Sahihu i Buhariut — Hadithi 3780
3. Nënkapitulli: Vëllazërimi që Pejgamberi ﷺ bëri mes muhaxhirëve dhe ensarëve
3780. Nga: Abdurrahman ibn Aufi
Ismail ibn Abdullahu na ka thënë: Më ka treguar Ibrahim ibn Sadi, e ky nga babai i tij se Abdurrahman ibn Aufi tregon: “Kur muhaxhirët erdhën në Medinë, i Dërguari i Allahut ﷺ e vëllazëroi Abdurrahman ibn Aufin me Sad ibn Rabiun, i cili i tha Abdurrahmanit:
- Unë jam më i pasuri i ensarëve, andaj po e ndaj gjysmën e pasurisë. I kam dy gra, shiko cila prej tyre të pëlqen dhe më trego, unë do ta lëshoj e, pasi të përfundojë koha e pritjes, martohu me të.
- Allahu të begatoftë në familjen dhe pasurinë tënde! Më trego ku është tregu, - i tha Abdurrahmani.
Kështu, ata e drejtuan për te tregu i fisit benu kajnuka. Kur u kthye nga tregu, kishte pak gjizë e gjalpë dhe kështu vazhdoi së frekuentuari tregun. Një ditë erdhi dhe kishte gjurmë të verdha parfumi. Pejgamberi ﷺ e pyeti:
- “Çfarë ka ndodhur?”
- Jam martuar, - tha Abdurrahmani.
- “Çfarë i dhe për mehër?”
- Ar sa bërthama e hurmës. - Ose ka thënë: - Sa pesha e një bërthame të hurmës, - Ibrahimi është në mëdyshje (se cilën fjalë e ka thënë.)