Sahihu i Buhariut — Hadithi 3703
9. Nënkapitulli: Virtytet e Ali ibn Ebu Talib Ebu Hasen Kureshi Hashimiut, Allahu qoftë i kënaqur me të
Pejgamberi ﷺ i ka thënë Aliut: “Ti je pjesë imja dhe unë jam pjesë jotja.” Omeri ka thënë: "I Dërguari i Allahut ﷺ vdiq duke qenë i kënaqur me të (Aliun)."
3703. Nga: Seleme ibn Dinari
Abdullah ibn Mesleme na ka thënë: Na ka treguar Abdulaziz ibn Ebu Hazimi se Seleme ibn Dinari tregon: “Një njeri shkoi te Sehël ibn Sadi dhe tha: “Filani, - prijësi i Medinës, - po e përmend Aliun (me emër përbuzës) në minber.”
- Çfarë thotë? - pyeti Sehli.
- E quan Ebu Turab (babai i dheut), - tha pyetësi.
Sehli qeshi dhe tha: “Betohem në Allahun se kështu e ka quajtur Pejgamberi ﷺ, emër ky i cili njëherazi ka qenë më i dashuri për Aliun. Kërkova prej tij të ma rrëfejë tregimin, duke i thënë: “O Ebu Abas, si ka ngjarë kjo?” Ai tha: “(Një ditë) Aliu hyri te Fatimja, e pastaj doli dhe u shtri në xhami. Pejgamberi ﷺ (shkoi te Fatimja dhe) pyeti: “Ku është djali i axhës tënd?”
- Në xhami, - iu përgjigj Fatimja.
Kështu, ai shkoi tek Aliu dhe pa se i kishte rënë rroba e epërme nga shpina, kurse dheu i ishte ngjitur në shpinë. Pejgamberi ﷺ ia fshiu dheun prej shpinës së tij dhe i tha dy herë: “Ulu, o Ebu Turab (baba i dheut)!”