Sahihu i Buhariut — Hadithi 3717
13. Nënkapitulli: Virtytet e Zubejr ibn Avamit, Allahu qoftë i kënaqur me të!
Ibn Abasi ka thënë: "Ai është havariu (ndihmëtari) i Pejgamberit ﷺ. Havarinjtë u quajtën kështu për shkak të rrobave të tyre të bardha."
3717. Nga: Mervan ibn Hakemi
Halid ibn Mahledi na ka thënë: Na ka treguar Ali ibn Mus'hiri, e ky nga Hisham ibn Urve, e ky nga babai i tij se Mervan ibn Hakemi tregon: “Vitin që u përhap sëmundja e gjakderdhjes nga hunda, edhe Othman ibn Afani u prek nga kjo sëmundje, saqë nuk e la të kryente haxhin. Kështu, ai e shkroi testamentin e vet. Një burrë kurejsh shkoi dhe tha: “Lër testament për halif!”
- A edhe njerëzit thonë kështu? - pyeti Othmani.
- Po, - u përgjigj.
- Për kë është fjala? - pyeti Othmani, por bashkëfolësi heshti.
Pastaj, shkoi një tjetër, - mendoj që ishte Harithi, - i cili i tha:
- Lër testament për halif!”
- A edhe njerëzit thonë kështu? - pyeti Othmani.
- Po, - u përgjigj.
- Për kë është fjala? - pyeti Othmani, por edhe ai heshti.
- Mbase thonë për Zubejrin, - tha Othmani.
- Po, - tha ai.
- Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, se ai është më i miri prej tyre, sa e di unë, dhe është më i dashuri tek i Dërguari i Allahut ﷺ, - tha Othmani.”