Sahihu i Buhariut — Hadithi 401
31. Nënkapitulli: Kthimi nga kibla, pavarësisht vendndodhjes
Ebu Hurejra tregon se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Drejtohu nga kibla dhe merr tekbirin.”
401. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Othmani na ka thënë: Na ka treguar Xheriri, e ky nga Mensuri, e ky nga Ibrahimi, e ky nga Alkame se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ u fal, - Ibrahim Nehaiu thotë: “Shtoi ose la mangët diçka prej namazit, - dhe, pasi e kreu, dikush e pyeti: “O i Dërguari i Allahut! A mos ka ndodhur ndonjë ndryshim përkitazi me namazin?” Ai tha: “Përse, vallë?” I thanë: “I fale kaq e kaq rekate. Ai u ul sërish dhe u drejtua nga kibla, i bëri dy sexhde dhe dha selam. Pasi u kthye nga ne, tha: “Sikur të kishte ndryshuar diçka e namazit, do t'ju kisha treguar, porse unë jam njeri sikurse ju, harroj siç harroni ju. E, nëse ndodh të harroj diçka, më tregoni. Në rast se dikujt prej jush i lindin dyshime në namaz (se ka shtuar ose ka lënë mangët diçka), le të përpiqet të gjejë të saktën dhe le ta vazhdojë namazin me atë bindje. Pasi të japë selam, i bën dy sexhde.”