Sahihu i Buhariut — Hadithi 3704
9. Nënkapitulli: Virtytet e Ali ibn Ebu Talib Ebu Hasen Kureshi Hashimiut, Allahu qoftë i kënaqur me të
Pejgamberi ﷺ i ka thënë Aliut: “Ti je pjesë imja dhe unë jam pjesë jotja.” Omeri ka thënë: "I Dërguari i Allahut ﷺ vdiq duke qenë i kënaqur me të (Aliun)."
3704. Nga: Abdullah ibn Omeri
Muhamed ibn Rafi na ka thënë: Na ka treguar Husejni, e ky nga Zaide, e ky nga Ebu Hasini se Sad ibn Ubejde tregon: “Një njeri shkoi tek Ibn Omeri dhe e pyeti për Othmanin, i cili ia numëroi të mirat e tij dhe i tha: “A të dhemb kjo?”
- Po, - ia ktheu.
- Allahu të turpëroftë! - i tha Ibn Omeri.
Më pas ai e pyeti për Aliun, ndërsa Ibn Omeri ia numëroi të mirat e tij dhe tha: “Ja, ajo është shtëpia e tij, në mes të shtëpive të Pejgamberit ﷺ.” Pastaj e pyeti duke i thënë: “A të dhemb edhe kjo?”
- Po, - tha ai.
- Allahu të turpëroftë! Hiqmu sysh e fol ç'të duash, - i tha Ibn Omeri.”