Sahihu i Buhariut — Hadithi 3917
45. Nënkapitulli: Hixhreti i Pejgamberit ﷺ dhe shokëve të tij në Medinë
Abdullah ibn Zejdi dhe Ebu Hurejra tregojnë se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Sikur të mos ishte hixhreti, do të isha një prej ensararëve.” Ebu Musai transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kam parë ëndërr se po shpërngulem nga Meka në një krahinë me palma hurmash. Mendja më shkoi te Jemama dhe Hexheri, por doli të ishte Medina, Jethribi (i asaj kohe).”
3917. Nga: Bera ibn Azibi
Ahmed ibn Othmani na ka thënë: Na ka treguar Shurejh ibn Mesleme, e këtij i ka treguar Ibrahim ibn Jusufi, e ky nga babai i tij, e ky nga Ebu Is'haku se Bera ibn Azibi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ebu Bekri bleu nga Azibi një shalë deveje, andaj shkova bashkë me të për t'ia dërguar. Me të arritur atje, Azibi e pyeti Ebu Bekrin për hixhretin e të Dërguarit të Allahut ﷺ, i cili filloi të rrëfejë ndodhinë e hixhretit: “Kurejshët filluan të na kërkonin, porse ne u nisëm natën (nga Meka), pa fjetur. Kështu, ecëm tërë natën dhe të nesërmen, deri në mesditë. Gjatë rrugës kaluam pranë një shkëmbi që bënte pak hije, prandaj u ndalëm nën të. Të Dërguarit të Allahut ﷺ i shtrova një postiqe timen, në të cilën ai u shtri, ndërsa unë fillova të vëzhgoj përreth. Aty pashë një bari, tek po u grahte deleve në drejtim të shkëmbit duke synuar hijen sikurse ne. E pyeta:
- I kujt je, o djalosh?
- Jam i filanit, - tha ai.
- A ke dele që milet? - e pyeta.
- Po.
- A po na mjel pak qumësht?
- Po.
Kur mori një dele (për ta mjelë), i thashë: “Shkunde pluhurin nga gjinjtë e saj.” Kështu, ai moli pak qumësht, ndërsa unë kisha përgatitur një enë me ujë, të mbuluar me një pëlhurë, për të Dërguarin e Allahut ﷺ. E zbraza ujin në qumësht, derisa u ftoh pjesa e poshtme dhe ia dërgova Pejgamberit ﷺ e i thashë: “Pi, o i Dërguari i Allahut.” Ai piu, derisa unë mbeta i kënaqur, pastaj vazhduam rrugën, ndërkohë njerëzit vazhdonin të na kërkonin.”