Sahihu i Buhariut — Hadithi 3937

50. Nënkapitulli: Si i vëllazëroi Pejgamberi ﷺ shokët e tij?

Abdurrahman ibn Aufi ka thënë: "Pasi erdhëm në Medinë, Pejgamberi ﷺ më vëllazëroi me Sad ibn Rebian." Ebu Xhuhajfe ka thënë: "Pejgamberi ﷺ e vëllazëroi Selmanin me Ebu Derdain."

3937. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Muhamed ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Humejdi se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur Abdurrahman ibn Aufi erdhi (në Medinë), Pejgamberi ﷺ e vëllazëroi me Sad ibn Rebi Ensariun. Sadi ia afroi gjysmën e pasurisë dhe njërën prej grave të tij.

- Allahu të begatoftë në familjen dhe në pasurinë tënde, por vetëm më drejto te tregu! - i tha Abdurrahmani.

(Kur u kthye prej tregut) Abdurrahmani tanimë kishte fituar pak djathë dhe gjalpë. Pas disa ditësh, Pejgamberi ﷺ e pa Abdurrahmanin tek i vëreheshin gjurmë të verdha parfumi, andaj e pyeti:

- “Ç'është kjo, o Abdurrahman?”

- Jam martuar me një ensare, o i Dërguari i Allahut.

- “Çfarë i dhe për mehër?”

- Ar sa pesha e një bërthame të hurmës.

- “Bëj një gosti, të paktën me një dele”, - i tha Pejgamberi ﷺ.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 3937

Hadithe të ngjashme: Shiko (11)

Fjalë të panjohura?