Sahihu i Buhariut — Hadithi 520

109. Nënkapitulli: A lejohet të mënjanojë femra ndonjë pengesë nga trupi i atij që falet?

520. Nga: Abdullah ibn Mesudi

Ahmed ibn Is'hak Surmariu na ka thënë: Na ka treguar Ubejdullah ibn Musai, e këtij i ka treguar Israili, e ky nga Ebu Is'haku, e ky nga Amër ibn Mejmuni se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se një ditë, teksa i Dërguari i Allahut ﷺ falej në Qabe, një grup kurejshish po qëndronin në një ndejë të tyren. Njëri prej tyre tha: “A nuk po e shihni këtë që shtiret? Cili prej jush merr përsipër të shkojë te zorrët e devesë së filan fisit dhe t'i sjellë zorrët, gjakun dhe mbeturinat e devesë e t'ia hedhë mbi shpinë kur ai të bjerë në sexhde?” U ngrit më i keqi prej tyre (Ukbe ibn Ebu Muajti) dhe priti derisa i Dërguari i Allahut ﷺ ra në sexhde, e në atë rast ia hodhi ato mbi shpinë, mes dy shpatullave. Pejgamberi ﷺ qëndronte ashtu, kurse ata qeshnin mes vete, saqë, nga të qeshurit, ranë përtokë. Dikush nxitoi për te Fatimja, e cila atëbotë ishte shumë e re, për ta lajmëruar. Ajo erdhi me vrap, kurse Pejgamberi ﷺ qëndronte në sexhde, pa lëvizur, derisa Fatimja ia hoqi ato. Pastaj ajo iu kthye kurejshëve dhe filloi t'i mallkonte. Pasi i Dërguari i Allahut ﷺ e përfundoi namazin, u lut me këto fjalë: “O Allah!, shkatërroji këta kurejshë! O Allah!, shkatërroji këta kurejshë! - Pastaj i përmendi edhe me emra: O Allah, shkatërroje Amër ibn Hishamin, Utbe ibn Rabian, Shejbe ibn Rabian, Velid ibn Utben, Umeje ibn Halefin, Ukbe ibn Ebu Muajtin dhe Umare ibn Velidin!”

Abdullahu thotë: “Betohem në Allahun se të gjithë këta i kam parë të vrarë ditën e Bedrit. Pastaj u tërhoqën zvarrë për në Pusin e Bedrit, e në atë rast i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Këta që u hodhën në pus, i zuri mallkimi.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 520

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?