim që po e sheh tek unë është për shkak tëndin dhe të shokëve të tu (për problemet që do t'ju vijnë). Betohem në Allahun se, sikur të kisha ar sa toka, do ta shkëmbeja për të shpëtuar nga dënimi i Allahut të Madhëruar, pa e parë (dënimin).”
Hamad ibn Zejdi na ka thënë: “Njëjtë na ka treguar Ejubi nga Ibn Ebu Mulejke, e ky nga Ibn Abasi: “Hyra tek Omeri.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 3692
Fjalë të panjohura?
3693. Nga: Ebu Musa Eshariu
Jusuf ibn Musai na ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame, e këtij i ka treguar Othman ibn Gijathi, e këtij i ka treguar Ebu Othman Nehdiu se Ebu Musa Eshariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa po rrija me Pejgamberin ﷺ në një prej kopshteve të Medinës, një njeri erdhi dhe kërkoi leje për të hyrë. Pejgamberi ﷺ tha: “Hapja derën dhe përgëzoje me Xhenet.” Kur e hapa, pashë Ebu Bekrin, të cilin e përgëzova me atë që Pejgamberi ﷺ tha, ndërsa ai e falënderoi Allahun. Pastaj erdhi një tjetër dhe kërkoi leje për të hyrë. Pejgamberi ﷺ tha: “Hapja derën dhe përgëzoje me Xhenet.” Kur e hapa, e pashë Omerin, të cilit i tregova atë që tha Pejgamberi ﷺ, ndërsa ai e falënderoi Allahun. Sërish, i treti kërkoi për të hyrë dhe Pejgamberi ﷺ më tha: “Hapja derën dhe përgëzoje me Xhenet, pas një sprove që do ta godasë.” Këtë herë ishte Othmani, të cilin e lajmërova për atë që tha i Dërguari i Allahut ﷺ, ndërsa ai e falënderoi Allahun dhe tha: “Allahu është Ndihmëtari.”
3694. Nga: Abdullah ibn Hishami
Jahja ibn Sulejmani na ka thënë: Më ka treguar Ibn Vehbiu, e këtij i ka rrëfyer Hajve, e këtij i ka treguar Ebu Akil Zuhra ibn Mabedi se gjyshi i tij Abdullah ibn Hishami (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një ditë, po rrinim me Pejgamberin ﷺ, i cili e kishte kapur Omer ibn Hatabin për dore.”
7. Nënkapitulli: Virtytet e Othman ibn Afan Ebu Amër Kureshiut, Allahu qoftë i kënaqur me të
Pejgamberi ﷺ tha: “Kush e blen pusin Ruma, që ta fitojë Xhenetin?” Kështu, e bleu Othmani. Dhe ka thënë: “Kush e financon përgatitjen e ekspeditës së Tebukut, që ta fitojë Xhenetin?” Othmani ishte ai që e financoi.
3695. Nga: Ebu Musa Eshariu
Sulejman ibn Harbi na ka thënë: Na ka treguar Hamadi, e ky nga Ejubi, e ky nga Ebu Othmani se Ebu Musai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ hyri në një kopsht dhe më urdhëroi ta ruaj derën e kopshtit. Ndërkohë, erdhi një burrë dhe kërkoi leje për të hyrë, e në atë rast Pejgamberi ﷺ tha: “Hapja derën dhe përgëzoje me Xhenet.” Ky qe Ebu Bekri. Pastaj erdhi një tjetër, i cili, po ashtu, kërkoi leje. Pejgamberi ﷺ tha: “Hapja derën dhe përgëzoje me Xhenet.” Ky qe Omeri. Pas pak, erdhi një tjetër dhe kërkoi leje për të hyrë. Pejgamberi ﷺ heshti pak, pastaj tha: “Hapja derën dhe përgëzoje me Xhenet, pas një sprove që do ta godasë.” Ky na qe Othman ibn Afani.
Hamadi na ka thënë: “Ngjashëm na kanë treguar Asim Ahvali dhe Ali ibn Hakemi, e këta e kanë dëgjuar Ebu Othmanin duke treguar nga Ebu Musai, ndërkohë Asimi shton se Pejgamberi ﷺ ishte ulur buzë një vendi me ujë dhe zbuloi gjunjët, - ose ka thënë: gjurin e tij, - dhe, me të hyrë Othmani, i mbuloi.”
3696. Nga: Misver ibn Mahremi
Ahmed ibn Shebib ibn Seidi më ka thënë: Na ka treguar babai im, e ky nga Junusi, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Urve, e këtij i ka treguar Ubejdullah ibn Adij ibn Hijari se Misver ibn Mahremi dhe Abdurrahman ibn Esved ibn Abdujeguthi i thanë Ubejdullah ibn Adij ibn Hijarit: “Çfarë të pengon t'i flasësh Othmanit për vëllanë e tij (nga nëna), Velidin, sepse njerëzit po flasin shumë për të?” Kur Othmani doli për namaz, unë (Ubejdullahu) shkova dhe i thashë: “Kam një kërkesë për ty, që njëherazi është këshillë për ty.” Othmani tha: “O ti njeri!” - Mameri tha: “Kujtoj se ka thënë: “I kërkoj Allahut të më mbrojë prej teje!” - Kështu, u ktheva dhe shkova te shokët e mi. Më pas erdhi i deleguari i Othmanit dhe më thirri. Kur shkova, Othmani më tha: “Cila ishte këshilla jote?” I thashë: Allahu i Madhëruar e dërgoi Muhamedin ﷺ me të vërtetën dhe ia zbriti Librin. Ndërkaq, ti je prej atyre që i janë përgjigjur Allahut dhe të Dërguarit të Tij ﷺ, ke qenë pjesëmarrës në dy hixhretet, e ke shoqëruar të Dërguarin e Allahut ﷺ dhe e ke përjetuar udhëzimin e tij, kurse tani njerëzit po flasin shumë për çështjen e Velidit.
- A e ke takuar të Dërguarin e Allahut ﷺ? - më pyeti Othmani.
- Jo, por dituria e tij ka arritur tek unë, siç ka arritur edhe te shtëpitë e beqareve, - i thashë.
- Atëherë; Allahu e dërgoi Muhamedin ﷺ me të vërtetën, e unë isha prej atyre që iu përgjigjën Allahut dhe të Dërguarit të Tij, i besova shpalljes që u dërgua bashkë me të, bëra dy hixhretet, ashtu siç the ti. E shoqërova të Dërguarin e Allahut ﷺ dhe ia dhashë besën. Betohem në Allahun se as e kundërshtova, as e mashtrova, derisa Allahu ia mori shpirtin. Njësoj veprova edhe me Ebu Bekrin dhe Omerin. Pastaj, më zgjodhën për halif. A nuk kam edhe unë të drejta siç kishin ata? - tha Othmani.
- Po, - i thashë.
- E çfarë janë këto muhabete që po më vijnë prej jush?! Sa i përket çështjes së Velidit, do ta gjykojmë me drejtësi, inshallah (në dashtë Allahu), - tha Othmani.
Më pas, e thirri Aliun dhe e urdhëroi t'ia zbatojë ndëshkimin me kamxhik (Velidit), i cili e zbatoi atë me tetëdhjetë goditje.”
3697. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e ky nga Seidi, e ky nga Katadja se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ, Ebu Bekri, Omeri dhe Othmani u ngjitën në malin Uhud, i cili filloi të dridhej.” Kujtoj se ka thënë: “(Pejgamberi ﷺ) e goditi me këmbë, - dhe i tha: “Qetësohu, o Uhud, sepse sipër teje janë një pejgamber, një i sinqertë dhe dy shehidë.”
3698. Nga: Abdullah ibn Omeri
Muhamed ibn Hatim ibn Bezigu më ka thënë: Na ka treguar Shedhani, e këtij i ka treguar Abdulaziz ibn Ebu Seleme Maxhishuni, e ky nga Ubejdullahu, e ky nga Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) ka thënë: “Në kohën e Pejgamberit ﷺ askënd nuk e barazonim (në vlerë) me Ebu Bekrin, pastaj me Omerin, pastaj me Othmanin. Pas këtyre, asnjë shok të Pejgamberit ﷺ nuk e vlerësonim kundrejt tjetrit.”
3699. Nga: Abdullah ibn Omeri
Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Ebu Avane se Othman ibn Mevhebi ka thënë: “Një njeri nga Egjipti vajti në haxh, ku pa disa njerëz ulur dhe pyeti: “Cilët janë këta njerëz?”
- Kurejshët, - i tha dikush.
- Kush është më i madhi prej tyre? - pyeti sërish.
- Abdullah ibn Omeri, - iu përgjigjën. Atëherë thirri: “O Ibn Omer, do të të pyes diçka, andaj më trego: “A e di se Othmani ka ikur ditën e Uhudit?”
- Po, - tha Ibn Omeri.
- A e di se ai mungoi ditën e Bedrit dhe nuk mori pjesë në betejë? - pyeti ai.
- Po, - iu përgjigj Ibn Omeri.
- A e di se ai mungoi në besatimin e Ridvanit (Hudejbijes) dhe nuk ishte pjesmarrës?
- Po.
- Allahu ekber! - thirri pyetësi.
- Eja të t'i shpjegoj këto, - i tha Ibn Omeri.
- Sa i përket ikjes së tij ditën e Uhudit, unë dëshmoj se Allahu ia ka falur dhe ia ka mbuluar atë. Ndërkaq, ditën e Bedrit mungoi se ishte i martuar me të bijën e të Dërguarit të Allahut ﷺ, e cila ishte e sëmurë rëndë. I Dërguari i Allahut ﷺ i kishte thënë (Othmanit): “Ty të takon shpërblimi dhe plaçka e një pjesëmarrësi në Bedër.” Sa i përket mungesës në besatimin e Ridvanit, sikur të ishte ndokush më meritor se Othmani, në gjithë Luginën e Mekës, atëherë Pejgamberi ﷺ do ta dërgonte atë. Por, i Dërguari i Allahut ﷺ e dërgoi Othmanin. Ndërkohë, besatimi i Ridvanit ndodhi pas shkuarjes së Othmanit në Mekë (për të negociuar). I Dërguari i Allahut ﷺ, duke treguar dorën e tij të djathtë, tha: “Kjo është dora e Othmanit”, pastaj e shtrëngoi me dorën tjetër dhe tha: “Kjo është për Othmanin.” Merre këtë (përgjigje) me vete dhe shko tash, - i tha Ibn Omeri.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 3699
Fjalë të panjohura?
8. Nënkapitulli: Tregimi i besatimit dhe marrëveshja për Othman ibn Afanin, si dhe vrasja e Omer ibn Hatabit, Allahu qoftë i kënaqur me ta!
3700. Nga: Omer ibn Hatabi
Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Ebu Avane, e ky nga Husajni se Amër ibn Mejmuni (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “E pashë Omer ibn Hatabin në Medinë, disa ditë para se të plagosej. Ai u ndal me Hudhejfe ibn Jemanin dhe Othman ibn Hunejfin e u tha: “Si vepruat (me caktimin e taksave të tokës)? A nuk frikësoheni se i ngarkuat (banorët me taksa) për tokën, aq sa nuk përballohet?”
Ata thanë: “I ngarkuam aq sa përballohet e nuk i ngarkuam shumë.” Omeri sërish tha: “Kujdes, mos i ngarkoni aq sa nuk përballohet.” Ata thanë: “Jo.”
Omeri tha: “Nëse Allahu më jep jetë, do ta zgjidh çështjen (financiare) e të vejave të Irakut, që të mos kenë nevojë për dikë tjetër pas meje.” Amër ibn Mejmuni vazhdon: “Pas katër ditësh, ai (Omeri) u plagos. Po atë mëngjes, unë isha aty, mes meje dhe tij ishte vetëm Abdullah ibn Abasi. Ai (Omeri) zakonisht ecte mes safave dhe thoshte: “Drejtohuni" dhe, kur shihte se nuk ka zbrazëtira, dilte përpara (për namaz) dhe merrte tekbir. Në rekatin e parë, ndodhte të lexonte suren Jusuf a Nahl ose diçka të ngjashme, derisa të vinin njerëzit. (Atë ditë) sapo mori tekbirin fillestar, vrasësi e goditi dhe unë e dëgjova duke thënë: “Qeni, më vrau!” Ose ka thënë: “Më kafshoi!” I poshtri (vrasësi) lëvizi shpejt thikën e tij me dy tehe dhe goditi djathtas e majtas kë mundi, saqë theri trembëdhjetë burra, shtatë prej të cilëve vdiqën. Kur një musliman pa këtë, i hodhi atij një pelerinë. Kur i poshtri kuptoi se u kap, e mbyti veten. Omeri e kapi për dore Abdurrahman ibn Aufin dhe e tërhoqi përpara (për të prirë në namaz). Ata që ishin mbrapa Omerit panë atë që ndodhi, kurse ata që ishin në skaje të xhamisë nuk dinin gjë, përveç kur humbën zërin e Omerit, thoshin: “Subhanallah! Subhanallah!” Abdurrahmani ua fali namazin shkurt dhe, kur mbaruan, Omeri tha: “O Ibn Abas, shiko kush më vrau.” Ibn Abasi u soll një kohë, pastaj u kthye dhe tha: “Skllavi i Mugirës.”
Omeri pyeti: “Mjeshtri?”
Ibn Abasi i tha: “Po.”
Omeri tha: “Allahu e vraftë! Kam urdhëruar të sillen mirë me të. E falënderoj Allahun, që vdekjen time nuk e bëri në dorën e një njeriu që thirret në Islam, kurse ti dhe babai yt dëshironit shtimin e skllevërve jobesimtarë në Medinë.” Ndër banorët e Medinës Abasi kishte më së shumti skllevër.
Ibn Abasi tha: “Nëse do, i vrasim të gjithë (skllevërit).”
Omeri tha: “Gabove me këtë (fjalë). Tash, pasi ata flasin gjuhën tuaj, falen drejt kibles suaj dhe kryejnë haxhin tuaj?”
Kështu, Omerin e bartën për në shtëpinë e tij, e ne shkuam me të. Në anën tjetër, njerëzit silleshin si të mos i kishte goditur asnjëherë më parë ndonjë fatkeqësi. Dikush thoshte: “Omeri nuk është në rrezik.” Dikush tjetër thoshte: “Kam frikë për jetën e tij.” Omerit i sollën një pije hurmash, e cila, kur e piu, i rrodhi prej plagëve. Pastaj i sollën qumësht, të cilin, kur e piu, edhe ky i rrodhi prej plagës dhe kuptuan se ai do të vdesë. Ne shkuam në dhomën e tij, kurse njerëzit vinin dhe i thoshin fjalë lëvdatash. Një djalosh erdhi dhe i tha: “Myzhde, o prijës i besimtarëve, përgëzim prej Allahut! Ti e shoqërove të Dërguarin e Allahut ﷺ, ke kontribuar shumë për Islamin, siç e di edhe vetë. Kur je zgjedhur prijës, ke qenë i drejtë dhe tërë këtë e ke përmbyllur me shehidllëk.” Omeri ia ktheu: “Ah, sikur të isha baras, (e hilafeti të mos më ishte) as kundër, as pro!” Kur djaloshi u ngrit për të dalë, rroba e tij e prekte tokën, atëherë Omeri tha: “Kthejeni atë djalosh!” Pastaj i tha: “O djali i vëllait tim, ngrije rrobën më lart, sepse kështu rroba jote është më e pastër dhe ti do të jesh më i devotshëm për Zotin tënd.” Pastaj iu drejtua të birit: “O Abdullah ibn Omer, shiko sa kam borxh.” Kur llogaritën borxhin e tij, doli se ishte diku tetëdhjetë e gjashtë mijë (dërhemë). Omeri vazhdoi: “Paguajeni borxhin nga pasuria e familjes së Omerit, nëse mjafton, e, nëse jo, kërkoni nga Benu Adij ibn Kabi, e, nëse edhe pasuria e tyre nuk mjafton, kërko nga kurejshët, e mos kërko nga dikush tjetër. Paguaje këtë borxh në vend timin. Shko tek Aishja, nëna e besimtarëve, dhe thuaji: “Omeri të bën selam”, por mos i thuaj prijësi i besimtarëve, sepse unë sot nuk jam prijës i besimtarëve. Thuaji: “Omer ibn Hatabi kërkon leje që të varroset afër dy shokëve të tij.”
Ibn Omeri (me të shkuar tek Aishja) dha selam dhe kërkoi leje për të hyrë. Me të hyrë brenda, e gjeti Aishen ulur, duke qarë, e i tha: “Omer ibn Hatabi të bën selam dhe kërkon leje të varroset afër dy shokëve të tij.”
Ajo tha: “Atë vend e dëshiroja për vete, por sot do t'i jap përparësi atij kundrejt meje.”
Kur u kthye, i thanë Omerit: “Erdhi Abdullah ibn Omeri.” Omeri tha: “Më ngrini.” Dikush e mbajti e ai tha: “Çfarë lajmi më ke sjellë?” Ibn Omeri iu përgjigj: “Atë që dëshirove ti, o prijës i besimtarëve. Ajo të dha leje.” Atëherë, Omeri tha: “Elhamdulilah, asgjë nuk kishte më të rëndësishme për mua se kjo. Pasi të vdes, më bartni (te dhoma e Aishes), pastaj jepni asaj selam dhe thoni: “Omer ibn Hatabi po kërkon leje të hyjë.” Nëse ajo lejon, më futni brenda, e, nëse refuzon, më ktheni te varret e muslimanëve. Hafsa, nëna e besimtarëve, erdhi me disa gra dhe, kur e pamë, u larguam. Ajo hyri tek Omeri dhe qau një copë herë. Më pas kërkuan leje edhe ca burra, atëherë ajo hyri në një dhomë tjetër, ndërsa ne e dëgjonim të qarët e saj prej brenda.
Ata i thanë: “Na këshillo, o prijës i besimtarëve, dhe caktoje prijësin pas teje.”
Omeri tha: “Për këtë çështje nuk po shoh më meritorë se këta persona, me të cilët i Dërguari i Allahut ﷺ ishte i kënaqur kur vdiq”, - pastaj përmendi: Aliun, Othmanin, Zubejrin, Talhain, Sadin, Abdurrahmanin dhe tha: “Abdullah ibn Omeri është dëshmitar juaji dhe nuk i takon të zgjidhet.” Këtë e bëri si ngushëllim për moskandidaturën e Ibn Omerit. “Nëse posti i bie Sadit, ai është më meritori. Përndryshe, cilido që zgjidhet, le të kërkojë ndihmë prej tij (Sadit), sepse unë nuk e kam shkarkuar atë se ishte i dobët e as për tradhti.” Po ashtu, ai tha: “Halifin pas meje e porosis të kujdeset për muhaxhirët e parë: t'ua njohë të drejtat dhe t'ua ruajë shenjtërinë. Gjithashtu, e porosis të sillet mirë me ensarët, të cilët e patën përgatitur vendin (Medinën) dhe besimin, para hixhretit; t'ia pranojë punën bamirësit dhe t'ia falë gabimin keqbërësit. E porosis të sillet mirë me banorët e krahinave, sepse ata janë ndihmëtarët e Islamit dhe burim i pasurisë, si dhe armiqtë mllefosen (nga prania e tyre), e (në rast nevoje) t'u merren vetëm tepricat (nga pasuritë e tyre), me pëlqimin e tyre. E porosis të sillet mirë me beduinët, sepse ata janë origjina e arabëve dhe përbërësit e Islamit, t'u merret pasuria mesatare (të pasurve) e t'u jepet të varfërve të tyre. E porosis t'i ketë parasysh kategoritë që janë nën mbrojtjen e Allahut dhe të Dërguarit të Tij ﷺ, ta mbajë premtimin kundrejt tyre, të luftojë në mbrojtjen e tyre dhe të mos i ngarkojë diçka që nuk mund ta bartin.” Pasi vdiq, e nxorëm prej shtëpisë dhe vazhduam rrugën. Abdullah ibn Omeri i dha selam Aishes dhe i tha: “Omer ibn Hatabi kërkon leje për të hyrë.” Ajo tha: “Futeni.” Kështu, e futën dhe e varrosën afër dy shokëve të tij.
Pasi përfundoi varrimi dhe personat e propozuar (për halife) u tubuan, Abdurrahmani tha: “Propozoni vetëm tre prej jush.” Zubejri tha: “Unë e propozoj Aliun.” Talhai tha: “Unë e propozoj Othmanin.” Ndërkaq, Sadi tha: “Unë e propozoj Abdurrahman ibn Aufin.” Mirëpo, Abdurrahmani (u tërhoq dhe) tha: “Cili prej ju të dyve tërhiqet nga kandidatura, që ta zgjidhë këtë çështje. Allahu dhe Islami janë mbikëqyrës të tij. Secili le të shikojë më të mirën për vetveten.” Por, të dy të propozuarit heshtën. Abdurrahmani tha: “A ma besoni mua zgjedhjen? Betohem në Allahun se nuk do ta anashkaloj më të mirin nga ju.” Të dy thanë: “Po.” E mori njërin për dore (Aliun) dhe i tha: “Ti ke afërsi (gjaku) me të Dërguarin e Allahut ﷺ dhe ke vlerë në Islam, siç e di dhe vetë. Nëse të zgjedhim, Allahun e ke mbikëqyrës se do të jesh i drejtë, e, nëse e zgjedh Othmanin, do të bindesh dhe do ta respektosh. Pastaj e mori edhe tjetrin (Othmanin) dhe ia tha po të njëjtat fjalë. Kur e mori besën (nga të dy) tha: “Shtrije dorën, o Othman”, - dhe ia dha besën. Kështu, edhe Aliu ia dha besën Othmanit, pastaj hynë edhe ata që ishin në shtëpi dhe ia dhanë besën atij.”
9. Nënkapitulli: Virtytet e Ali ibn Ebu Talib Ebu Hasen Kureshi Hashimiut, Allahu qoftë i kënaqur me të
Pejgamberi ﷺ i ka thënë Aliut: “Ti je pjesë imja dhe unë jam pjesë jotja.” Omeri ka thënë: "I Dërguari i Allahut ﷺ vdiq duke qenë i kënaqur me të (Aliun)."
3701. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu
Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Abdulazizi, e ky nga Ebu Hazimi se Sehël ibn Sadi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ (ditën e Hajberit) ka thënë: “Nesër do t'i jap flamurin një njeriu, në duart e të cilit Allahu do ta mundësojë çlirimin.”
Kështu, të gjithë njerëzit e kaluan natën duke u hamendur se kujt do t'i jepej (flamuri). E, kur u gdhinë, shkuan tek i Dërguari i Allahut ﷺ, ndërkohë secili shpresonte se do t'i jepej atij. Pejgamberi ﷺ pyeti: “Ku është Ali ibn Ebu Talibi?” Dikush tha: “Po ankohet për sytë, o i Dërguari i Allahut.”
- "Thirreni dhe silleni tek unë”, - tha Pejgamberi ﷺ.
Kur erdhi Aliu, Pejgamberi ﷺ pështyu në sytë e tij, u lut për të, e ai u shërua menjëherë, sikur të mos kishte pasur dhimbje fare dhe Pejgamberi ﷺ ia dha flamurin. Aliu tha: “O i Dërguari i Allahut, do t'i luftoj derisa të bëhen sikurse ne (muslimanë).” Por, Pejgamberi ﷺ i tha: “Mos vepro asgjë pa shkuar në mesin e tyre e t'i ftosh në Islam dhe t'u tregosh çfarë obligimi kanë kundrejt Allahut në Islam. Kjo, se, për Allahun, që Allahu të udhëzojë një njeri nëpërmjet teje është më e mirë për ty sesa të posedosh devetë e kuqe (lloji më i çmueshëm i deveve).”
3702. Nga: Seleme ibn Ekvai
Kutejbe na ka thënë: Na ka treguar Hatimi, e ky nga Jezid ibn Ebu Ubejdi se Seleme (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, ditën e Hajberit, Aliu mbeti mbrapa Pejgamberit ﷺ, për shkak të dhimbjes së syve që i ishte shfaqur, dhe tha: “Unë të rri mbrapa, e të mos i bashkëngjitem Pejgamberit ﷺ?” Kështu, shkoi dhe iu bashkëngjit atij. Një natë para se Allahu ta çlirojë Hajberin, Pejgamberi ﷺ tha: “Nesër do t'i jap, - ose ka thënë: do ta marrë, - flamurin një burrë që e do Allahu dhe i Dërguari i Tij ﷺ, - ose ka thënë: një burrë që e do Allahun dhe të Dërguarin e Tij ﷺ, - në dorën e të cilit Allahu do të çlirojë Hajberin.” Dhe ja, mbërriti Aliu, edhe pse askush nuk priste që ai të vinte. Njerëzit thanë: “Erdhi Aliu! Kështu, Pejgamberi ﷺ ia dha flamurin Aliut, në dorën e të cilit, Allahu e çliroi Hajberin.”
3703. Nga: Seleme ibn Dinari
Abdullah ibn Mesleme na ka thënë: Na ka treguar Abdulaziz ibn Ebu Hazimi se Seleme ibn Dinari tregon: “Një njeri shkoi te Sehël ibn Sadi dhe tha: “Filani, - prijësi i Medinës, - po e përmend Aliun (me emër përbuzës) në minber.”
- Çfarë thotë? - pyeti Sehli.
- E quan Ebu Turab (babai i dheut), - tha pyetësi.
Sehli qeshi dhe tha: “Betohem në Allahun se kështu e ka quajtur Pejgamberi ﷺ, emër ky i cili njëherazi ka qenë më i dashuri për Aliun. Kërkova prej tij të ma rrëfejë tregimin, duke i thënë: “O Ebu Abas, si ka ngjarë kjo?” Ai tha: “(Një ditë) Aliu hyri te Fatimja, e pastaj doli dhe u shtri në xhami. Pejgamberi ﷺ (shkoi te Fatimja dhe) pyeti: “Ku është djali i axhës tënd?”
- Në xhami, - iu përgjigj Fatimja.
Kështu, ai shkoi tek Aliu dhe pa se i kishte rënë rroba e epërme nga shpina, kurse dheu i ishte ngjitur në shpinë. Pejgamberi ﷺ ia fshiu dheun prej shpinës së tij dhe i tha dy herë: “Ulu, o Ebu Turab (baba i dheut)!”
3704. Nga: Abdullah ibn Omeri
Muhamed ibn Rafi na ka thënë: Na ka treguar Husejni, e ky nga Zaide, e ky nga Ebu Hasini se Sad ibn Ubejde tregon: “Një njeri shkoi tek Ibn Omeri dhe e pyeti për Othmanin, i cili ia numëroi të mirat e tij dhe i tha: “A të dhemb kjo?”
- Po, - ia ktheu.
- Allahu të turpëroftë! - i tha Ibn Omeri.
Më pas ai e pyeti për Aliun, ndërsa Ibn Omeri ia numëroi të mirat e tij dhe tha: “Ja, ajo është shtëpia e tij, në mes të shtëpive të Pejgamberit ﷺ.” Pastaj e pyeti duke i thënë: “A të dhemb edhe kjo?”
- Po, - tha ai.
- Allahu të turpëroftë! Hiqmu sysh e fol ç'të duash, - i tha Ibn Omeri.”
3705. Nga: Ali ibn Ebu Talibi
Muhamed ibn Beshari më ka thënë: Na ka treguar Gunderi, e këtij i ka treguar Shuëbe, e ky nga Hakemi, e ky e ka dëgjuar Ibn Ebu Lejlën se Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Fatimja iu ankua për lodhjen nga bluarja e drithit, ndërkohë kishte marrë vesh se Pejgamberit ﷺ i kishin sjellë ca robër. Kështu, ajo shkoi t'i kërkojë një shërbëtor, por nuk e gjeti aty. Aty e gjeti Aishen dhe ia përmendi këtë. Kur Pejgamberi ﷺ u kthye, Aishja ia përmendi ardhjen e Fatimes. Pejgamberi ﷺ erdhi te ne, ndërkohë sapo ishim shtrirë për të fjetur. Unë desha të ngrihem, por ai tha: “Qëndroni aty ku jeni.” Ai u ul mes nesh, saqë ia ndieja ftohtësinë e këmbëve në gjoksin tim, dhe na tha: “A doni t'ju mësoj diçka më të mirë se ajo që më keni kërkuar? Kur të shtriheni për të fjetur, bëni tekbir (thoni Allahu ekber) tridhjetë e katër herë, bëni tesbih (thoni subhanallah) tridhjetë e tri herë dhe falënderoni (thoni elhamulilah) tridhjetë e tri herë. Kjo është më e mirë për ju se një shërbëtor.”
3706. Nga: Sad ibn Ebu Vekasi
Muhamed ibn Beshari më ka thënë: Na ka treguar Gunderi, e këtij i ka treguar Shuëbe, e ky e ka dëgjuar të birin e Sadit, Ibrahimin, se babai i tij Sad ibn Ebu Vekasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ i ka thënë Aliut: “A nuk je i kënaqur që të jesh për mua siç ka qenë Haruni për Musain?”
3707. Nga: Ali ibn Ebu Talibi
Ali ibn Xhadi na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuëbe, e ky nga Ejubi, e ky nga Ibn Sirini, e ky nga Abide se Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Gjykoni siç keni gjykuar (më parë), sepse unë e urrej përçarjen. (Po tërhiqem nga opinioni im) vetëm që njerëzit të jenë të bashkuar, ose të vdes ashtu siç kanë vdekur shokët e mi.”
Ibn Sirini mendonte: “Pjesa dërrmuese e transmetimeve të Aliut (përmes grupeve të devijuara) është gënjeshtër.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 3707
Fjalë të panjohura?
10. Nënkapitulli: Virtytet e Xhafer ibn Ebu Talib Hashimiut, Allahu qoftë i kënaqur me të!
Pejgamberi ﷺ i tha: "Më ke përngjarë në pamje dhe në sjellje."
3708. Nga: Ebu Hurejra
Ahmed ibn Ebu Bekri na ka thënë: Na ka treguar Muhamed ibn Ibrahim ibn Dinari, Ebu Abdullah Xhuheniu, e ky nga Ibn Ebu Dhiëbi, e ky nga Seid Makburiu se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Njerëzit thoshin: “Ebu Hurejra po tregon shumë (hadithe)”, ndërkohë unë e shoqëroja të Dërguarin e Allahut ﷺ barkthatë. Nuk haja bukë cilësore e nuk vishja rroba të reja. Nuk më shërbente filani e filania. Shtrihesha përmbys në bark, nga uria. Pyesja ndokënd për ndonjë ajet, të cilin e dija, në mënyrë që të më ftonte për ushqim. Njeriu më i mirë për të varfrit ka qenë Xhafer ibn Ebu Talibi: na ftonte dhe na ushqente me atë që kishte në shtëpi, saqë nganjëherë na jepte trastën të zbrazur, të cilën e shqyenim dhe lëpinim atë që kishte brenda.”
3709. Nga: Abdullah ibn Omeri
Amër ibn Aliu më ka thënë: Na ka treguar Jezid ibn Haruni, e këtij i ka treguar Ismail ibn Ebu Halidi se Amir Shabiu tregon: “Kur Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) e përshëndeste të birin e Xhaferit, i thoshte: “Selami qoftë mbi ty, o biri i njeriut me dy krahë!”
Ebu Abdullahu (Buhariu) ka thënë: “Dy krahët nënkuptojnë dy anët.”
11. Nënkapitulli: Përmendja e Abas ibn Abdulmutalibit, Allahu qoftë i kënaqur me të
3710. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Hasen ibn Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Muhamed ibn Abdullah Ensariu, e këtij i ka treguar Ebu Abdullah ibn Muthena, e ky nga Thumame ibn Abdullah ibn Enesi se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, kur zgjatej thatësira, Omer ibn Hatabi kërkonte shi përmes Abas ibn Abdulmutalibit dhe thoshte: “Zoti ynë, ne të drejtoheshim Ty përmes duasë së Pejgamberit tonë ﷺ, e në atë rast na çoje shi, ndërsa tani po të drejtohemi përmes duasë së axhës së Pejgamberit tonë ﷺ, andaj na ço shi!”
Enesi thotë: “Pastaj binte shi.”
12. Nënkapitulli: Virtytet e të afërmve të Dërguarit të Allahut ﷺ.
Virtytet e Fatimes, Allahu qoftë i kënaqur me të, bijës së të Dërguarit të Allahut ﷺ. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Fatimja është zonja e grave të Xhenetit.”
3711. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka treguar Urve ibn Zubejri se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Fatimja dërgoi dikë tek Ebu Bekri, për t'i kërkuar trashëgiminë e saj nga Pejgamberi ﷺ, prej pasurisë që Allahu ia kishte caktuar të Dërguarit të Tij ﷺ. Kërkonte pasurinë e Pejgamberit ﷺ që ishte në Medinë dhe në Fedek, si dhe pjesën e mbetur nga një e pesta e plaçkës së Hajberit.”
3712. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ebu Bekri i tha Fatimes: “I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Ne nuk trashëgohemi. Atë që lëmë, mbetet sadaka. Familja e Muhamedit hanë vetëm nga kjo pasuri, - aludonte në pasurinë e Allahut, - e atyre nuk u takon të shtojnë nga ky ushqim.” Betohem në Allahun se nuk do të ndryshoj asgjë prej lëmoshës së Pejgamberit ﷺ, siç ka qenë në kohën e tij, si dhe do të veproj me të ashtu siç ka vepruar Pejgamberi ﷺ.” Atëherë Aliu e falënderoi Allahun dhe tha: “Ne e dimë vlerën tënde, o Ebu Bekër.” Pastaj ia përmendi afërsinë me Pejgamberin ﷺ dhe hakun e tyre. Ndërkaq, Ebu Bekri tha: “Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, se të mbaj lidhjen me të afërmit e të Dërguarit të Allahut ﷺ është më e dashur tek unë sesa të mbaj lidhjen me të afërmit e mi.”
3713. Nga: Ebu Bekër Sidiku
Abdullah ibn Abdulvehabi më ka thënë: Na ka treguar Halidi, e këtij i ka treguar Shuëbe, e ky nga Vakidi, e ky e ka dëgjuar babanë e tij, e këtij i ka treguar Ibn Omeri se Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Respektojeni Muhamedin ﷺ, duke respektuar familjen e tij.”
3714. Nga: Misver ibn Mahremi
Ebu Velidi na ka thënë: Na ka treguar Ibn Ujejne, e ky nga Amër ibn Dinari, e ky nga Ibn Ebu Mulejke se Misver ibn Mahremi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Fatimja është pjesë imja. Andaj, kush e hidhëron atë, më ka hidhëruar mua.”
3715. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Jahja ibn Kazeja na ka thënë: Na ka treguar Ibrahim ibn Sadi, e ky nga babai i tij, e ky nga Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa Pejgamberi ﷺ ishte në sëmundjen e vdekjes, e thirri të bijën e tij, Fatimen, dhe i tregoi diçka fshehurazi, gjë që e bëri të qajë. Pastaj e thirri për së dyti dhe sërish i tha diçka fshehurazi, sakaq ajo qeshi. Kështu, vendosa ta pyes Fatimen për këtë gjë.”
3716. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Fatimja m'u përgjigj: “Pejgamberi ﷺ më tregoi në vesh se do të vdiste nga kjo sëmundje prej së cilës po vuante, andaj qava. Pastaj, sërish më tregoi në vesh se unë do të jem e para nga familja e tij që do t'i bashkohem, andaj qesha.”
13. Nënkapitulli: Virtytet e Zubejr ibn Avamit, Allahu qoftë i kënaqur me të!
Ibn Abasi ka thënë: "Ai është havariu (ndihmëtari) i Pejgamberit ﷺ. Havarinjtë u quajtën kështu për shkak të rrobave të tyre të bardha."
3717. Nga: Mervan ibn Hakemi
Halid ibn Mahledi na ka thënë: Na ka treguar Ali ibn Mus'hiri, e ky nga Hisham ibn Urve, e ky nga babai i tij se Mervan ibn Hakemi tregon: “Vitin që u përhap sëmundja e gjakderdhjes nga hunda, edhe Othman ibn Afani u prek nga kjo sëmundje, saqë nuk e la të kryente haxhin. Kështu, ai e shkroi testamentin e vet. Një burrë kurejsh shkoi dhe tha: “Lër testament për halif!”
- A edhe njerëzit thonë kështu? - pyeti Othmani.
- Po, - u përgjigj.
- Për kë është fjala? - pyeti Othmani, por bashkëfolësi heshti.
Pastaj, shkoi një tjetër, - mendoj që ishte Harithi, - i cili i tha:
- Lër testament për halif!”
- A edhe njerëzit thonë kështu? - pyeti Othmani.
- Po, - u përgjigj.
- Për kë është fjala? - pyeti Othmani, por edhe ai heshti.
- Mbase thonë për Zubejrin, - tha Othmani.
- Po, - tha ai.
- Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, se ai është më i miri prej tyre, sa e di unë, dhe është më i dashuri tek i Dërguari i Allahut ﷺ, - tha Othmani.”
3718. Nga: Mervan ibn Hakemi
Ubejd ibn Ismaili më ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame, e ky nga Hishami, e këtij i ka treguar babai i tij se Mervani tregon: “Teksa po qëndroja me Othmanin, erdhi një njeri dhe i tha: “Lër testament për halif.”
- Vallë, kështu po flitet? - pyeti Othmani.
- Po, për Zubejrin, - iu përgjigj ai.
- Betohem në Allahun se ju e dini se ai është më i miri prej jush, - e përsëriti Othmani tri herë.”
3719. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Malik ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Abdulaziz ibn Ebu Seleme, e ky nga Muhamed ibn Munkediri se Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Çdo pejgamber ka pasur nga një ndihmës, ndërsa ndihmësi im është Zubejr ibn Avami.”
3720. Nga: Abdullah ibn Zubejri
Ahmed ibn Muhamedi na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Hisham ibn Urve, e ky nga babai i tij se Abdullah ibn Zubejri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Në ditën e Ahzabit, mua dhe Omer ibn Ebu Selemen na lanë me gratë (në kala). U zgjata të shoh dhe pashë Zubejrin hipur mbi kalë duke u endur dy-tri herë te fisi benu kurejdha. Pasi u ktheva, e pyeta: “O baba, të kam parë të endesh disa herë?”
- Më paske parë, biri im? - pyeti Zubejri.
- Po, - i thashë.
- I Dërguari i Allahut na tha: “Kush shkon te benu kurejdha dhe na sjell lajmet e tyre?”
Kështu, shkova unë dhe, pasi u ktheva, i Dërguari i Allahut ﷺ m'i bashkoi në flijim të dy prindërit e tij: “Babë e nënë kurban t'i bëfsha!”
Referenca: Sahihu i Buhariut 3720
Fjalë të panjohura?
3721. Nga: Urve ibn Zubejri
Ali ibn Hafsi na ka thënë: Na ka treguar Ibn Mubareku, e këtij i ka rrëfyer i biri i Urves, Hishami, se babai i tij Urve ibn Zubejri tregon: “Në ditën e Jermukut, shokët e Pejgamberit ﷺ i thanë Zubejrit: “A po i sulmon armiqtë, që të sulmojmë edhe ne me ty?” Atëherë ai ua mësyu atyre, e ata e goditën dy herë në qafë. Në mes këtyre dy goditjeve kishte edhe një tjetër, të cilën e kishte marrë ditën e Bedrit.
Urve thoshte: “Kur isha i vogël, duke luajtur i fusja gishtat e mi në këto gjurmë (plagë) të goditjeve.”
14. Nënkapitulli: Talha ibn Ubejdullahu, Allahu qoftë i kënaqur me të!
Omeri ka thënë: "Pejgamberi ﷺ vdiq duke qenë i kënaqur me të (Talhain)."
3722. Nga: Usame ibn Zejdi
3722, 3723. Muhamed ibn Ebu Bekër Mukademi më ka thënë: Na ka treguar Muëtemiri, e ky nga babai i tij se Ebu Othmani ka thënë: “Në disa luftëra të të Dërguarit të Allahut ﷺ askush nuk mbetej me të përpos Talhait dhe Sadit. Këtë Ebu Othmani e kishte kuptuar nga rrëfimet e tyre.”
3723. Nga: Usame ibn Zejdi
3722, 3723
3724. Nga: Kajs ibn Ebu Hazimi
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Halidi, e këtij i ka treguar Ibn Ebu Halidi se Kajs ibn Ebu Hazimi ka thënë: “E kam parë dorën e Talhait, me të cilën e kishte mbrojtur Pejgamberin ﷺ (në Uhud), të cilën e kishte të paralizuar.”
15. Nënkapitulli: Virtytet e Sad ibn Ebu Vekas Zuhriut
Benu zuhra kanë qenë dajallarët e Pejgamberit ﷺ Babai i tij (Sadit) quhej Malik, pra: "Sad ibn Maliku."
3725. Nga: Sad ibn Ebu Vekasi
Muhamed ibn Muthena më ka thënë: Na ka treguar Abdulvehabi, e ky e ka dëgjuar Jahjain, e ky e ka dëgjuar Seid ibn Musejebin se Sadi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Në ditën e Uhudit, Pejgamberi ﷺ m'i përmendi të dy prindërit e tij në flijim (shprehja: babë e nënë kurban i bëfsha për ty!).”
3726. Nga: Sad ibn Ebu Vekasi
Mekij ibn Ibrahimi na ka thënë: Na ka treguar Hashim ibn Hashimi, e ky nga i biri i Sadit, Amiri, se babai i tij Sad ibn Ebu Vekasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Ishte një kohë kur unë isha një e treta e Islamit.”
3727. Nga: Sad ibn Ebu Vekasi
Ibrahim ibn Musai më ka thënë: Na ka rrëfyer Ibn Ebu Zaide, e këtij i ka treguar Hashim ibn Hashim ibn Utbe ibn Ebu Vekasi, e ky e ka dëgjuar Seid ibn Musejebin se Sad ibn Ebu Vekasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Askush nuk e ka pranuar Islamin para ditës që e kam pranuar unë. Për plot shtatë ditë unë kam qenë një e treta e Islamit.”
(Transmetimin e) Ibn Ebu Zaides e fuqizon Ebu Usame, e këtij i ka treguar Hashimi.
3728. Nga: Sad ibn Ebu Vekasi
Amër ibn Avniu na ka thënë: Na ka treguar Halid ibn Abdullahu, e ky nga Ismaili, e ky nga Kajsi se Sadi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) rrëfen: “Unë jam arabi i parë që gjuajti me shigjetë në rrugën e Allahut. Luftonim me Pejgamberin ﷺ dhe nuk kishim tjetër ushqim përpos gjetheve të pemëve, saqë jashtëqitja na dilte sikurse e devesë ose e deles, e thatë. Pastaj, fisi benu esed më ironizonin në Islam. Sikur të ishte ashtu atëherë unë paskam humbur dhe më qenka shkatërruar vepra.”
Ata shkuan dhe u ankuan tek Omeri për Sadin dhe thanë: “Nuk po falet mirë.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 3728
Fjalë të panjohura?
16. Nënkapitulli: Përmendja e dhëndurëve të Pejgamberit ﷺ, prej tyre Ebu As ibn Rabiu
3729. Nga: Misver ibn Mahremi
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka treguar Ali ibn Husejni se Misver ibn Mahremi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Me të dëgjuar Fatimja se Aliu e kërkoi vajzën e Ebu Xhehlit, vajti tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe i tha: “Populli yt pretendojnë se ti nuk hidhërohesh për vajzat e tua, kurse Aliu do të martohet me vajzën e Ebu Xhehlit.” Pejgamberi ﷺ u ngrit dhe, pasi e falënderoi Allahun, tha: “E, më pas; Ebu As ibn Rabiut ia martova vajzën time, i cili, sa herë që ka biseduar me mua, është treguar i sinqertë. Porse, Fatimja është pjesë imja dhe kam frikë se kjo gjë do ta dëmtojë. Betohem në Allahun se kurrsesi nuk bashkohet bija e të Dërguarit të Allahut ﷺ me bijën e armikut të Allahut te një bashkëshort.” Atëherë Aliu e la fejesën.
Muhamed ibn Amër ibn Halhale shton nga Ibn Shihabi, e ky nga Aliu, e ky nga Misveri: “E kam dëgjuar Pejgamberin ﷺ duke përmendur një dhëndër të tij nga fisi benu abdushems, të cilin e lavdëroi shumë në raportet e tyre miqësore dhe tha: “Kur më ka folur, është treguar i sinqertë dhe, kur më ka premtuar, e ka realizuar.”
17. Nënkapitulli: Virtytet e Zejd ibn Harithes, i çrobëruari i Pejgamberit ﷺ
Berai transmeton nga Pejgamberi ﷺ se ka thënë: “Ti je vëllai ynë dhe i çrobëruari ynë.”
3730. Nga: Abdullah ibn Omeri
Halid ibn Mahledi na ka thënë: Na ka treguar Sulejmani, e këtij i ka treguar Abdullah ibn Dinari se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) ka thënë: “Pejgamberi ﷺ dërgoi një ushtri, në krye të së cilës caktoi Usame ibn Zejdin. Disa njerëz folën për udhëheqjen e tij, e në atë rast Pejgamberi ﷺ tha: “Ju po flisni për udhëheqjen e tij, ndërkohë edhe më herët keni folur për udhëheqjen e babait të tij. Betohem në Allahun se ai ishte meritor për udhëheqje dhe ishte ndër njerëzit më të dashur tek unë. Pas tij edhe ky është ndër njerëzit më të dashur tek unë.”
3731. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Jahja ibn Kazeja na ka thënë: Na ka treguar Ibrahim ibn Sadi, e ky nga Zuhriu, e ky nga Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një person, që njihte gjenealogjitë e njerëzve në bazë të ngjashmërive të tyre, erdhi tek unë në praninë e Pejgamberit ﷺ, ndërkohë Usame ibn Zejdi dhe Zejd ibn Harithe ishin të shtrirë. Ai (personi në fjalë) tha: “Këto palë këmbë përngjajnë me njëra-tjetrën (kanë origjinë të përbashkët).” Pejgamberi ﷺ u gëzua dhe i pëlqeu ky konstatim, pastaj i tregoi edhe Aishes.
18. Nënkapitulli: Përmendja e Usame ibn Zejdit
3732. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Zuhriu, e ky nga Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se kurejshët i brente çështja e gruas së fisit mahzum (e cila kishte vjedhur), prandaj thanë: “Kush merr guximin të ndërmjetësojë te Pejgamberi ﷺ për këtë, përveç Usame ibn Zejdit, të cilin Pejgamberi ﷺ e do shumë?”
3733. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Aliu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani se ka shkuar te Zuhriu për ta pyetur për gruan e fisit benu mahzum, ndërsa ai i ka bërtitur. (Aliu thotë:) E kam pyetur Sufjanin: A nuk e paske transmetuar prej ndokujt këtë hadith? Ai tha: E kam gjetur në një shkresë të cilën Ejub ibn Musai e kishte shkruar nga Zuhriu, e ky nga Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një grua, pjesëtare e fisit benu mahzum, vodhi, kështu që thanë: “Kush mund të flasë me Pejgamberin ﷺ për këtë?” Mirëpo, askush nuk guxoi të ndërmjetësojë. Atëherë shkoi Usame ibn Zejdi (për të folur), por Pejgamberi ﷺ tha: “Kur te benu israilët vidhte i privilegjuari, e falnin, e, kur vidhte i dobëti, ia prisnin dorën. Madje, po të vidhte Fatimja, do t'ia prisja dorën.”
3734. Nga: Abdullah ibn Dinari
Hasen ibn Muhamedi më ka thënë: Na ka treguar Ebu Abadi, gjegjësisht Jahja ibn Abadi, e këtij i ka treguar Maxhishuni se Abdullah ibn Dinari tregon: “Një ditë, Ibn Omeri, duke qenë në xhami, pa një njeri në një skaj të xhamisë, i cili e tërhiqte rrobën zvarrë. Ibn Omeri pyeti: “Shiko kush është ky. Ah, të ishte afër meje (që ta këshilloj)!”
- A nuk po e njeh këtë, o Ebu Abdurrahman? Ky është Muhamed ibn Usame, - i tha dikush.
Ibn Omeri e uli kokën dhe e goditi tokën me duar, pastaj tha: “Sikur ta shihte i Dërguari i Allahut ﷺ, do ta donte atë.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 3734
Fjalë të panjohura?
3735. Nga: Usame ibn Zejdi
Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Muëtemiri, e ky e ka dëgjuar nga babai i tij, e këtij i ka treguar Ebu Othmani se Usame ibn Zejdi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ e merrte atë dhe Hasanin, pastaj thoshte: “O Allah, duaji këta të dy, sepse unë i dua.”
3736. Nga: Harmele, i çrobëruari i Usame ibn Zejdit
Nuajmi transmeton nga Ibn Mubareku, e këtij i ka rrëfyer Mameri, e ky nga Zuhriu se Harmele, i çrobëruari i Usame ibn Zejdit, tregon: “Ibn Omeri e pa Haxhaxh ibn Ejmenin, të birin e Umu Ejmenit, - i cili ishte vëlla i Usames nga nëna dhe ishte ensar, - duke mos e plotësuar rukunë dhe sexhden siç duhet, andaj i tha: “Përsërite namazin.”
3737. Nga: Harmele, i çrobëruari i Usame ibn Zejdit
Ebu Abdullahu na ka thënë: Më ka treguar Sulejman ibn Abdurrahmani, e këtij i ka treguar Velidi, e këtij i ka treguar Abdurrahman ibn Nemri, e ky nga Zuhriu se Harmele, i çrobëruari i Usame ibn Zejdit, tregon: “Teksa po rrija me Abdullah ibn Omerin, erdhi Haxhaxh ibn Ejmeni, (i cili u fal) por nuk e plotësoi siç duhet rukunë e as sexhden. Ibn Omeri i tha: “Përsërite (namazin).”
Kur ai u largua, Ibn Omeri më pyeti: “Kush ishte ky?”
- Haxhaxh ibn Ejmeni, i biri i Umu Ejmenit, - i thashë.
- Sikur ta shihte i Dërguari i Allahut ﷺ, do ta donte atë, - tha Ibn Omeri.
Pastaj përmendi dashurinë ndaj Usames, si dhe ndaj fëmijëve të Umu Ejmenit. Ndërkohë, disa nga shokët e mi më kanë treguar nga Sulejmani se Umu Ejmeni ishte edukatore e Pejgamberit ﷺ.”
19. Nënkapitulli: Virtytet e Abdullah ibn Omer ibn Hatabit, Allahu qoftë i kënaqur me ta!
3738. Nga: Abdullah ibn Omeri
Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Is'hak ibn Nasri, e këtij i ka treguar Abdurrezaku, e ky nga Mameri, e ky nga Zuhriu, e ky nga Salimi se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Gjatë kohës kur Pejgamberi ﷺ ishte gjallë, nëse ndokush shihte ndonjë ëndërr, ia tregonte atij. Unë shpresoja të shihja ndonjë ëndërr për t'ia treguar Pejgamberit ﷺ. Atëkohë kam qenë djalë beqar dhe flija në xhami. Kështu, pashë një ëndërr, sikur dy melekë më morën dhe më dërguan në Xhehenem, i cili ishte i ndërtuar sikurse bunari dhe kishte dy mbajtës si mbajtësit e bunarit. Ngaqë aty pashë disa njerëz që i njihja, thashë: “Kërkoj mbrojtjen e Allahut kundrejt Zjarrit! Kërkoj mbrojtjen e Allahut kundrejt Zjarrit!” Atëherë një melek tjetër na takoi dhe më tha: “Mos u frikëso!” Këtë ëndërr ia rrëfeva Hafsës.”
3739. Nga: Abdullah ibn Omeri
Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Hafsa ia rrëfeu ëndrrën time Pejgamberit ﷺ, i cili tha: “Sa njeri i mirë është Abdullahu, veç edhe të falej natën!”
Salimi tregon: “Pas kësaj Abdullahu flinte shumë pak natën.”
3740. Nga: Abdullah ibn Omeri
3740, 3741. Jahja ibn Sulejmani na ka thënë: Na ka treguar Ibn Vehbiu, e ky nga Junusi, e ky nga Zuhriu, e ky nga Salimi se Ibn Omeri transmeton se Hafsa (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) i kishte treguar se Pejgamberi ﷺ i ka thënë asaj: “Abdullahu është njeri i mirë.”
3741. Nga: Abdullah ibn Omeri
3740, 3741
20. Nënkapitulli: Virtytet e Amarit dhe Hudhejfes, Allahu qoftë i kënaqur me ta!
3742. Nga: Ebu Derdai
Malik ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Israili, e ky nga Mugire, e ky nga Ibrahimi se Alkame tregon: “Shkova në Sham, i fala dy rekate, pastaj thashë: “O Allah, më lehtëso një shoqërues të mirë.” Shkova te disa njerëz, te të cilët u ula, kur ja, një plak erdhi dhe u ul pranë meje.” Pyeta: “Kush është ky?”
- Ebu Derdai, - u përgjigjën.
I thashë atij: “E kam lutur Allahun të më lehtësojë një shoqërues të mirë. Ai të solli ty.”
- Prej nga je? - më pyeti.
- Prej Kufes, - i thashë.
- A nuk është Ibn Umu Abdi në mesin tuaj, bartësi i dy nallave, jastëkut dhe enës për pastrim (të Pejgamberit ﷺ)? Në mesin tuaj e keni atë që Allahu e ka mbrojtur prej shejtanit, - me gjuhën e Pejgamberit ﷺ, - (aludonte në Amarin)? A nuk është në mesin tuaj edhe ai që i di sekretet e Pejgamberit ﷺ, që nuk i di askush tjetër? - pyeti Ebu Derdai. Pastaj vazhdoi: “Si e lexon Abdullah ibn Mesudi ajetin: “Betohem në natën që me errësirë mbulon gjithësinë!” (Lejl, 1)? Unë ia lexova: “Betohem në natën që me errësirë mbulon gjithësinë! Betohem në ditën që agon! Betohem në Atë që ka krijuar mashkullin dhe femrën!” (Lejl, 1-3) Ai tha: “Betohem në Allahun se i Dërguari i Allahut ﷺ ma ka lexuar gojë më gojë.”
3743. Nga: Ebu Derdai
Sulejman ibn Harbi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Mugire se Ibrahim Nehaiu tregon: “Alkame shkoi në Sham dhe, kur hyri në xhami, tha: “O Allah, më lehtëso një shoqërues të mirë!” Kështu, u ul pranë Ebu Derdait, i cili e pyeti: “Prej nga je?”
- Prej Kufes, - iu përgjigj Alkame.
- A nuk është te ju ai që i di sekretet e Pejgamberit ﷺ, të cilat nuk i di askush tjetër? - pyeti Ebu Derdai, duke aluduar në Hudhejfën.
- Po, - iu përgjigj ai.
- A nuk është në mesin tuaj ai që Allahu e ka mbrojtur prej shejtanit, nëpërmjet gjuhës së Pejgamberit ﷺ? - pyeti Ebu Derdai, duke aluduar në Amarin.
- Po, - u përgjigj Alkame.
- A nuk është te ju bartësi i misvakut, jastëkut dhe fshehtësive (të Pejgamberit ﷺ)? - pyeti sërish Ebu Derdai.
- Po, - u përgjigj Alkame.
- Si e lexonte Abdullah ibn Mesudi ajetin: “Betohem në natën që me errësirë mbulon gjithësinë! Betohem në ditën që agon!” (Lejl, 1-2) - pyeti Ebu Derdai.
- “Betohem në Atë që ka krijuar mashkullin dhe femrën!” (Lejl, 3) - lexoi Alkame.
Ebu Derdai vazhdoi: “Këta vazhdimisht më bënë presion, saqë pothuajse më detyruan të braktis atë që e kam dëgjuar prej të Dërguarit të Allahut ﷺ (mënyrën e leximit të këtyre ajeteve).”
21. Nënkapitulli: Virtytet e Ebu Ubejde ibn Xherrahut, Allahu qoftë i kënaqur me të
3744. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Amër ibn Aliu na ka thënë: Na ka treguar Abdulala, e këtij i ka treguar Halidi, e ky nga Ebu Kilabe se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Çdo umet ka nga një besnik, ndërkohë besniku ynë, o umeti im, është Ebu Ubejde ibn Xherrahu.”
3745. Nga: Hudhejfe ibn Jemani
Muslim ibn Ibrahimi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Ebu Is'haku, e ky nga Silehu se Hudhejfe (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ u ka thënë banorëve të Nexhranit: “Do t'ju dërgoj një besnik të vërtetë.” Shokët e tij e lakmonin këtë (për veten e tyre), por ai e dërgoi Ebu Ubejdën.
Nënkapitulli: Përmendja e Musab ibn Umejrit
22. Nënkapitulli: Virtytet e Hasenit dhe Husejnit, Allahu qoftë i kënaqur me ta!
Nafi ibn Xhubejri transmeton nga Ebu Hurejra se ka thënë: "Pejgamberi ﷺ e përqafoi Hasenin."
3746. Nga: Ebu Bekrete
Sadaka na ka thënë: Na ka treguar Ibn Ujejne, e këtij i ka treguar Ebu Musai, e ky nga Haseni se Ebu Bekrete (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “E kam dëgjuar Pejgamberin ﷺ teksa ishte në minber, me Hasenin anash, herë kthehej nga njerëzit, herë nga ai, e u thoshte: “Ky biri im është zotëri. Shpresoj që Allahu nëpërmjet tij t'i pajtojë dy grupe të mëdha muslimanësh.”
3747. Nga: Usame ibn Zejdi
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Muëtemiri, e ky e ka dëgjuar babanë e tij, e këtij i ka treguar Ebu Othmani se Usame ibn Zejdi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ e merrte atë dhe Hasenin në krahë, pastaj thoshte: “O Allah, unë i dua këta dy, andaj duaji edhe Ti.”
3748. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Muhamed ibn Husejn ibn Ibrahimi më ka thënë: Më ka treguar Husejn ibn Muhamedi, e këtij i ka treguar Xheriri, e ky nga Muhamedi se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ubejdullah ibn Zijadit ia sollën kokën e Husejnit, të vendosur në një enë, ndërsa ai e prekte me shkop dhe tha diçka për bukurinë e tij.” Enesi thotë: “Ai më së shumti i përngjante Pejgamberit ﷺ (nga familja e tij). Husejni kishte lyer flokët dhe mjekrën me vesmeh (bojë).”
Referenca: Sahihu i Buhariut 3748
Fjalë të panjohura?
3749. Nga: Bera ibn Azibi
Haxhaxh ibn Minhali na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e këtij i ka rrëfyer Adiu se Berai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “E kam parë Pejgamberin ﷺ me Hasen ibn Aliun në krah dhe thoshte: “O Allah, unë e dua këtë, andaj duaje edhe Ti.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 3749
Fjalë të panjohura?
3750. Nga: Ukbe ibn Harith Nufejliu
Abdani na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Omer ibn Seid ibn Ebu Husejni, e ky nga Ibn Ebu Mulejke se Ukbe ibn Harithi tregon: “E kam parë Ebu Bekrin me Hasenin në krah duke thënë: “Me babë kurban t'u bëfsha! Ti i ngjake Pejgamberit ﷺ, e jo Aliut.” Ndërkohë, Aliu qeshte.”
3751. Nga: Ebu Bekër Sidiku
Jahja ibn Maini dhe Sadaka më kanë thënë: Na ka rrëfyer Muhamed ibn Xhaferi, e ky nga Shuëbe, e ky nga Vakid ibn Muhamedi, e ky nga babai i tij, e ky nga Ibn Omeri se Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Respektojeni Muhamedin ﷺ duke ia respektuar familjen e tij.”
3752. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Ibrahim ibn Musa më ka thënë: Na ka rrëfyer Hisham ibn Jusufi, e ky nga Mameri, e ky nga Zuhriu, e ky nga Enesi. [t]: Abdurrezaku na ka thënë: Na ka rrëfyer Mameri, e ky nga Zuhriu se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Askush nuk i përngjante Pejgamberit ﷺ më shumë se Hasen ibn Aliu.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 3752
Fjalë të panjohura?
3753. Nga: Abdullah ibn Omeri
Muhamed ibn Beshari më ka thënë: Na ka treguar Gunderi, e këtij i ka treguar Shuëbe, e ky nga Muhamed ibn Ebu Jakubi se Ibn Ebu Numiu tregon se dikush e pyeti Abdullah ibn Omerin (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) në lidhje me muhrimin, nëse mbyt ndonjë mizë. Ai tha: “Banorët e Irakut po pyesin për mizën, ndërkohë pikërisht ata e kanë mbytur djalin e vajzës së të Dërguarit të Allahut ﷺ. Ndërkaq, Pejgamberi ﷺ (për Hasenin dhe Husejnin) ka thënë: “Ata dy janë borzilokët e mi të kësaj bote.”
23. Nënkapitulli: Virtytet e Bilal ibn Ebu Rebahut, të çrobëruarit të Ebu Bekrit, Allahu qoftë i kënaqur me ta!
Pejgamberi ﷺ ka thënë: “I kam dëgjuar trokëllimat e nallaneve të tua (o Bilal) përpara meje në Xhenet.”
3754. Nga: Omer ibn Hatabi
Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Abdulaziz ibn Ebu Seleme, e ky nga Muhamed ibn Munkediri e ky nga Xhabir bin Abdullahu se Omer ibn Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thoshte: “Ebu Bekri është zotëria ynë dhe e ka liruar zotërinë tonë”, - aludonte në Bilalin.
Referenca: Sahihu i Buhariut 3754
Fjalë të panjohura?
3755. Nga: Kajs ibn Sad Ensariu
Ibn Numejri transmeton nga Muhamed ibn Ubejdi, e këtij i ka treguar Ismaili se Kajsi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Bilali i tha Ebu Bekrit: “Nëse më ke blerë për vete, më mbaj, por, nëse më ke blerë për Allahun, atëherë më lër të punoj për Allahun.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 3755
Fjalë të panjohura?
24. Nënkapitulli: Përmendja e Ibn Abasit, Allahu qoftë i kënaqur me ta!
3756. Nga: Abdullah ibn Abasi
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Abdulvarithi, e ky nga Halidi, e ky nga Ikrime se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Pejgamberi ﷺ më përqafoi duke thënë: “O Allah, mësoja urtësinë!”
Ebu Mameri na ka thënë: “Na ka treguar Abdulvarithi dhe ka shtuar: “... mësoja Librin!”
Musai na ka thënë: “Njëjtë na ka treguar Vuhejbi nga Halidi. Urtësi do të thotë t'ia qëllosh së saktës pa qenë pejgamber.”
25. Nënkapitulli: Virtytet e Halid ibn Velidit, Allahu qoftë i kënaqur me të!
3757. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Ahmed ibn Vakidi na ka thënë: Na ka treguar Hamad ibn Zejdi, e ky nga Ejubi, e ky nga Humejd ibn Hilali se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ i lajmëroi njerëzit për vdekjen e Zejdit, Xhaferit dhe Ibn Revahës, para se të vinte lajmi për vdekjen e tyre, duke thënë: “Zejdi e mori flamurin dhe u vra. Pas tij e mori Xhaferi dhe u vra. Pastaj e mori Ibn Revaha dhe u vra, - ndërkohë, sytë i lotonin. - Më pas atë e mori një shpatë prej shpatave të Allahut dhe Allahu ua dha fitoren.”
26. Nënkapitulli: Virtytet e Salimit, të çrobëruarit të Ebu Hudhejfës, Allahu qoftë i kënaqur me të!
3758. Nga: Abdullah ibn Amër ibn Asi
Sulejman ibn Harbi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Amër ibn Murra, e ky nga Ibrahimi se Mesruku tregon: “Abdullah ibn Mesudi u përmend në prani të Abdullah ibn Amrit (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili tha: “Këtë njeri e dua që kur e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: “Mësojeni Kuranin prej (këtyre) katër personave:
1. Abdullah ibn Mesudit, - filloi me të, -
2. Salimit, të çrobëruarit të Ebu Hudhejfës,
3. Ubej ibn Kabit dhe
4. Muadh ibn Xhebelit.” Pastaj tha: “Nuk di a e përmendi Ubejin përpara apo Muadhin.”
27. Nënkapitulli: Virtytet e Abdullah ibn Mesudit, Allahu qoftë i kënaqur me të!
3759. Nga: Abdullah ibn Amër ibn Asi
Hafs ibn Omeri na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Sulejmani, e ky e ka dëgjuar Ebu Vailin, e ky e ka dëgjuar Mesrukun se Abdullah ibn Amri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “I Dërguari i Allahut ﷺ nuk ka qenë vulgar në të folur e as në sjellje.” Ai thoshte: “Më i dashuri në mesin tuaj tek unë është ai që ka moralin më të mirë.”
3760. Nga: Abdullah ibn Amër ibn Asi
Po ashtu thoshte: “Mësojeni Kuranin prej (këtyre) katër personave:
1. Abdullah ibn Mesudit,
2. Salimit, të çrobëruarit të Ebu Hudhejfës,
3. Ubej ibn Kabit dhe
4. Muadh ibn Xhebelit.”
3761. Nga: Ebu Derdai
Musai transmeton nga Ebu Avane, e ky nga Mugire, e ky nga Ibrahimi se Alkame tregon: “Shkova në Sham, i fala dy rekate dhe thashë: “O Allah, më lehtëso një shoqërues të mirë!” Kështu, pashë një plak duke ardhur dhe, kur u afrua, thashë: “Shpresoj se Allahu m'u përgjigj (në lutjen time).” Ai më pyeti: “Prej nga je?”
- Prej Kufes, - iu përgjigja.
- A nuk është në mesin tuaj bartësi i dy nallave, jastëkut dhe enës për pastrim (të Pejgamberit ﷺ)? A nuk është në mesin tuaj ai që është i mbrojtur prej shejtanit? A nuk është në mesin tuaj ai që i di sekretet (e Pejgamberit ﷺ), të cilat nuk i di askush tjetër? - pyeti Ebu Derdai. Pastaj vazhdoi: - Si e lexon Ibn Umu Abdi (Abdullah ibn Mesudi) ajetin: “Betohem në natën...!” (Lejl, 1)
Unë ia lexova: “Betohem në natën që me errësirë mbulon gjithësinë! Betohem në ditën kur ajo shkrep! Betohem në Atë që ka krijuar mashkullin dhe femrën!” (Lejl, 1-3) Ai tha: “Pejgamberi ﷺ ma ka lexuar atë gojë me gojë, ndërkohë ata vazhdimisht më bëjnë presion, saqë pothuajse më detyruan të braktis atë (leximin siç e kam dëgjuar prej Pejgamberit ﷺ).”
3762. Nga: Abdurrahman ibn Jezidi
Sulejman ibn Harbi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Ebu Is'haku se Abdurrahman ibn Jezidi ka thënë: “E kemi pyetur Hudhejfën për ndokënd që ka sjellje dhe shëmbëlltyrë si të Pejgamberit ﷺ, ashtu që të marrim mësim prej tij.” Ai u përgjigj: “Nuk njoh njeri që ka sjellje, shëmbëlltyrë dhe virtyte si të Pejgamberit ﷺ më shumë sesa Ibn Umu Abdi (Abdullah ibn Mesudi).”
3763. Nga: Ebu Musa Eshariu
Muhamed ibn Alai më ka thënë: Na ka treguar Ibrahim ibn Jusuf ibn Ebu Is'haku, e këtij i ka treguar babai i tij, e këtij Esved bin Jezidi se Ebu Musai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Unë dhe vëllai im erdhëm nga Jemeni (në Medinë) dhe qëndruam për një kohë. Ne mendonim se Abdullah ibn Mesudi ishte njëri nga anëtarët e familjes së Pejgamberit ﷺ, sepse shihnim se ai dhe nëna e tij shkonin shpesh te Pejgamberi ﷺ.”
28. Nënkapitulli: Përmendja e Muaviut, Allahu qoftë i kënaqur me të!
3764. Nga: Abdullah ibn Ebu Mulejke
Hasen ibn Bishri na ka thënë: Na ka treguar Muafa, e ky nga Othman ibn Esvedi se Ibn Ebu Mulejke tregon: “Pas jacisë, Muaviu e fali vitrin një rekat. Aty ishte një rob i liruar i Ibn Abasit, i cili shkoi tek Ibn Abasi (dhe i tregoi).” Ibn Abasi i tha: “Lëre (rehat), sepse ai e ka shoqëruar të Dërguarin e Allahut ﷺ.”
3765. Nga: Abdullah ibn Ebu Mulejke
Ibn Ebu Merjemi na ka thënë: Na ka treguar Nafiu, e ky nga Ibn Omeri se Ibn Ebu Mulejke tregon: “Dikush e pyeti Ibn Abasin: “Çka mendon për prijësin e besimtarëve, Muaviun, i cili e fali vitrin një rekat?” Ai iu përgjigj: “Ai (Muaviu) e kupton mirë fenë.”
3766. Nga: Muavi ibn Ebu Sufjani
Amër ibn Abasi më ka thënë: Na ka treguar Muhamed ibn Xhaferi, e këtij i ka treguar Shuëbe, e ky nga Ebu Tejahu se Humran ibn Ebani tregon se Muaviu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Ne e kemi shoqëruar Pejgamberin ﷺ, por nuk e kemi parë të falë një namaz që ju po e falni tani”, - aludonte në dy rekatet pas ikindisë.
29. Nënkapitulli: Virtytet e Fatimes, Allahu qoftë i kënaqur me të!
Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Fatimja është zonja e grave të Xhenetit.”
3767. Nga: Misver ibn Mahremi
Ebu Velidi na ka thënë: Na ka treguar ibn Ujejne, e ky nga Amër ibn Dinari, e ky nga Ibn Ebu Mulejke se Misver ibn Mahremi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Fatimja është pjesë imja. Andaj, ai që e hidhëron atë, më ka hidhëruar mua.”
30. Nënkapitulli: Vlera e Aishes, Allahu qoftë i kënaqur me të!
3768. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Junusi, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Ebu Seleme se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Një ditë, i Dërguari i Allahut ﷺ më tha: “Oj Aishe, Xhibrili po të bën selam.” Unë i thashë: “Edhe mbi të qoftë paqja, mëshira dhe bekimi i Allahut! Ti sheh gjëra që unë nuk i shoh”, - kishte për qëllim të Dërguarin e Allahut ﷺ.
3769. Nga: Ebu Musa Eshariu
Ademi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe. [t]: Amri na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuëbe, e ky nga i biri i Murrës, Amri, e ky nga Murra se Ebu Musa Eshariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Shumë burra e kanë arritur përsosurinë. Ndërkaq, nga radhët e grave përsosurinë e kanë arritur vetëm Merjemja, e bija e Imranit, dhe Asija, gruaja e Faraonit; e vlera e Aishes kundrejt grave të tjera është sikurse vlera e theridit kundrejt ushqimeve të tjera.”
3770. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Abdulaziz ibn Abdullahu na ka thënë: Më ka treguar Muhamed ibn Xhaferi, e ky nga Abdullah ibn Abdurrahmani se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: "Vlera e Aishes kundrejt grave të tjera është sikurse vlera e theridit kundrejt ushqimeve të tjera.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 3770
Fjalë të panjohura?
3771. Nga: Kasim ibn Muhamed ibn Ebu Bekri
Muhamed ibn Beshari më ka thënë: Na ka treguar Abdulvehab ibn Abdulmexhidi, e këtij i ka treguar Ibn Avni se Kasim ibn Muhamedi tregon: “Kur u sëmur Aishja, Ibn Abasi vajti e i tha: “Oj nëna e besimtarëve, po shkon te të sinqertët, që të kanë paraprirë, tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe Ebu Bekri.”
3772. Nga: Shekik ibn Seleme
Muhamed ibn Beshari na ka thënë: Na ka treguar Gunderi, e këtij i ka treguar Shuëbe, e ky nga Hakemi se Ebu Vaili tregon: “Kur Aliu i dërgoi Amarin dhe Hasenin për në Kufe, që të bëjë thirrje për bashkim, aty foli Amari dhe tha: “Unë e di se ajo (Aishja) është gruaja e Pejgamberit ﷺ, në dynja dhe në ahiret, mirëpo Allahu ju ka vënë në provë se kë do të pasoni: atë (Aliun) apo Aishen.”
3773. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Ubejd ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame, e ky nga Hishami, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se huazoi një gjerdan prej Esmës, që i kishte humbur. Kështu, i Dërguari i Allahut ﷺ dërgoi disa shokë të tij për ta kërkuar. Ndërkohë, ata i zuri koha e namazit pa ujë për abdes, andaj u falën pa abdes. Kur shkuan tek i Dërguari i Allahut ﷺ, iu ankuan për këtë gjë, e në atë rast Allahu e zbriti ajetin e tejemumit.
Usejd ibn Hudajri i tha Aishes: “Allahu të shpërbleftë, sepse, betohem në Allahun se, sa herë që të ka ndodhur diçka, përherë Allahu të ka bërë rrugëdalje dhe në të ka bërë mirësi për të gjithë muslimanët.”
3774. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Ubejd ibn Ismaili më ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame, e ky nga Hishami se Urve ibn Zubejri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur u sëmur i Dërguari i Allahut ﷺ, vazhdoi të shkonte te gratë e tij dhe thoshte: “Ku do të jem nesër? Ku do të jem nesër?” - duke kërkuar shtëpinë e Aishes. Aishja thotë: “E, kur erdhi dita ime, u ndal së pyeturi.”
3775. Nga: Urve ibn Zubejri
Abdullah ibn Abdulvehabi na ka thënë: Na ka treguar Hamadi, e këtij i ka treguar Hishami se Urve ibn Zubejri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se njerëzit i ruanin dhuratat e tyre për ditën e Aishes. Aishja thotë: “Disa nga shemrat e mia u mblodhën tek Umu Seleme dhe thanë: “Oj Umu Seleme, betohemi në Allahun se njerëzit po i ruajnë dhuratat e tyre për ditën e Aishes, e edhe ne i dëshirojmë të mirat siç i dëshiron Aishja.” Kështu, thuaji të Dërguarit të Allahut ﷺ t'u thotë njerëzve që t'ia dhurojnë atij kudo që të jetë, - ose ka thënë: në cilëndo shtëpi që të jetë.”
Umu Seleme tha: “Ia përmenda Pejgamberit ﷺ këtë gjë, por ai më refuzoi. Pastaj, kur sërish erdhi tek unë, ia përmenda për së dyti, por më refuzoi. Kur i thashë për herë të tretë, tha: “Oj Umu Seleme, mos më prek në Aishen! Betohem në Allahun se nuk ka ndodhur që të më vijë shpallja duke qenë në jorgan të ndonjë gruaje, përveç në të Aishes.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 3775
Fjalë të panjohura?