Sahihu i Buhariut — Hadithi 40
30. Nënkapitulli: Namazi është prej imanit
Allahu ﷻ ka thënë: “Dijeni se Allahu nuk jua humb imanin tuaj.” (Bekare, 143) Këtu fjala ‘iman’ i referohet namazit që besimtarët kanë falur në drejtim të Aksasë.
40. Nga: Bera ibn Azibi
Amër ibn Halidi na ka thënë: Na ka treguar Zuhejri, e këtij i ka treguar Ebu Is'haku se Berai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur Pejgamberi ﷺ erdhi në Medinë, u ndal te gjyshërit, - ose ka thënë: “te dajat" - e tij ensarë. Namazin e ka falur në drejtim të Aksasë për gjashtëmbëdhjetë-shtatëmbëdhjetë muaj rresht, por dëshironte që Qabeja të ishte kible e tij. Namazi i parë që e ka falur në drejtim të Qabesë ishte ikindia, e bashkë me të janë falur edhe një grup njerëzish. Njëri prej atyre që ishin falur me të doli pas namazit dhe kaloi afër një xhamie dhe, gjatë kohës kur njerëzit ishin në ruku, u tha: “Dëshmoj në Allahun se sapo u fala me të Dërguarin e Allahut në drejtim të Mekës. Me të dëgjuar këtë, ashtu siç qenë, të gjithë u kthyen në drejtim të Qabesë. Hebrenjve dhe ithtarëve të Librit u pëlqente kur Pejgamberi ﷺ falej në drejtim të Aksasë. Ndërkaq, kur filloi të falej në drejtim të Qabesë, filluan ta urrenin këtë gjë.”
Zuhejri ka thënë: “Na ka treguar Ebu Is'haku në transmetimin e tij të hadithit të njëjtë, po ashtu nga Berai, se disa njerëz kanë vdekur dhe para se të ndryshohej kibla, andaj nuk dinim ç'të thoshin për ta. Kështu, Allahu e zbriti ajetin: “... Dijeni se Allahu nuk jua humb besimin tuaj (namazin që keni falur nga Aksaja)...” (Bekare, 143)