Sahihu i Buhariut — Hadithi 3904

45. Nënkapitulli: Hixhreti i Pejgamberit ﷺ dhe shokëve të tij në Medinë

Abdullah ibn Zejdi dhe Ebu Hurejra tregojnë se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Sikur të mos ishte hixhreti, do të isha një prej ensararëve.” Ebu Musai transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kam parë ëndërr se po shpërngulem nga Meka në një krahinë me palma hurmash. Mendja më shkoi te Jemama dhe Hexheri, por doli të ishte Medina, Jethribi (i asaj kohe).”

3904. Nga: Ebu Seid Hudriu

Ismail ibn Abdullahu na ka thënë: Më ka treguar Maliku, e ky nga Ebu Nadri, i çrobëruari i Omer ibn Ubejdullahut, e ky nga Ubejd ibn Hunejni se Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ u ul në minber dhe tha: “Allahu i Lartësuar i ofroi një robi të zgjedhë nëse dëshiron që Ai t'i japë prej mirësive të dynjasë çfarë të dojë ky ose të zgjedhë ato që gjenden tek Ai. Robi zgjodhi atë që gjendet tek Allahu.” Ebu Bekri zuri të qajë dhe tha: “Kurban t'u bëfshim me babë e nënë!” Ndërkohë, ne u çuditëm me të. Disa njerëz thanë: “Shikojeni këtë plak, i Dërguari i Allahut ﷺ po na tregon se Allahu i paska ofruar një robi të zgjedhë nëse dëshiron që Ai t'i japë prej mirësive të dynjasë çfarë të dojë ky ose të zgjedhë ato që gjenden tek Ai, ndërsa ky thotë: “Kurban t'u bëfshim me babë e nënë!” Robi në fjalë ishte vetë Pejgamberi ﷺ, ndërsa Ebu Bekri ishte më i dituri në mesin tonë (dhe e kuptoi këtë gjë).

I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë për të: “Njeriu më besnik ndaj meje, në shoqërim dhe pasuri, është Ebu Bekri. Sikur të zgjidhja dikë prej umetit tim për mik të ngushtë, do ta zgjidhja Ebu Bekrin. Mirëpo, dashuria islame është më parësore. Të mos mbetet asnjë deriçkë përreth xhamisë pa u mbyllur, përveç asaj të Ebu Bekrit.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 3904

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?