Sahihu i Buhariut — Hadithi 446

62. Nënkapitulli: Ndërtimi i xhamisë

Ebu Seidi ka thënë: "Çatia e xhamisë ishte e ndërtuar me degë hurme." Omeri ka urdhëruar të ndërtohej xhamia dhe ka thënë: "Mbuloji njerëzit nga shiu dhe mos përdor ngjyrime të kuqe ose të verdha, se mund të shpërqendrohen." Enesi ka thënë: "Krenohen me to, e, në anën tjetër, nuk i frekuentojnë, dhe nuk i gjallërojnë (me adhurim), përveçse pak." Ibn Abasi ka thënë: "Do t’i zbukuroni ato (xhamitë) sikurse çifutët dhe të krishterët (faltoret e tyre)."

446. Nga: Abdullah ibn Omeri

Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Jakub ibn Ibrahimi, e këtij i ka treguar babai i tij, e ky nga Salih ibn Kejsani, e këtij i ka treguar Nafiu se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se në kohën e të Dërguarit të Allahut ﷺ xhamia ka qenë e ndërtuar me tulla, çatia e mbuluar me degë hurme, kurse shtyllat kanë qenë prej trupave të palmës. Ebu Bekri nuk i kishte bërë asnjë aneks ndërtimit të saj, kurse Omeri e kishte zgjeruar duke përdorur materialin e njëjtë sikurse në kohën e të Dërguarit të Allahut ﷺ, me tulla dhe degë hurme, si dhe shtyllat i bëri njëjtë prej drurit. Othmani e kishte ndryshuar duke e zgjeruar në një masë të madhe: muret ia kishte ndërtuar me gurë të gdhendur dhe llaç, shtyllat me gurë të latuar, kurse çatinë me dru të qarrit indian.

Referenca: Sahihu i Buhariut 446

Fjalë të panjohura?