Sahihu i Buhariut — Hadithi 482
88. Nënkapitulli: Gërshetimi i gishtërinjve brenda dhe jashtë xhamisë
482. Nga: Ebu Hurejra
Is'haku na ka thënë: Na ka treguar Ibn Shumejli, e këtij i ka rrëfyer Ibn Avniu, e ky nga Ibn Sirini se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa i Dërguari i Allahut ﷺ po na falte njërin prej namazeve të ditës, - Ibn Sirini thotë se Ebu Hurejra përmendi njërin prej tyre, mirëpo e kam harruar, - i fali dy rekate e dha selam. U ngrit dhe, disi i zemëruar, shkoi te një cung i shtrirë brenda xhamisë dhe u mbështet në të. E vendosi dorën e djathtë mbi të majtën dhe i gërshetoi gishtërinjtë, ndërsa faqen e djathtë e vendosi në shpinën e dorës së majtë. Ata që nguteshin, dolën prej xhamisë dhe thanë: “Mos është shkurtuar namazi?”
Në mesin e tyre ishte Ebu Bekri dhe Omeri, porse nuk morën guximin ta pyesnin Pejgamberin ﷺ. Mirëpo, një burrë nga turma, që i kishte duart e gjata dhe e quanin Dhuljedejn (Duargjati), tha:
- O i Dërguari i Allahut! A harrove apo u shkurtua namazi?
- “As kam harruar, as është shkurtuar namazi, - tha Pejgamberi ﷺ e vijoi: - A është ashtu siç po thotë Dhuljedejni?” - duke iu drejtuar të tjerëve.
- Po, - i thanë.
Pejgamberi ﷺ u drejtua dhe e fali pjesën që kishte harruar, dha selam, mori tekbirin dhe ra në sexhde, sikurse për sexhden gjatë namazit ose më gjatë, e ngriti kokën duke marrë tekbirin, pastaj sërish ra në sexhde sikurse për sexhden gjatë namazit ose më gjatë dhe u ngrit prej saj me tekbir.
Ibn Sirinin e pyetën: “A ka dhënë selam në fund (pas sexhdeve të harresës)?”
U tha: “Më ka treguar dikush se Imran ibn Husajni ka thënë: “Pastaj ka dhënë selam (në fund).”