Sahihu i Buhariut — Hadithi 49

36. Nënkapitulli: Frika e besimtarit mos po i asgjësohen veprat pa e vënë re

Ibrahim Tejmiu ka thënë: "Sa herë që fjalën e kam vënë përballë punës, jam frikësuar se mos jam përgënjeshtar." Ibn Ebu Mulejke ka thënë: "I kam takuar tridhjetë shokë të Pejgamberit ﷺ dhe që të gjithë i frikësoheshin hipokrizisë, ndërkaq asnjëri prej tyre nuk thoshte se ishte në shkallën e imanit të Xhibrilit dhe Mikailit." Haseni ka thënë: "Hipokrizisë i frikësohet vetëm besimtari dhe vetëm hipokriti ndihet i sigurt nga hipokrizia." Nuk mund t'u ruhemi hipokrizisë dhe mëkateve pa u penduar. Argument është fjala e Allahut Fuqiplotë: “... dhe nuk ngulmojnë me vetëdije në gabimet që kanë bërë.” (Ali Imran, 135)"

49. Nga: Ubade ibn Samiti

Kutejbe ibn Seidi na ka rrëfyer: Më ka treguar Ismail ibn Xhaferi nga Humejdi, e ky nga Enesi se Ubade ibn Samiti (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ doli të lajmëronte për Natën e Kadrit, por papritmas dy muslimanë zunë të fjaloseshin, e në atë rast Pejgamberi ﷺ tha: “Dola për t'ju lajmëruar rreth Natës së Kadrit, por, ngaqë po fjaloseshin filani dhe filani, m'u tërhoq dituria për të. Shpresoj që kjo të jetë më e dobishme për ju. Andaj, kërkojeni në natën e shtatë, të nëntë dhe të pestë (të dhjetëditëshit të fundit).”

Referenca: Sahihu i Buhariut 49

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?