Sahihu i Buhariut — Hadithi 3923

45. Nënkapitulli: Hixhreti i Pejgamberit ﷺ dhe shokëve të tij në Medinë

Abdullah ibn Zejdi dhe Ebu Hurejra tregojnë se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Sikur të mos ishte hixhreti, do të isha një prej ensararëve.” Ebu Musai transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kam parë ëndërr se po shpërngulem nga Meka në një krahinë me palma hurmash. Mendja më shkoi te Jemama dhe Hexheri, por doli të ishte Medina, Jethribi (i asaj kohe).”

3923. Nga: Ebu Seid Hudriu

Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Velid ibn Muslimi, e këtij i ka treguar Evzaiu. Muhamed ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Evzaiu, e këtij i ka treguar Zuhriu, e këtij i ka treguar Ata ibn Jezid Lejthiu se Ebu Seidi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një beduin erdhi dhe e pyeti Pejgamberin ﷺ rreth hixhretit. Pejgamberi ﷺ iu përgjigj:

- “Mjerë ti, hixhreti është i vështirë. Por, a ke deve?”

- Po, - tha ai.

- “E jep zekatin e tyre?”

- Po.

- “A u dhuron njerëzve deve për shfrytëzim?”

- Po.

- “I mjel kur të shkojnë për të pirë?”

- Po.

- “E po, puno, (qoftë) edhe përtej fshatrave, sepse Allahu nuk do të ta humbë mundin aspak”, - i tha Pejgamberi ﷺ.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 3923

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?