Sahihu i Buhariut — Hadithi 3827

24. Nënkapitulli: Tregimi i Zejd ibn Amër ibn Nufejlit, Allahu qoftë i kënaqur me të!

3827. Nga: Abdullah ibn Omeri

Musai na ka thënë: Më ka treguar Salim ibn Abdullahu, të cilit jam i bindur se i është thënë se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Zejd ibn Amër ibn Nufejli vajti në Sham, për ta kërkuar dhe për ta pasuar fenë e vërtetë. Atje takoi një dijetar hebre, të cilin e pyeti për fenë e tyre, e ai i tha:

- Tregomë për fenë tuaj, që unë ta pasoj atë.

- Nuk mund të hysh në fenë tonë, pa marrë një pjesë të hidhërimit të Allahut, - iu përgjigj ai.

- Unë prej hidhërimit të Allahut jam duke ikur. Aspak nuk mund të përballoj hidhërimin e Tij, ndërkohë unë mund ta evitoj atë. A më drejton në diçka tjetër? - pyeti Zejdi.

- Nuk di diçka tjetër, përpos fesë së natyrshmërisë, - tha hebreu.

- Ç'është feja e natyrshmërisë? - pyeti Zejdi.

- Feja e Ibrahimit, i cili nuk ka qenë as hebre, as i krishterë dhe nuk adhuronte askënd përpos Allahut, - tha ai.

Kështu, Zejdi vazhdoi rrugëtimin derisa takoi një dijetar të krishterë dhe e pyeti për të njëjtat gjëra.

- Nuk mund të hysh në fenë tonë, pa marrë një pjesë të mallkimit të Allahut, - iu përgjigj i krishteri.

- Unë prej mallkimit të Allahut jam duke ikur. Aspak nuk mund të përballoj mallkimin e as hidhërimin e Tij, ndërkohë unë mund ta evitoj atë! A më drejton në diçka tjetër? - tha Zejdi.

- Nuk di diçka tjetër, përpos fesë së natyrshmërisë, - tha ai.

- Ç'është feja e natyrshmërisë?, - pyeti Zejdi.

- Feja e Ibrahimit, i cili nuk ka qenë as hebre, as i krishterë dhe nuk adhuronte askënd përpos Allahut, - tha ai.

Kur Zejdi i dëgjoi fjalët e tyre për Ibrahimin ﷺ, u largua dhe, pasi u vetmua, i ngriti duart dhe u lut: “O Allah, të kam dëshmitar se unë jam në fenë e Ibrahimit.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 3827

Fjalë të panjohura?