Sahihu i Buhariut — Hadithi 3932

46. Nënkapitulli: Ardhja e Pejgamberit ﷺ dhe shokëve të tij në Medinë

3932. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Musededi na ka thënë: Na ka treguar Abdulvarithi. [t]: Is'hak ibn Mensuri na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdusamedi, e ky e ka dëgjuar babanë e tij, e këtij i ka treguar Ebu Tejah Jezid ibn Humejd Dubaiu se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur i Dërguari i Allahut ﷺ erdhi në Medinë, u ndal në një shpat të Medinës, në lagjen që njihej si e benu Amër ibn Aufit. Aty qëndroi katërmbëdhjetë net. Pastaj e thirri fisin benu nexhar, të cilët erdhën të armatosur. Sikur po e shoh tani të Dërguarin e Allahut ﷺ të hipur në deve bashkë me Ebu Bekrin, kurse benu nexharët përreth tij ecnin derisa hynë në oborrin e Ebu Ejubit, ku hoqi shalën e devesë (u ndal). Pejgamberi ﷺ falej kudo që e zinte namazi, falej edhe në torishtë të dhenve, por, më pas, urdhëroi të ndërtohej xhamia. Kështu, i thirri benu nexharët (pronarët e parcelës), të cilëve, pasi erdhën, u tha: “O fisi benu nexhar, ma tregoni çmimin e kopshtit tuaj.” Ata i thanë: “Jo, për Allahun! Nuk kërkojmë shpërblimin e kësaj, përveçse tek Allahu.”

Në atë kopsht ndodheshin varre idhujtarësh, gërmadha dhe pemë hurmash. Pejgamberi ﷺ urdhëroi që varret e idhujtarëve të zhvarroseshin, gërmadhat të rrafshoheshin dhe pemët e hurmave të priteshin. Murin e përparmë të xhamisë e ndërtuan me trupa hurmash, kurse ato anash me gurë. I bartnin gurët dhe recitonin poezi, ndërsa Pejgamberi ﷺ bashkë me ta recitonte:

“O Allah, mirësi e vërtetë është ajo në ahiret,
Andaj, ensarët dhe muhaxhirët ndihmoji krejt!”

Referenca: Sahihu i Buhariut 3932

Hadithe të ngjashme: Shiko (9)

Fjalë të panjohura?