Sahihu i Buhariut — Hadithi 3835

26. Nënkapitulli: Periudha paraislame

3835. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Ferve ibn Ebu Magrai më ka thënë: Na ka rrëfyer Ali ibn Mus'hiri, e ky nga Hishami, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një robëreshë zezake e disa arabëve e pranoi Islamin. Ajo kishte një shtëpi të vogël brenda xhamisë dhe, nganjëherë, vinte e bisedonte me mua. Mirëpo, sa herë që mbaronte bisedën, i recitonte këto vargje:

"Ditën e shallit, Zoti ynë më mrekulloi,

Kur nga vendi i mosbesimit Ai më shpëtoi.”

Meqë e recitonte shpesh, Aishja e pyeti: “Ç'është dita e shallit?” Kështu, ajo i rrëfeu: “Një ditë, një vajzë e vogël e familjes së pronarëve të mi, doli e veshur me një shall lëkure, i cili i ra papritmas. Një gjeraqinë, duke menduar se ishte copë mishi, u ul dhe e rrëmbeu. (Familjarët dolën për ta kërkuar, por nuk e gjetën.) Kështu, më akuzuan mua për të dhe më munduan aq shumë, saqë më kontrolluan edhe në organin gjenital. Teksa qëndronin pranë meje dhe unë kisha hallin tim, gjeraqina erdhi sërish, u afrua në kokat tona dhe e hodhi shallin. Kështu, ata e morën shallin. Unë u thashë: “Ja ku është ajo për të cilën më akuzonit, ndërkohë unë isha e pafajshme.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 3835

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?