Sahihu i Buhariut — Hadithi 525
4. Nënkapitulli: Namazi i fshin mëkatet
525. Nga: Hudhejfe ibn Jemani
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e ky nga Ameshi se Shekiku tregon se e ka dëgjuar Hudhejfën (Allahu qoftë i kënaqur me të!) duke treguar: “Ishim në një ndejë tek Omer ibn Hatabi dhe, ndërkohë, ai na pyeti:
- Cili prej jush e di hadithin e të Dërguarit të Allahut ﷺ rreth fitneve (trazirave)?
- Unë e di ashtu siç e ka thënë (Pejgamberi ﷺ), - i thashë.
- Ti me të vërtetë ke guxim (ta tregosh), - tha Omeri.
- “Fitnet e njeriut në familjen, pasurinë, fëmijët dhe fqinjët e tij shlyhen nga namazi i tij, agjërimi, sadakaja dhe urdhërimi në të mirë dhe ndalimi nga e keqja”, - thashë.
- Nuk është kjo që po kërkoj. E kam fjalën për fitnen, e cila do të trazojë siç trazohet deti, - tha Omeri.
- Nuk ke pse shqetësohesh prej saj, o prijës i besimtarëve! Mes teje dhe saj është një derë e mbyllur, - i thashë.
- A do të thyhet kjo derë, vallë, apo do të hapet? - pyeti Omeri.
- Do të thyhet.
- Atëherë, nuk paska për t'u mbyllur më, - tha Omeri.
Shekiku thotë: “Dikush prej nesh e pyeti Hudhejfën: “A e dinte Omeri, vallë, se kush ishte ajo derë?” Ai tha: “Po, ashtu siç e dinte se të sotmen e pason e nesërmja. Ngaqë unë i tregova një hadith që nuk përmban gënjeshtra.”
Nuk patëm guxim ta pyesnim Hudhejfën (kush ishte dera e përmendur në hadith), andaj e porositëm Mesrukun ta pyeste, ai tha: “Ajo derë ishte vetë Omeri.”