Sahihu i Buhariut — Hadithi 3915

45. Nënkapitulli: Hixhreti i Pejgamberit ﷺ dhe shokëve të tij në Medinë

Abdullah ibn Zejdi dhe Ebu Hurejra tregojnë se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Sikur të mos ishte hixhreti, do të isha një prej ensararëve.” Ebu Musai transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kam parë ëndërr se po shpërngulem nga Meka në një krahinë me palma hurmash. Mendja më shkoi te Jemama dhe Hexheri, por doli të ishte Medina, Jethribi (i asaj kohe).”

3915. Nga: Ebu Burde ibn Ebu Musa

Jahja ibn Bishri na ka thënë: Na ka treguar Revhu, e këtij i ka treguar Aufi, e ky nga Muavi ibn Kurra se Ebu Burde ibn Ebu Musa Eshariu tregon: “Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) më ka thënë: “Vallë, e di çfarë i ka thënë babai im babait tënd?” Iu përgjigja: “Jo.” Ai vazhdoi: “Babai im i ka thënë babait tënd: “O Ebu Musa, a je i lumtur për Islamin tonë me të Dërguarin e Allahut ﷺ, për hixhretin, për xhihadin dhe për çdo vepër tonën bashkë me të, shpërblimi i të cilave na është shkruar, pastaj çdo vepër që e kemi bërë pas tij, të kemi shpëtuar me të, as për ne, as kundër nesh?” Babai yt tha: “Jo, betohem në Allahun, se ne kemi bërë xhihad mbrapa të Dërguarit të Allahut ﷺ, jemi falur, kemi agjëruar, kemi bërë shumë mirësi, shumë njerëz e kanë pranuar Islamin përmes nesh, e ne shpresojmë në shpërblimin e kësaj.” Atëherë babai im i tha: “Unë, betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti i Omerit, do të kisha dashur që të na mbetet ai (shpërblim) dhe çdo gjë që e kemi bërë më pas të mos jetë as për ne, as kundër nesh.” Unë i thashë: “Betohem në Allahun se babai yt është më i mirë se babai im.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 3915

Fjalë të panjohura?