Sahihu i Buhariut — Hadithi 378
18. Nënkapitulli: Të falurit e namazit mbi tarracë, minber ose dërrasë
Ebu Abdullahu (Buhariu) thotë: "Haseni nuk e konsideronte problematike nëse dikush falet mbi akull ose mbi urë, edhe nëse urina qarkullon nën, mbi ose para saj, përderisa ka pengesë mes tyre. Ebu Hurejra ka falur namaz (me xhemat) duke qenë mbi kulm të xhamisë, kurse imami ishte brenda në xhami. Ibn Omeri është falur në borë."
378. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Muhamed ibn Abdurrahimi na ka thënë: Na ka treguar Jezid ibn Haruni, e këtij i ka rrëfyer Humejd Tavili se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ u rrëzua nga kali, rrjedhimisht iu shqye kërciri ose shpatulla. Ai u betua se nuk do t'u afrohej grave të veta për një muaj rresht, prandaj qëndronte në qilarin e tij, shkallët e të cilit ishin të punuara prej trungut të palmës.
Një ditë, i vajtën shokët për ta vizituar dhe, kur u fal me ta, qëndroi i ulur gjatë namazit (për shkak të plagës), kurse ata qëndronin në këmbë. Pasi e kreu, tha: “Imami duhet pasuar: kur ai të marrë tekbirin, merrni edhe ju; kur të bjerë në ruku, bini edhe ju; e, kur të bjerë në sexhde, bini edhe ju. Nëse falet në këmbë, ashtu faluni edhe ju.”
Në ditën e njëzetenëntë e braktisi qilarin (iu kthye grave të tij), andaj disa i thanë: “O i Dërguari i Allahut, je betuar se nuk do t'u afrohesh një muaj rresht (porse zbrite në ditën e njëzetenëntë)?!”
Ai tha: “Muaji është njëzet e nëntë ditë.”