Sahihu i Buhariut — Hadithi 46
34. Nënkapitulli: Zekati është prej Islamit
Allahu i Madhëruar ka thënë: “E megjithatë, ata qenë urdhëruar vetëm që të adhuronin Allahun me përkushtim të sinqertë duke qenë në fenë e pastër (të Ibrahimit ﷺ) si dhe të falnin namazin e të jepnin zekatin. Kjo është feja e drejtë.” (Bejine, 5)
46. Nga: Talha ibn Ubejdullahu
Ismaili na ka thënë: Më ka treguar Malik ibn Enesi nga xhaxhai i tij Ebu Suhejl ibn Maliku, e ky nga babai i tij se Talha ibn Ubejdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Një burrë flokëshprishur, banor i Nexhdit, shkoi tek i Dërguari i Allahut ﷺ. Jehona e zërit të tij dëgjohej, por s'kuptohej çfarë thoshte, derisa u afrua dhe kuptuam se po pyeste për Islamin. I Dërguari i Allahut ﷺ i tha:
- “Ke obligim pesë namaze gjatë ditës dhe natës.”
- A kam obligim diçka tjetër përveç kësaj? - tha ai.
- “Jo, përveç nëse do të shtosh namaze vullnetare”, - i tha Pejgamberi ﷺ.
- “Ke obligim ta agjërosh Ramazanin”, - tha pastaj Pejgamberi ﷺ.
- A kam diçka tjetër përveç kësaj? - e pyeti burri në fjalë.
- “Jo, përveç nëse do të shtosh agjërim vullnetar”, - iu përgjigj Pejgamberi ﷺ.
Pastaj Pejgamberi ﷺ ia përmendi zekatin. Ai ia ktheu:
- A kam diçka tjetër përveç kësaj?
- “Jo, përveç nëse do të japësh vullnetarisht”, - i tha Pejgamberi ﷺ.
Në fund, ky njeri u largua duke thënë: “Betohem në Allahun se, as do të shtoj, as do të pakësoj kurrgjë nga kjo.” Atëherë, Pejgamberi ﷺ tha: “Do të shpëtojë, nëse e ka përnjëmend.”