Sahihu i Buhariut — Hadithi 3913

45. Nënkapitulli: Hixhreti i Pejgamberit ﷺ dhe shokëve të tij në Medinë

Abdullah ibn Zejdi dhe Ebu Hurejra tregojnë se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Sikur të mos ishte hixhreti, do të isha një prej ensararëve.” Ebu Musai transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kam parë ëndërr se po shpërngulem nga Meka në një krahinë me palma hurmash. Mendja më shkoi te Jemama dhe Hexheri, por doli të ishte Medina, Jethribi (i asaj kohe).”

3913. Nga: Habab ibn Ereti

3913, 3914 - Muhamed ibn Kethiri na ka thënë: Na ka rrëfyer Sufjani, e ky nga Ameshi, e ky nga Ebu Vaili, e ky nga Hababi se ka thënë: Bëmë hixhret me të Dërguarin e Allahut ﷺ; [t]: Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahjai nga Ameshi, e ky e ka dëgjuar Shekik ibn Selemen se Hababi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Me të Dërguarin e Allahut ﷺ kemi bërë hixhret duke synuar Fytyrën e Allahut dhe shpërblimi ynë ka mbetur tek Allahu. Dikush prej nesh tashmë ka vdekur, pa e gëzuar aspak shpërblimin e tij (në këtë botë). Bie fjala, Musab ibn Umejri, i cili u vra ditën e Uhudit, ndërkohë nuk gjenim me se ta qefinosnim, përveç një rrobe me të cilën, kur ia mbulonim kokën, i zbuloheshin këmbët, e kur ia mbulonim këmbët, i zbulohej koka. Pejgamberi ﷺ na pati urdhëruar që kokën t'ia mbulonim me të, kurse këmbëve t'u hidhnim idhhir. Ndërkaq, disa të tjerëve u janë pjekur frutat dhe po i vjelin.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 3913

Hadithe të ngjashme: Shiko (8)

Fjalë të panjohura?