Sahihu i Buhariut — Hadithi 425
46. Nënkapitulli: Vendfaljet brenda shtëpive
Bera ibn Azibi falej me xhemat në vendfaljen e tij brenda oborrit.
425. Nga: Itban ibn Malik Ensariu
Seid ibn Ufejri na ka thënë: Më ka treguar Lejthiu, e këtij i ka treguar Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Mahmud ibn Rebi Ensariu se Itban ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!), - një prej shokëve të të Dërguarit të Allahut ﷺ që ka marrë pjesë në Luftën e Bedrit nga radhët e ensarëve, - vajti te Pejgamberi ﷺ e i tha: “O i Dërguari i Allahut! Unë e kam shikimin të dobët, ndërkohë i prij popullit tim në namaz. Mirëpo, kur bie shi dhe uji vërshon luginën që gjendet mes meje dhe tyre, nuk mund të shkoj në xhaminë e tyre për t'ua falur namazin. Andaj, kam dëshirë, o i Dërguari i Allahut, të vish tek unë e të falesh në shtëpinë time, që ta shfrytëzoj si vendfalje.” Pejgamberi ﷺ i tha: “Do të vij, inshallah.”
Itbani thotë: “Paradite, pasi dielli ishte ngritur lart, i Dërguari i Allahut ﷺ shkoi së bashku me Ebu Bekrin. I Dërguari i Allahut ﷺ kërkoi leje për të hyrë, e unë i dhashë leje. Me të hyrë në shtëpi, ai nuk u ul, por pyeti: “Në cilën pjesë të shtëpisë dëshiron të falem?” I bëra me shenjë drejt një pjese të shtëpisë. I Dërguari i Allahut ﷺ mori tekbirin për t'u falur, ndërsa ne u rreshtuam mbrapa tij. Pasi i fali dy rekate, dha selam. Pastaj e ndalëm (për të ngrënë), i ofruam një gjellë me mish (që i ngjan gullashit), të cilën e patëm përgatitur enkas për të.
Disa burra të lagjes erdhën dhe u tubuan në shtëpi. Njëri prej tyre tha: “Ku është Malik ibn Duhajshini, - ose ka thënë: “Ibn Duhshuni?” Disa i thanë: “Ai është hipokrit, nuk e do Allahun e as të Dërguarin e Tij. I Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Mos fol ashtu! A nuk e dini se ai thotë “la ilahe il-lallah”, duke dashur me këtë vetëm Fytyrën e Allahut?”
Personi në fjalë tha: “Allahu dhe i Dërguari i Tij ﷺ e dinë më së miri. Ne vazhdimisht e shohim duke ua mbajtur anën hipokritëve dhe duke u këshilluar me ta.”
I Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Allahu ia ka ndaluar Zjarrit atë që thotë “la ilahe il-lallah”, fjalë kjo me të cilën kërkon kënaqësinë e Allahut.”
Ibn Shihabi ka thënë: “Pastaj, e pyeta Husajn ibn Muhamed Ensariun, - i cili ishte nga fisi benu salim, njëherazi nga njerëzit më eminentë të tyre, - për hadithin e Mahmud ibn Rebiut, e ai ma miratoi.”