Sahihu i Buhariut — Hadithi 371
12. Nënkapitulli: Mendimet e dhëna rreth dispozitës së zbulimit të kofshëve
Transmetohet nga Ibn Abasi, Xherhedi e Muhamed ibn Xhahshiu se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kofsha konsiderohet avret.” Enesi ka thënë: "Pejgamberi ﷺ e pati zbuluar kofshën e tij. Hadithi i Enesit është më i saktë, kurse ai i Xherhedit është më i sigurtë, në mënyrë që t’i shmangemi mospajtimit të dijetarëve (rreth kësaj çështje)." Ebu Musai tregon: "Pejgamberi ﷺ i pati mbuluar gjunjët momentin që pati hyrë Othmani." Zejd ibn Thabiti ka thënë: "Allahu i Madhërishëm ia zbriti shpalljen të Dërguarit të Allahut ﷺ, ndërkohë kofsha e tij ishte mbi kofshën time. Ai u rëndua aq shumë, saqë u frikësova se do të më dërrmohej kofsha ime."
371. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Jakub ibn Ibrahimi na ka thënë: Na ka treguar Ismail ibn Uleje, e këtij i ka treguar Abdulaziz ibn Suhejbi se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se në Betejën e Hajberit namazin e sabahut e falën së bashku me Pejgamberin ﷺ në fillim të agimit. Pejgamberi ﷺ hipi mbi kafshë, e po ashtu hipi edhe Ebu Talhai, kurse unë isha mbrapa Ebu Talhait. Pejgamberi ﷺ shpejtoi (me kafshën e tij) drejt një rruge të ngushtë nëpërmjet rrugicave të Hajberit, saqë gjuri im prekte kofshën e tij. Ai e zbuloi kofshën e vet, madje mund t'i shihja bardhësinë e kofshës së Pejgamberit ﷺ. Pasi hyri në fshat, thirri tri herë: “Allahu ekber! U mposht Hajberi! Kur ne zbresim në mejdanin e një populli, sa mëngjes të shëmtuar gdhijnë ata që janë paralajmëruar!”
Kur populli doli për punët e tyre (dhe e panë ushtrinë), filluan të thërrasin: “Muhamedi!” Abdulazizi ka thënë: “Disa transmetues kanë shtuar: “Me ushtri!” Pra, e çliruam me luftë.
I mblodhëm robërit, kurse Dihjai tha: “O i Dërguari i Allahut! Më jep një robëreshë!”
Pejgamberi ﷺ i tha: “Shko merr një.” Kështu, ai e mori Safije bint Hujejin. Një burrë erdhi te Pejgamberi ﷺ dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut! Dihjait ia ke dhënë Safije bint Hujejin, zonjën e fisit kurejdha dhe nadir? Atë nuk e meriton askush përveç teje.”
Pejgamberi ﷺ tha: “Thirrini të dy.”
Dihjai erdhi me Safijen, kurse Pejgamberi ﷺ e shikoi e tha: Merr një robëreshë tjetër.
Pejgamberi ﷺ e liroi Safijen dhe u martua me të.
Thabiti (transmetuesi pas Enesit) e pyeti: “O Ebu Hamza! Çfarë i dha për mehër?” Ai tha: “(Ajo qe vetë mehri për) veten e saj. E liroi dhe u martua me të.” Gjatë rrugës, Umu Sulejmi e përgatiti dhe ia dorëzoi në mbrëmje. Pejgamberi ﷺ u bë dhëndër e tha: “Ai që ka diçka (ushqim), le ta sjellë.” I shtruan ca bohçe dhe disa sollën hurma, disa të tjerë gjalpë. (Abdulazizi ka thënë: Enesi) më duket se e ka përmedur edhe qullin. Me to përgatitën një kombinim ushqimesh dhe me këtë u kremtua martesa e Pejgamberit ﷺ.”