Sahihu i Buhariut — Hadithi 484
89. Nënkapitulli: Xhamitë përgjatë rrugës Medinës (-Meke) dhe vendet në të cilat është falur Pejgamberi ﷺ
484. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ibrahim ibn Mundhiri na ka thënë: Na ka treguar Enes ibn Ijadi, e këtij i ka treguar Musa ibn Ukbe, e ky nga Nafiu se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se, kur i Dërguari i Allahut ﷺ shkoi në Haxhin Lamtumirës, si dhe sa herë që shkonte në umre, ndalej në Dhul Hulejfe, te një pemë, aty ku tani ndodhet Xhamia e Dhul Hulejfes. Dhe, sa herë që kthehej prej ndonjë ekspedite, umre ose haxhi, përshkonte të njëjtën rrugë. Kur arrinte te lugina, zbriste në të (dhe vazhdonte rrugën derisa dilte prej saj). Me të dalë nga lugina, ndalej në Rrafshinën Lindore, e cila ndodhej buzë luginës, ku pushonte deri në mëngjes. (Ndalja e tij) nuk ishte te vendndodhja e xhamisë (xhamia e sotme në Dhul Hulejfe), as te bregorja në të cilën është ndërtuar xhamia, mirëpo te një ultësirë e thellë, shtruar me zall të shkretëtirës. Pra, aty falej vetë i Dërguari i Allahut ﷺ. (Po ashtu, pas kësaj, aty) falej edhe Abdullah ibn Omeri. Vërshimet e ujërave e shtynë atë rrafshinë ku falej Abdullahu.