Sahihu i Buhariut — Hadithi 399

31. Nënkapitulli: Kthimi nga kibla, pavarësisht vendndodhjes

Ebu Hurejra tregon se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Drejtohu nga kibla dhe merr tekbirin.”

399. Nga: Bera ibn Azibi

Abdullah ibn Rexhai na ka thënë: Na ka treguar Israili, e ky nga Ebu Is'haku se Bera ibn Azibi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “I Dërguari i Allahut ﷺ është falur në drejtim të xhamisë së Kudsit për gjashtëmbëdhjetë-shtatëmbëdhjetë muaj rresht. Ai kishte dëshirë të drejtohej nga Qabeja, andaj Allahu ﷻ zbriti ajetin: “Ne të pamë ty (Muhamed) që vazhdimisht drejtoje shikimin nga qielli...” (Bekare, 144) Dhe kështu u drejtua (pas zbritjes së këtij ajeti) nga Qabeja.

Disa mendjelehtë, përkatësisht hebrenjtë, thoshin: “Ç'i ktheu ata prej kiblës së tyre që ishin më parë? “Thuaju: “Të Allahut janë lindja dhe perëndimi. Ai udhëzon kë të dojë në rrugën e drejtë.” (Bekare, 142)

Atë ditë, një burrë u fal së bashku me Pejgamberin ﷺ dhe, kur doli prej namazit, gjatë rrugës, pa një grup ensarësh tek falnin namazin e ikindisë në drejtim të xhamisë së Kudsit. U tregoi se është dëshmitar se sapo ishte falur me të Dërguarin e Allahut ﷺ të drejtuar nga Qabeja. Ata e ndërruan drejtimin e u kthyen nga Qabeja.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 399

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?