9. Kohët e namazit
1. Nënkapitulli: Koha dhe vlera e namazit
Fjala e Allahut ﷻ: “... namazi, është detyrë e obligueshme për besimtarët në kohë të caktuar.” (Nisa, 103) Domethënë: "Me kufij të përcaktuar kohorë."
521. Nga: Ebu Mesud Bedriu
Abdullah ibn Mesleme na ka thënë: E kam lexuar në prani te Malikut se Ibn Shihabi tregon se një ditë Omer ibn Abdulazizi e vonoi namazin. Urve ibn Zubejri erdhi dhe i tregoi se edhe Mugire ibn Shuëbe, një ditë, duke qenë në Irak, e kishte vonuar namazin. Ebu Mesud Ensariu erdhi dhe i tha: “Ç'është kjo punë, o Mugire? A nuk e di se Xhibrili ﷺ ka zbritur dhe është falur, e bashkë me të edhe i Dërguari i Allahut ﷺ? Ai sërish ishte falur, e bashkë me të edhe i Dërguari i Allahut ﷺ. Sërish ishte falur, e bashkë me të edhe i Dërguari i Allahut ﷺ. Ishte falur sërish, e edhe i Dërguari i Allahut ﷺ i ishte bashkëngjitur. Sërish ishte falur, e bashkë me të edhe i Dërguari i Allahut ﷺ. Në fund, kishte thënë: “Kështu jam urdhëruar (të veproj).”
Omeri i tha Urvës: “A je në dijeni për atë që po thua? A Xhibrili ia kishte falur namazet të Dërguarit të Allahut ﷺ për t'ia mësuar kohët?” Urve i tha: “Kështu transmetonte Beshir ibn Ebu Mesudi nga babai i vet.”
522. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Urve ka thënë: Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, kur i Dërguari i Allahut ﷺ e falte namazin e ikindisë, rrezet e diellit ende depërtonin në dhomën e saj, para se të shfaqej hija.
2. Nënkapitulli: Fjala e Allahut ﷻ: “Drejtojuni Atij me pendim, frikësojuni Atij dhe faleni namazin e mos u bëni idhujtarë.”
523. Nga: Abdullah ibn Abasi
Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Abad ibn Abadi, e ky nga Ebu Xhemra se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Delegacioni i Abdulkajsit erdhi tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe i tha: “Ne jemi pjesëtarë të fisit rebia dhe nuk po mund të vijmë te ti, përveçse në muajt e shenjtë. Andaj, na urdhëro diçka konkrete, të mësojmë nga ti dhe t'i njoftojmë të tjerët. Pejgamberi ﷺ u tha: “Jua urdhëroj katër gjëra dhe jua ndaloj katër të tjera:
1. Besimin në Allahun (që është): të deklaruarit se s'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut dhe se unë jam i Dërguari i Allahut;
2. Faljen e namazit,
3. Dhënien e zekatit dhe
4. Të ma jepni një të pestën e presë së luftës.
Jua ndaloj përdorimin e enës prej kungullit, shtambës, koritës dhe varelës (për fermentimin e mushtit).”
3. Nënkapitulli: Besatimi për faljen e namazit
524. Nga: Xherir ibn Abdullahu
Muhamed ibn Muthena na ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e këtij i ka treguar Ismaili, e këtij i ka treguar Kajsi se Xherir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “I kam dhënë besën të Dërguarit të Allahut ﷺ se do ta fal namazin, do ta jap zekatin dhe se do të jem besnikë ndaj çdo musliman.”
4. Nënkapitulli: Namazi i fshin mëkatet
525. Nga: Hudhejfe ibn Jemani
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e ky nga Ameshi se Shekiku tregon se e ka dëgjuar Hudhejfën (Allahu qoftë i kënaqur me të!) duke treguar: “Ishim në një ndejë tek Omer ibn Hatabi dhe, ndërkohë, ai na pyeti:
- Cili prej jush e di hadithin e të Dërguarit të Allahut ﷺ rreth fitneve (trazirave)?
- Unë e di ashtu siç e ka thënë (Pejgamberi ﷺ), - i thashë.
- Ti me të vërtetë ke guxim (ta tregosh), - tha Omeri.
- “Fitnet e njeriut në familjen, pasurinë, fëmijët dhe fqinjët e tij shlyhen nga namazi i tij, agjërimi, sadakaja dhe urdhërimi në të mirë dhe ndalimi nga e keqja”, - thashë.
- Nuk është kjo që po kërkoj. E kam fjalën për fitnen, e cila do të trazojë siç trazohet deti, - tha Omeri.
- Nuk ke pse shqetësohesh prej saj, o prijës i besimtarëve! Mes teje dhe saj është një derë e mbyllur, - i thashë.
- A do të thyhet kjo derë, vallë, apo do të hapet? - pyeti Omeri.
- Do të thyhet.
- Atëherë, nuk paska për t'u mbyllur më, - tha Omeri.
Shekiku thotë: “Dikush prej nesh e pyeti Hudhejfën: “A e dinte Omeri, vallë, se kush ishte ajo derë?” Ai tha: “Po, ashtu siç e dinte se të sotmen e pason e nesërmja. Ngaqë unë i tregova një hadith që nuk përmban gënjeshtra.”
Nuk patëm guxim ta pyesnim Hudhejfën (kush ishte dera e përmendur në hadith), andaj e porositëm Mesrukun ta pyeste, ai tha: “Ajo derë ishte vetë Omeri.”
526. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Kutejbe na ka thënë: Na ka treguar Jezid ibn Zureji, e ky nga Sulejman Tejmiu, e ky nga Ebu Othman Nehdiu se Ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, një burrë puthi një grua, andaj vajti te Pejgamberi ﷺ dhe i tregoi, e në atë rast Allahu ﷻ e zbriti ajetin: “Kryeje namazin, mëngjes e mbrëmje, si dhe në një pjesë të natës. Me të vërtetë, veprat e mira i shlyejnë të këqijat...” (Hud, 114) Burri në fjalë pyeti:
- O i Dërguari i Allahut! A është kjo për mua në veçanti?
- “Kjo vlen për tërë umetin tim”, - i tha Pejgamberi ﷺ.
5. Nënkapitulli: Vlera e namazit në kohën e vet
527. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Ebu Velid Hisham ibn Abdulmeliku na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e këtij i ka rrëfyer Velid ibn Ajzari, e ky e ka dëgjuar Ebu Amër Shejbaniun se ka thënë: Na ka treguar i zoti i kësaj shtëpie, duke bërë me shenjë nga shtëpia e Abdullahut, se Abdullah ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) ka thënë: “E kam pyetur Pejgamberin ﷺ:
- Cila vepër është më e dashur tek Allahu?
- “Namazi që falet në kohën e vet”, - më tha.
- Pastaj cila?
- “Mirësjellja me prindërit”, - tha Pejgamberi ﷺ.
- Pastaj cila?
- “Lufta në rrugën e Allahut.”
Abdullahu thotë: “M'i tregoi këto dhe, sikur ta pyesja më shumë, do të më tregonte edhe më tepër.”
6. Nënkapitulli: Pesë namazet i fshijnë mëkatet
528. Nga: Ebu Hurejra
Ibrahim ibn Hamzai na ka thënë: Më ka treguar Ibn Ebu Hazimi dhe Deraverdiu, e këta nga Jezidi, e ky nga Muhamed ibn Ibrahimi, e ky nga Ebu Seleme ibn Abdurrahmani se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: “Përfytyroni sikur një lumë të kalonte pranë derës së ndonjërit prej jush, ku do të lahej çdo ditë nga pesë herë. Vallë, do t'i mbetej ndonjë ndyrësi?” Thanë: “Jo, nuk do t'i mbetej asnjë ndyrësirë.”
Pejgamberi ﷺ tha: “Kështu është puna edhe me pesë namazet. Allahu i fshin mëkatet me to.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 528
Fjalë të panjohura?
7. Nënkapitulli: Vonimi i namazit nga koha e vet
529. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Mehdiu, e ky nga Gajlani se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Nuk di që ka mbetur diçka origjinale siç ka qenë në kohën e Pejgamberit ﷺ.” I thanë: “As namazi?” Ai iu përgjigj: “A nuk keni humbur sa e sa gjëra nga namazi?”
Referenca: Sahihu i Buhariut 529
Fjalë të panjohura?
530. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Amër ibn Zurare na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdulvahid ibn Vasil Ebu Ubejde Hadadi, e ky nga Othman ibn Ebu Ravadi, vëllai i Abdulazizit, se Zuhriu tregon: “Shkova tek Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) në Damask, të cilin e hasa duke qarë, andaj i thashë:
- Përse po qan?
- Asgjë nuk ka mbetur siç ka qenë më parë (në kohën e Pejgamberit ﷺ), përveç namazit. E tani edhe namazi ka filluar të humbasë, - tha Enesi.”
Bekri ka thënë: “Na ka treguar Muhamed ibn Bekër Bursaniu, e këtij i ka rrëfyer Othman ibn Ebu Ravadi, ngjashëm.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 530
Fjalë të panjohura?
8. Nënkapitulli: Ai që falet, është në bisedë me Zotin e vet
531. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Muslim ibn Ibrahimi na ka thënë: Na ka treguar Hishami, e ky nga Katadja se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Teksa dikush është në namaz, është duke i folur drejtpërdrejt Zotit të vet. Andaj, të mos pështyjë djathtas, por le të pështyjë nën këmbën e majtë.”
Seidi transmeton prej Katades: “Të mos pështyjë përpara vetes, por në anën e majtë, ose nën këmbë.”
Shuëbe transmeton: “Të mos pështyjë përpara vetes, as djathtas, por le të pështyjë në të majtë ose nën këmbë.”
Ndërkaq, Humejdi transmeton prej Enesit se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Të mos pështyjë në drejtim të kiblës, as djathtas, por në të majtë ose nën këmbë.”
532. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Hafs ibn Omeri na ka thënë: Na ka treguar Jezid ibn Ibrahimi, e këtij i ka treguar Katadja se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Bëjeni mirë sexhden dhe askush të mos i shtrijë krahët sikurse qeni. Nëse dikush pështyn, këtë të mos e bëjë përpara vetes, as djathtas, sepse është duke i folur drejtpërdrejt Zotit të vet.”
9. Nënkapitulli: Shtyrja e namazit të drekës derisa të kalojë vapa e madhe
533. Nga: Ebu Hurejra
Ejub ibn Sulejmani na ka thënë: Na ka treguar Ebu Bekri, e ky nga Sulejman ibn Bilali, e këtij i ka thënë Salih ibn Kejsani, e këtij i ka treguar Abdurrahman Arexhi, dhe të tjerë se Ebu Hurejra dhe Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmetojnë se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kur nxehtësia arrin kulmin e saj, shtyjeni pak namazin (e drekës), derisa moti të freskohet, sepse të nxehtët e tepërt është pjesë e afshit të Xhehenemit.”
534. Nga: Ebu Hurejra
533, 534
Referenca: Sahihu i Buhariut 534
Fjalë të panjohura?
535. Nga: Ebu Dherr Gifariu
Ibn Beshari na ka thënë: Na ka treguar Gunderi, e këtij i ka treguar Shuëbe, e ky nga Muhaxhir Ebu Haseni, se ky e ka dëgjuar Zejd ibn Vehbiun se Ebu Dherri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Myezini i Pejgamberit ﷺ e thirri ezanin e drekës, por Pejgamberi ﷺ i tha: “Derisa të freskohet! Derisa të flladitet!” - ose ka thënë: “Pritni! Pritni!”
Pastaj, Pejgamberi ﷺ tha: “Nxehtësia e tepërt është pjesë e afshit të Xhehenemit. Andaj, nëse nxehtësia arrin kulmin e saj, shtyjeni namazin (e drekës)”, - derisa e dalluam hijen e kodrinave.”
536. Nga: Ebu Hurejra
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky e ka mbajtur në mend nga Zuhriu, e ky nga Seid ibn Musejebi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kur nxehtësia arrin kulmin e saj, shtyjeni pak namazin (e drekës), derisa moti të freskohet, sepse të nxehtët e tepërt është pjesë e afshit të Xhehenemit.”
537. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Xhehenemi iu ankua Zotit të vet e i tha: “O Zoti im! Kam filluar ta ha vetveten!” Kështu, (Zoti) ia mundësoi dy frymëmarrje:
1. Njërën gjatë dimrit,
2. Kurse tjetrën gjatë verës. Pjesë e kësaj janë vapa e madhe dhe acari i tepërt që ndieni ju.”
538. Nga: Ebu Seid Hudriu
Omer ibn Hafsi na ka thënë: Na ka treguar babai im, e këtij i ka treguar Ameshi, e këtij i ka treguar Ebu Salihu se Ebu Seidi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Shtyjeni namazin e drekës derisa të freskohet (moti), sepse të nxehtët e tepërt është pjesë e afshit të Xhehenemit.”
Transmetimin e Omer ibn Hafsit e fuqizojnë Sufjani, Jahjai dhe Ebu Avane, të cilët transmetojnë nga Ameshi.
10. Nënkapitulli: Vonimi i namazit të drekës gjatë udhëtimit, derisa të kalojë vapa
539. Nga: Ebu Dherr Gifariu
Adem ibn Ebu Ijasi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e këtij i ka treguar Muhaxhir Ebu Haseni, i çrobëruari i Benu Tejmullahut, e ky e ka dëgjuar Zejd ibn Vehbiun se Ebu Dherr Gifariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Me Pejgamberin ﷺ qemë në një rrugëtim. Myezini deshi ta thërrasë ezanin për namazin e drekës, por Pejgamberi ﷺ i tha: “Prit, derisa të freskohet.” Sërish, kur deshi ta thërrasë ezanin, ai i tha: “Prit, derisa të freskohet.”
Kur arritëm të shohim hijen e kodrinave, Pejgamberi ﷺ tha: “Nxehtësia e tepërt është pjesë e afshit të Xhehenemit. Andaj, kur nxehtësia arrin kulmin e saj, shtyjeni namazin (pak), derisa të freskohet.”
Ibn Abasi (duke komentuar ajetin 48 të sures Nahl) për fjalën تتفيأ tetefejeu, ka thënë: “Pra, hija lakohet anash.”
11. Nënkapitulli: Koha e namazit të drekës hyn sapo dielli ta kalojë kupën e qiellit
Xhabiri ka thënë: "Pejgamberi ﷺ falej në mesditë."
540. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ e fali drekën pasi Dielli kishte kaluar kupën e qiellit. Pastaj, hipi në minber dhe na e kujtoi Kiametin. Përmendi disa momente madhështore të asaj dite, pastaj tha: “Nëse dikush dëshiron të pyesë diçka, le të pyesë. Përderisa nuk largohem nga ky vend, do t'ju përgjigjem për çdo gjë që më pyesni.” Njerëzit filluan të qanin me të madhe, e ai vazhdonte të thoshte: “Më pyetni!”
Abdullah ibn Hudhafe Sehmiu u ngrit dhe tha:
- Kë kam baba unë?
- “Baba e ke Hudhafen”, - tha Pejgamberi ﷺ dhe vazhdoi t'u thoshte: “Pyetmëni!”
Omeri u ul në gjunjë dhe tha: “Jemi të kënaqur me Allahun për Zot, Islamin për fe dhe Muhamedin ﷺ për Pejgamber. Pejgamberi ﷺ heshti, pastaj tha: “Pak më parë, m'u shfaqën Xheneti dhe Zjarri në sipërfaqen e këtij muri. Nuk kam parë ndonjëherë mirësi e sherr më të madh.”
541. Nga: Ebu Berze Eslemiu
Hafs ibn Omeri na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Ebu Minhali se Ebu Berze (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, pasi Pejgamberi ﷺ e falte namazin e sabahut, ne mund ta dallonim atë që kishim afër (sepse ishte zdritur). Në namaz i lexonte gjashtëdhjetë deri njëqind ajete. Drekën e falte kur Dielli kalonte kupën e qiellit. Pasi e falte ikindinë, kishte kohë sa dikush të shkonte deri në fund të Medinës dhe të kthehej sërish, ndërsa Dielli ende rrezatonte fort. Kam harruar çfarë ka thënë për namazin e akshamit. Nuk mërzitej nëse e vononte jacinë deri në fund të së tretës së parë të natës. Më pati thënë: “... deri në mesnatë.”
Muadhi tregon: “Shuëbe ka thënë: “Më vonë e pata takuar dhe më pati thënë: “... ose deri në fund të së tretës së parë të natës.”
542. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Muhamed ibn Mukatili na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Halid ibn Abdurrahmani, e këtij i ka treguar Galib Katani, e ky nga Bekër ibn Abdullah Muzeniu se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Kur faleshim pas të Dërguarit të Allahut ﷺ, gjatë namazit të drekës, binim në sexhde mbi rrobat tona, për t'u ruajtur nga të nxehtët.”
12. Nënkapitulli: Vonimi i namazit të drekës deri në kohën e ikindisë
543. Nga: Abdullah ibn Abasi
Ebu Numani na ka thënë: Na ka treguar Hamad ibn Zejdi, e ky nga Amër ibn Dinari, e ky nga Xhabir ibn Zejdi se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ, në Medinë, e bashkoi drekën me ikindinë, duke i falur tetë rekate radhazi (duke i ndarë me selam), si dhe akshamin me jacinë, shtatë rekate radhazi (duke i ndarë me selam).
Ejub Sihtijani pyeti: “Me gjasë, kjo ka ndodhur në natë me shi?” Ebu Shaëthai ia ktheu: “Mbase.”
13. Nënkapitulli: Koha e namazit të ikindisë
Ebu Usame transmeton nga Hishami se ka thënë: "Nga brendia e dhomës së saj."
544. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Ibrahim ibn Mundhiri na ka thënë: Na ka treguar Enes ibn Ijadi, e ky nga Hishami, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, kur i Dërguari i Allahut ﷺ e falte namazin e ikindisë, rrezet e diellit ende depërtonin në dhomën e saj.
545. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Kutejbe na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ibn Hishami, e ky nga Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ e pati falur ikindinë, ndërkohë rrezet e diellit vazhdonin të binin në dhomën e saj, para se të mbretëronte hija në të.
Referenca: Sahihu i Buhariut 545
Fjalë të panjohura?
546. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka rrëfyer Ibn Ujejne, e ky nga Zuhriu, e ky nga Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ e falte namazin e ikindisë, ndërkohë rrezet e diellit vazhdonin të binin në dhomën time, para se të mbretëronte hija në të.”
Maliku, Jahja ibn Seidi, Shuajbi dhe Ibn Ebu Hafsa e kanë përmendur hadithin me tjetër shprehje: “... ndërkohë Dielli ende nuk ishte larguar.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 546
Fjalë të panjohura?
547. Nga: Ebu Berze Eslemiu
Muhamed ibn Mukatili na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Aufi se Sejar ibn Selame tregon: “Me babanë tim shkova tek Ebu Berze Eslemiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!), të cilit babai i tha: “Si i falte i Dërguari i Allahut ﷺ namazet farze?” Ai tha: “Drekën e falte kur Dielli e kalonte kupën e qiellit. Pasi e falte ikindinë, kishte kohë sa dikush të kthehej në shtëpinë e tij, në periferi të Medinës, e Dielli vazhdonte të rrezonte fort. Kam harruar çfarë ka thënë rreth namazit të akshamit. Ndërkaq, jacinë i pëlqente ta vononte. E urrente gjumin para saj dhe bisedat pas saj. Namazin e sabahut e mbaronte atëherë kur zdritej, aq sa mund ta dalloje shokun pranë. Gjatë namazit të sabahut i lexonte gjashtëdhjetë deri njëqind ajete.”
548. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Abdullah ibn Mesleme na ka treguar nga Maliku, e ky nga Is'hak ibn Abdullah ibn Ebu Talhai se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Pasi e falnim namazin e ikindisë, nëse dikush shkonte te fisi i Amër ibn Aufit (në Kuba), i gjente duke e falur ikindinë.”
549. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Ibn Mukatili na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Ebu Bekër ibn Othman ibn Sehël ibn Hunejfi se Ebu Umame tregon: “E falëm namazin e drekës së bashku me Omer ibn Abdulazizin. Prej aty shkuam tek Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!), të cilin e gjetëm duke e falur ikindinë. E pyeta: “O xhaxha! Çfarë namazi qe ky që sapo e fale?” Ai tha: “Ikindia.” Kështu e falnim këtë namaz me të Dërguarin e Allahut ﷺ.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 549
Fjalë të panjohura?
550. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ e falte ikindinë, ndërkohë Dielli ende ishte i ngritur, duke rrezuar fort. Njeriu mund të shkonte deri në periferi dhe Dielli ende ishte pa perënduar. Një pjesë e periferisë (së Medinës) ndodhej, përafërsisht, në largësi prej katër miljesh.”
551. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Ibn Shihabi se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Pasi e falnim ikindinë, dikush mund të shkonte deri në Kuba, ndërsa Dielli ende ishte lart.”
14. Nënkapitulli: Mëkati i atij që i ikën namazi i ikindisë
552. Nga: Abdullah ibn Omeri
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Atij që i ikën namazi i ikindisë është sikurse t'i ketë humbur familja dhe pasuria e vet.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 552
Fjalë të panjohura?
15. Nënkapitulli: Ai që e lë namazin e ikindisë
553. Nga: Burejde ibn Husajbi
Muslim ibn Ibrahimi na ka thënë: Na ka treguar Hishami, e këtij i ka treguar Jahja ibn Ebu Kethiri, e ky nga Ebu Kilabe se Ebu Melihu tregon: “Morëm pjesë së bashku me Burejdën (Allahu qoftë i kënaqur me të!) në një betejë dhe, ngaqë dita ishte me mot të vranët, ai na tha: “Faleni namazin e ikindisë sa më parë, sepse e kam dëgjuar Pejgamberin ﷺ duke thënë: “Atij që e lë namazin e ikindisë, i janë shkatërruar veprat.”
16. Nënkapitulli: Vlera e namazit të ikindisë
554. Nga: Xherir ibn Abdullahu
Humejdiu na ka thënë: Na ka treguar Mervan ibn Muaviu, e këtij i ka treguar Ismaili, e ky nga Kajsi se Xheriri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një natë, duke ndenjur me Pejgamberin ﷺ, e pa Hënën të plotë dhe tha: “Do ta shihni Zotin tuaj, ashtu siç po e shihni Hënën: pa asnjë vështirësi. Po patët mundësi që të mos ju pengojë asgjë nga falja e namazit të sabahut dhe të ikindisë, bëjeni.” Pastaj lexoi: “... madhëroje Zotin tënd dhe falënderoje Atë para lindjes së diellit dhe para perëndimit.” (Kaf, 39)
Ismaili thotë: “Falini ato në kohë. Pra, të mos ju kalojë koha e përcaktuar.”
555. Nga: Ebu Hurejra
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Maliku, e ky nga Ebu Zinadi, e ky nga Arexhi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Melekët, që ju përcjellin, ndërrohen me njëri-tjetrin gjatë natës dhe ditës. Takohen (për ndërrim) në namazin e sabahut dhe të ikindisë. Melekët që kanë bujtur, ngrihen (për tek Allahu) dhe Ai i pyet, ndërkohë e di më së miri gjendjen e tyre: “Si i latë robërit e Mi?” Ata thonë: “I lamë duke u falur, ashtu siç i gjetëm, duke u falur.”
17. Nënkapitulli: Ai që e arrin një rekat të namazit të ikindisë para perëndimit të diellit
556. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Shejbani, e ky nga Jahjai, e ky nga Ebu Seleme se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Nëse dikush arrin të falë një rekat të namazit të ikindisë, para se të perëndojë dielli, le ta plotësojë namazin e tij. Po ashtu, nëse dikush arrin të falë një rekat të namazit të sabahut, para se të lindë dielli, le ta plotësojë namazin e tij.”
557. Nga: Abdullah ibn Omeri
Abdulaziz ibn Abdullahu na ka thënë: Më ka treguar Ibrahimi, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Salim ibn Abdullahu, se babai i tij Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: “Kohëqëndrimi juaj në këtë botë, në raport me popujt e tjerë para jush, është sikurse koha mes ikindisë dhe perëndimit të diellit. Tevrati iu dha bartësve të vet (hebrenjve), të cilët punuan deri në mesditë, por aty ngecën, andaj u shpërblyen me nga një kirat. Inxhili iu dha bartësve të vet (të krishterëve), të cilët punuan deri në namaz të ikindisë, por aty ngecën, andaj u shpërblyen me nga një kirat. Neve na u dha Kurani, me të cilin punuam deri në perëndim të diellit, andaj u shpërblyem me nga dy kiratë. Bartësit e dy librave të mëparshëm thonë:
- O Zoti ynë! Këtyre u dhe nga dy kiratë, kurse neve vetëm nga një. Ne punuam më shumë se ata.
- A mos vallë ju kam bërë padrejtësi sa i përket shpërblimit tuaj? - u thotë Allahu Fuqiplotë.
- Jo, - thonë ata.
- E po, kjo është mirësia Ime, ia jap kujt të dua, - thotë Allahu.”
558. Nga: Ebu Musa Eshariu
Ebu Kurejbi na ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame, e ky nga Burejdi, e ky nga Ebu Burde se Ebu Musai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Muslimanët, hebrenjtë dhe të krishterët i shëmbëllejnë atij që merr argat një grup njerëzish për të punuar deri në mbrëmje. Kur arrijnë mesditën, thonë: “Nuk kemi nevojë për pagesën tënde.” Andaj, ai merr argatë të tjerë dhe u thotë: “Plotësojeni pjesën e mbetur të ditës, e do t'jua jap pagën të plotë.” Punojnë deri në namazin e ikindisë (e lënë punën) dhe thonë: “Ne kaq e patëm, nuk na duhet shpërblimi yt.” Për së treti, ai merr argatë të tjerë, të cilët punojnë në pjesën finale të ditës, deri në perëndimin e diellit, andaj fitojnë shpërblimin e dy grupeve.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 558
Fjalë të panjohura?
18. Nënkapitulli: Koha e namazit të akshamit
Atai ka thënë: I sëmuri bashkon akshamin dhe jacinë.
559. Nga: Rafi ibn Hadixhi
Muhamed ibn Mihrani na ka thënë: Na ka treguar Velidi, e këtij i ka treguar Evzaiu, e këtij i ka treguar Ata ibn Suhejb Ebu Nexhashiu, i çrobëruari i Rafi ibn Hadixhit, se Rafi ibn Hadixhi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “E falnim namazin e akshamit me Pejgamberin ﷺ dhe, nëse dilje (prej xhamisë), ende mund të shquaje cakun e shtizës (sepse qielli ende nuk ishte ngrysur).”
Referenca: Sahihu i Buhariut 559
Fjalë të panjohura?
560. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Muhamed ibn Beshari na ka thënë: Na ka treguar Muhamed ibn Xhaferi, e këtij i ka treguar Shuëbe, e ky nga Sadi se Muhamed ibn Amër ibn Hasen ibn Aliu tregon se, pasi erdhi Haxhaxhi, e pyetëm Xhabir ibn Abdullahun (Allahu qoftë i kënaqur me të!) (rreth kohëve të namazit). Ai tha: “Pejgamberi ﷺ e falte drekën në mesditë; ikindinë atëherë kur dielli rrezonte pastër; akshamin në perëndim të diellit, kurse jacinë herë e vononte, herë e shpejtonte. Kur shihte se njerëzit janë tubuar, e shpejtonte, e, nëse ata vonoheshin, e shtynte (faljen e jacisë). Ndërkaq, sabahun e falte në momentet e para të agimit (duke qenë ende errësirë).”
561. Nga: Seleme ibn Ekvai
Mekij ibn Ibrahimi na ka thënë: Na ka treguar Jezid ibn Ebu Ubejde se Seleme (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Së bashku me Pejgamberin ﷺ e falnim namazin e akshamit kur dielli fshihej tërësisht (perëndonte).”
Referenca: Sahihu i Buhariut 561
Fjalë të panjohura?
562. Nga: Abdullah ibn Abasi
Ademi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e këtij i ka treguar Amër ibn Dinari, e ky e ka dëgjuar Xhabir ibn Zejdin se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Pejgamberi ﷺ i fali shtatë rekate bashkë (akshamin dhe jacinë, të ndara me selam), si dhe tetë rekate bashkë (drekën dhe ikindinë, të ndara me selam).”
19. Nënkapitulli: Mendimi i atyre që thonë se është e urryer të emërtohet akshami me emrin e jacisë
563. Nga: Abdullah ibn Zejd Maziniu
Ebu Mamer Abdullah ibn Amri na ka thënë: Na ka treguar Abdulvarithi, e ky nga Husejni, e këtij i ka treguar Abdullah ibn Burejde se Abdullah Muzeniu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Mos lejoni që beduinët t'jua ndryshojnë emrin e namazit të akshamit.”
Beduinët akshamin e emërtonin me emrin e jacisë.
Referenca: Sahihu i Buhariut 563
Fjalë të panjohura?
20. Nënkapitulli: Emrat e namazit të jacisë dhe mendimi i atyre se kjo mesele është e gjerë
Ebu Hurejra transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Namazi më i rëndë për hipokritët është jacia (el isha) dhe sabahu.” Po ashtu, ai ka thënë: “Sikur ta dinin çfarë (shpërblimi) përmban jacia dhe sabahu...” (në këtë hadith, Pejgamberi ﷺ jacinë e ka quajtur العتمة el atemeh). Ebu Abdullahu (Buhariu) thotë: "Më e qëlluar është emërtimi i jacisë me emrin العشاء el isha, bazuar në ajetin kuranor: “... dhe pas namazit të jacisë (el isha)...” (Nur, 58)" Përmendet se Ebu Musai ka thënë: "Shkonim te Pejgamberi ﷺ, herë unë e herë të tjerët, për namazin e jacisë (el isha). Një natë ai e vonoi faljen e saj. Aishja dhe Ibn Abasi tregojnë se, një natë Pejgamberi ﷺ e vonoi jacinë (el atemeh). Disa transmetojnë prej Aishes se një natë Pejgamberi ﷺ e shtyu jacinë (el atemeh). Xhabiri tregon se Pejgamberi ﷺ e ka falur jacinë (el isha). Ebu Berze tregon se Pejgamberi ﷺ ndonjëherë e vononte jacinë (el isha)." Enesi tregon: "Pejgamberi ﷺ e vonoi namazin e jacisë (el isha). Ibn Omeri, Ebu Ejubi dhe Ibn Abasi tregojnë se Pejgamberi ﷺ e ka falur akshamin dhe jacinë (el isha)."
564. Nga: Abdullah ibn Omeri
Abdani na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Junusi, e ky nga Zuhriu, e ky nga Salimi se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Një natë, i Dërguari i Allahut ﷺ na e fali namazin e jacisë, - që disa njerëz e quajnë el-atemeh, - pastaj u kthye nga ne dhe tha: “A po e shihni natën e sotme? Në krye të njëqind vjetëve nga sot, askush që jeton tani, nuk do të mbetet i gjallë mbi tokë.”
21. Nënkapitulli: Koha e namazit të jacisë kur njerëzit tubohen ose vonohen
565. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Muslim ibn Ibrahimi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Sad ibn Ibrahimi se Muhamed ibn Amër ibn Hasen ibn Aliu tregon: “E pyetëm Xhabir ibn Abdullahun (Allahu qoftë i kënaqur me të!) rreth namazit të Pejgamberit ﷺ dhe na tha: “Pejgamberi ﷺ e falte drekën në mesditë, ikindinë atëherë kur dielli rrezatonte pastër, akshamin në perëndim të diellit. Sa i përket jacisë, nëse njerëzit tuboheshin, e shpejtonte, në të kundërtën, e shtynte (faljen e jacisë). Ndërkaq, sabahun e falte në momentet e para të agimit (duke qenë ende errësirë).”
22. Nënkapitulli: Vlera e jacisë
566. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një natë, i Dërguari i Allahut ﷺ e vonoi namazin e jacisë. Atëkohë Islami ende nuk ishte përhapur shumë. Nuk doli në xhami derisa Omeri i tha: “Fjetën gratë dhe fëmijët.” Atëherë Pejgamberi ﷺ doli dhe u tha atyre që ishin në xhami: “Asnjë banor i Tokës nuk është duke pritur për t'u falur, përveç jush.”
567. Nga: Ebu Musa Eshariu
Muhamed ibn Alai na ka thënë: Na ka rrëfyer Ebu Usame, e ky nga Burejdi, e ky nga Ebu Burde se Ebu Musai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Unë dhe disa shokë të mi erdhëm me anije dhe u vendosëm në Luginën But'han. Atëkohë, Pejgamberi ﷺ jetonte në Medinë. Prandaj, grupe-grupe shkonim te Pejgamberi ﷺ për namazin e jacisë, me radhë. Një natë, Pejgamberi ﷺ rastisi të ishte i zënë me disa obligime të tij, andaj e vonoi namazin e jacisë, derisa u afrua mesnata. Pastaj doli në xhami dhe ua fali namazin atyre që qenë të pranishëm. Pasi e kreu, u tha: “Mos u ngutni! Myzhde! Prej mirësisë së Allahut ndaj jush është se, në këtë orë, asnjë njeri nuk është duke u falur, përveç jush.”
Ebu Musai thotë: “U kthyem të gëzuar, nga fjala që dëgjuam prej të Dërguarit të Allahut ﷺ.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 567
Fjalë të panjohura?
23. Nënkapitulli: Gjumi para jacisë është veprim i papëlqyer
568. Nga: Ebu Berze Eslemiu
Muhamed ibn Selami na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdulvehab Thekafiu, e këtij i ka treguar Halid Hadhai, e ky nga Ebu Minhali se Ebu Berze (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ e urrente gjumin para jacisë dhe bisedat pas saj.
24. Nënkapitulli: Fjetja para namazit të jacisë për të përgjumurin
569. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Ejub ibn Sulejmani na ka thënë: Më ka treguar Ebu Bekri, e ky nga Sulejmani, e këtij i ka treguar Salih ibn Kejsani, e këtij i ka rrëfyer Ibn Shihabi, nga Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një natë, i Dërguari i Allahut ﷺ e vonoi namazin e jacisë, derisa Omeri thirri: “Namazi! Fjetën gratë dhe fëmijët!” Pejgamberi ﷺ doli dhe u tha: “Asnjë banor i Tokës nuk është duke pritur për t'u falur përveç jush.”
Urve ibn Zubejri thotë: “Atëkohë (jacia me xhemat) nuk falej diku tjetër, përveçse në Medinë. Koha kur e falnin namazin e jacisë zgjaste prej rënies së muzgut deri në përfundim të së tretës së parë të natës.”
570. Nga: Abdullah ibn Omeri
Mahmudi na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdurrezaku, e këtij i ka rrëfyer Ibn Xhurejxhi, e këtij i ka rrëfyer Nafiu se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, një natë i Dërguari i Allahut ﷺ u angazhua me diçka, andaj e shtyu namazin e jacisë, saqë u kotëm dhe u zgjuam, pastaj u kotëm prapë dhe u zgjuam (në xhami). Kur doli, na tha: “Asnjë banor i Tokës nuk është duke pritur për ta falur namazin, përveç jush.”
Ibn Omeri nuk mërzitej nëse e vononte ose e shpejtonte kohën e faljes së jacisë, nëse nuk frikohej se mund ta merrte gjumi e t'i ikte namazi. Kishte raste kur kotej para saj (jacisë).
Referenca: Sahihu i Buhariut 570
Fjalë të panjohura?
571. Nga: Abdullah ibn Abasi
Xhurejxhi ka thënë: Më ka treguar Atai se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një natë, i Dërguari i Allahut ﷺ e vonoi namazin e jacisë, saqë njerëzit u kotën dhe u zgjuan, pastaj u kotën prapë dhe u zgjuan. Omer ibn Hatabi u ngrit dhe tha: “Namazi!”
Atai thotë: “Ibn Abasi tregon: “Sikur po e shoh tani të Dërguarin e Allahut ﷺ duke dalë në xhami, koka vazhdonte t'i pikonte ujë dhe dorën e mbante mbi kokë, tha: “Sikur të mos më dukej e rëndë për umetin tim, do t'i urdhëroja ta falnin (jacinë) në këtë kohë.”
Ibn Xhurejxhi e pyeti Atain në detaje se si e kishte përshkruar Ibn Abasi vënien e dorës mbi kokë nga Pejgamberi ﷺ? Atai i hapi pakëz gishtat dhe majat e gishtave i vuri në pjesën e përparme të kokës, pastaj i mblodhi prapë gishtërinjtë dhe kësisoj i përshkoi nëpër gjithë kokën derisa gishti i madh i tij preku veshin nga ana e fytyrës, deri te zylyfet afër mjekrës, as ngutej, as ngadalësohej, pastaj tha: “Sikur të mos më dukej e rëndë për umetin tim, do t'i urdhëroja ta falnin (jacinë) në këtë kohë.”
25. Nënkapitulli: Koha e namazit të jacisë është deri në mesnatë
Ebu Berze tregon se Pejgamberi ﷺ pëlqente të vononte namazin e jacisë.
572. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Abdurrahim Muharibi na ka thënë: Na ka treguar Zaide, e ky nga Humejd Tavili se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një natë, Pejgamberi ﷺ e vonoi namazin e jacisë deri në mesnatë. Pasi e fali, tha: “Njerëzit e tjerë e kanë falur dhe kanë fjetur. Ndërkaq, ju jeni llogaritur se jeni në namaz për sa kohë keni qenë në pritje për ta falur atë.”
Ibn Merjemi shton: “Na ka rrëfyer Jahja ibn Ejubi, e këtij i ka treguar Humejdi se Enesi thotë: “Sikur po e shoh tani shkëlqimin e unazës së Pejgamberit ﷺ atë natë.”
26. Nënkapitulli: Vlera e namazit të sabahut
573. Nga: Xherir ibn Abdullahu
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahja, e ky nga Ismaili, e këtij i ka treguar Kajsi se Xherir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një natë, ishim te Pejgamberi ﷺ, i cili, kur e pa Hënën të plotë, tha: “Do ta shihni Zotin tuaj, ashtu siç po e shihni Hënën: pa e penguar njëri-tjetrin, - ose ka thënë: pa u shtyrë me njëri-tjetrin -. Po patët mundësi që të mos ju pengojë asgjë për faljen e namazit të sabahut dhe të ikindisë, bëjeni.” Pastaj lexoi: “... madhëroje Zotin tënd dhe falënderoje Atë para lindjes së diellit dhe para perëndimit.” (Kaf, 39)
574. Nga: Ebu Musa Eshariu
Hudbe ibn Halidi na ka thënë: Na ka treguar Hemami, e këtij i ka treguar Ebu Xhemra, e ky nga Ebu Bekër ibn Ebu Musai, se babai i tij Ebu Musai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Ai që i fal dy namazet freskuese (sabahun dhe ikindinë), do të hyjë në Xhenet.”
Ibn Rexhai ka thënë: “Na ka treguar Hemami nga Ebu Xhemra, e këtij i ka rrëfyer Ebu Bekër ibn Abdullah ibn Kajsi me këtë hadith.” Is'haku na ka treguar nga Habani e këtij i ka treguar Hemami, e këtij i ka treguar Ebu Xhemra, e ky nga Ebu Bekër ibn Abdullahu, e ky nga babai i tij, e ky nga Pejgamberi ﷺ, njëjtë.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 574
Fjalë të panjohura?
27. Nënkapitulli: Koha e namazit të sabahut
575. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Amër ibn Asimi na ka thënë: Na ka treguar Hemami, e ky nga Katadja se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Zejd ibn Thabiti më ka treguar se kishin ngrënë syfyr me Pejgamberin ﷺ, pastaj ishin falur.”
Katadja e pyeti Enesin: “Sa kohë kishte mes tyre (syfyrit dhe namazit)?” Ai tha: “Aq sa t'i lexoje pesëdhjetë-gjashtëdhjetë ajete.”
576. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Hasen ibn Sabahu ka thënë: E kam dëgjuar Revhun, e këtij i ka treguar Seidi, e ky nga Katadja se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ dhe Zejd ibn Thabiti hëngrën syfyr së bashku. Pasi e përfunduan syfyrin, i Dërguari i Allahut ﷺ u ngrit dhe e falën namazin e sabahut.
Katadja thotë: “E pyetëm Enesin: “Sa kohë kishte mes syfyrit dhe namazit të tyre?” Ai tha: “Aq sa dikush t'i lexojë pesëdhjetë ajete.”
577. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu
Ismail ibn Ebu Uvejsi na ka treguar nga vëllai i vet, e ky nga Sulejmani, e ky nga Ebu Hazimi se Sehël ibn Sadi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Haja syfyr me familjen time, pastaj nxitoja për ta zënë namazin e sabahut me të Dërguarin e Allahut ﷺ.”
578. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka rrëfyer Lejthiu, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Urve ibn Zubejri se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Gratë besimtare shkonin për ta falur namazin e sabahut me të Dërguarin e Allahut ﷺ duke qenë të mbështjella me rroba. Pas namazit, ktheheshin në shtëpitë e tyre e askush nuk mund t'i dallonte (cilat ishin), për shkak të errësirës.”
28. Nënkapitulli: Ai që arrin vetëm një rekat të namazit të sabahut (para lindjes së diellit)
579. Nga: Ebu Hurejra
Abdullah ibn Mesleme na ka treguar nga Maliku, e ky nga Zejd ibn Eslemi, e këtij i kanë treguar Ata ibn Jesari, Busr ibn Seidi dhe Arexhi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Ai që arrin të falë një rekat të namazit të sabahut, para se të lindë dielli, veçse e ka zënë sabahun. Ai që arrin të falë një rekat të namazit të ikindisë, para se të perëndojë dielli, veçse e ka zënë ikindinë.”
29. Nënkapitulli: Ai që zë vetëm një rekat të namazit
580. Nga: Ebu Hurejra
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Ebu Seleme ibn Abdurrahmani se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Ai që arrin të falë një rekat të namazit, veçse e ka zënë namazin.”
30. Nënkapitulli: Dispozita e namazit vullnetar pas namazit të sabahut derisa të ngrihet dielli
581. Nga: Abdullah ibn Abasi
Hafs ibn Omeri na ka thënë: Na ka treguar Hishami, e ky nga Katadja, e ky nga Ebu Alije se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Disa burra të besueshëm, në mesin e të cilëve edhe Omeri, që, për mua, ishte më i besueshmi, më kanë dëshmuar se Pejgamberi ﷺ ka ndaluar të falet namaz (nafile) pas namazit të sabahut, derisa të lindë dielli, si dhe pas namazit të ikindisë, derisa të perëndojë.”
Musededi na ka thënë: “Na ka treguar Jahjai nga Shuëbe, e ky nga Katadja se ka thënë: “E kam dëgjuar Ebu Alijen, e ky nga Ibn Abasi, i cili ka thënë: “Më kanë treguar disa njerëz, këtë hadith.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 581
Fjalë të panjohura?
582. Nga: Abdullah ibn Omeri
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahja ibn Seidi, e ky nga Hishami, e këtij i ka rrëfyer babai i tij se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Mos falni namaz, qëllimisht, gjatë lindjes së diellit, as gjatë perëndimit të tij.”
583. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kur të lindë disku i diellit, shtyjeni namazin, derisa të lindë tërësisht. Dhe, kur fillon të perëndojë disku i diellit, shtyjeni namazin, derisa të perëndojë tërësisht.”
Abde e fuqizon këtë transmetim të Ibn Omerit.
584. Nga: Ebu Hurejra
Ubejd ibn Ismaili na ka treguar nga Ebu Usame, e ky nga Ubejdullahu, e ky nga Hubejb ibn Abdurrahmani, e ky nga Hafs ibn Asimi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka ndaluar dy lloje të tregtisë, dy lloje të veshjeve dhe dy namaze: ka ndaluar namazin (vullnetar) pas atij të sabahut, derisa të lindë dielli, dhe namazin (vullnetar) pas atij të ikindisë, derisa të perëndojë dielli; të mbështillet trupi me një rrobë, duke i ngujuar duart brenda saj, dhe të ulurit duke i përthekuar gjunjët me duar, teksa është i mbështjellë me një rrobë të vetme, gjë që rrezikon t'i zbulojë pjesët e turpshme; si dhe (ka ndaluar) munabedhen dhe mulamesen.
31. Nënkapitulli: Nuk falet namaz vullnetar qëllimisht para perëndimit të diellit
585. Nga: Abdullah ibn Omeri
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Mos falni namaz, qëllimisht, gjatë lindjes së diellit, as gjatë perëndimit të tij.”
586. Nga: Ebu Seid Hudriu
Abdulaziz ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Ibrahim ibn Sadi, e ky nga Salihu, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Ata ibn Jezid Xhundiu se Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Nuk ka namaz (nfile) pas atij të sabahut, derisa të ngrihet dielli, as pas atij të ikindisë, derisa të perëndojë.”
587. Nga: Muavi ibn Ebu Sufjani
Muhamed ibn Ebani na ka thënë: Na ka treguar Gunderi, e këtij i ka treguar Shuëbe, e ky nga Ebu Tejahu se Humran ibn Ebani tregon se Muaviu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Ne e kemi shoqëruar të Dërguarin e Allahut ﷺ, porse nuk e kemi parë duke falur këtë namaz që po e falni ju. Madje, ai ka ndaluar faljen e këtij namazi.”
Humrani thotë: “Muaviu kishte për qëllim dy rekatet pas namazit të ikindisë.”
588. Nga: Ebu Hurejra
Muhamed ibn Selami na ka thënë: Na ka treguar Abde, e ky nga Ubejdullahu, e ky nga Hubejbi, e ky nga Hafs ibn Asimi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “I Dërguari i Allahut ﷺ ka ndaluar dy namaze: namazin që falet pas atij të sabahut, derisa të lindë dielli, dhe namazin që falet pas atij të ikindisë, derisa të perëndojë.”
32. Nënkapitulli: Mendimi i atyre që thonë se, falja e nafileve është e urryer vetëm pas ikindisë dhe sabahut
Këtë e kanë transmetuar Omeri, Ibn Omeri, Ebu Seidi dhe Ebu Hurejra.
589. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ebu Numani na ka thënë: Na ka treguar Hamad ibn Zejdi, e ky nga Ejubi, e ky nga Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Unë falem ashtu siç i kam parë duke u falur shokët e mi. Askënd nuk e ndaloj të falet sa të dojë natën ose ditën, përveç atij që, qëllimisht, falet gjatë lindjes së diellit ose perëndimit të tij.”
33. Nënkapitulli: Namazet që mund të falen pas ikindisë, bie fjala, ato që kompensohen ose diçka e ngjashme
Kurejbi transmeton nga Umu Seleme se Pejgamberi ﷺ i ka falur dy rekate pas namazit të ikindisë, pastaj ka thënë: “M'u desh të angazhohem me një grup njerëzish nga fisi i Abdulkajsit, andaj nuk munda t’i falja dy rekatet pas drekës.”
590. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Abdulvahid ibn Ejmeni, e këtij i ka treguar babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Betohem në Atë që ia ka marrë shpirtin (Pejgamberit ﷺ) se ai kurrë nuk i ka braktisur këto dy rekate (pas ikindisë), derisa e ka takuar Allahun ﷻ. E, Allahun e ka takuar vetëm pasi i është vështirësuar falja e namazit (për shkak të shëndetit), andaj shpesh i falte ulur. - Domethënë, dy rekatet pas ikindisë. Mirëpo, asnjëherë nuk i falte në xhami, nga frika se do ta ngarkonte umetin, ndërkohë atij i pëlqente t'ua lehtësonte gjërat.”
591. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e këtij i ka treguar Hishami, e këtij i ka rrëfyer babai i tij Urve ibn Zubejri tregon se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) i ka thënë: “O djali i motrës sime, sa ka qenë Pejgamberi ﷺ tek unë, asnjëherë nuk i ka braktisur dy rekatet pas ikindisë.”
592. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Abdulvahidi, e këtij i ka treguar Shejbaniu, e këtij i ka treguar Abdurrahman ibn Esvedi, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ kurrë nuk i ka braktisur dy namaze, as vetmas, as në publik: dy rekatet para sabahut (suneti i sabahut) dhe dy pas ikindisë.”
593. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Muhamed ibn Arare na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Ebu Is'haku se ka thënë: I kam parë Esvedin dhe Mesrukun duke dëshmuar se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Sa herë që Pejgamberi ﷺ ka ardhur tek unë pas ikindisë, gjithmonë i ka falur dy rekate namaz.”
34. Nënkapitulli: Nxitimi për faljen e namazit në ditët e vranëta
594. Nga: Burejde ibn Husajbi
Muadh ibn Fedale na ka thënë: Na ka treguar Hishami, e ky nga Jahja ibn Ebu Kethiri, e ky nga Ebu Kilabe se Ebu Melihu tregon: “Kemi qënë me Burejdën (Allahu qoftë i kënaqur me të!) në një ditë me mot të vranët, andaj na ka thënë: “Faleni namazin sa më parë, sepse Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Atij që e lë namazin e ikindisë, i janë shkatërruar veprat.”
35. Nënkapitulli: Thirrja e ezanit pas përfundimit të kohës së namazit
595. Nga: Ebu Katade Sulemiu
Imran ibn Mejsera na ka thënë: Na ka treguar Muhamed ibn Fudajli, e këtij i ka treguar Husajni, e ky nga Abdullah ibn Ebu Katadja, se babai i tij Ebu Katadja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Në një udhëtim me Pejgamberin ﷺ, gjatë natës, disa njerëz thanë: “O i Dërguari i Allahut, sikur të pushonim paksa!” Pejgamberi ﷺ u tha: “Kam frikë se nuk do të mund të zgjoheni për namaz.” Bilali tha: “Unë do t'ju zgjoj, shtrihuni lirisht. Pastaj u mbështet në shalën e kafshës së vet, por iu rënduan sytë dhe fjeti.”
Kur Pejgamberi ﷺ u zgjua, tashmë disku i diellit kishte dalë, andaj iu drejtua Bilalit:
- “O Bilal! Ku mbeti ajo që the?”
- Asnjëherë nuk më ka kapluar gjumë i tillë, - i tha Bilali.
Pejgamberi ﷺ tha: “Allahu jua merr shpirtrat dhe jua kthen kur të dojë. O Bilal, ngrihu dhe thirri njerëzit për namaz.” Pastaj, mori abdes dhe, kur dielli u shfaq dukshëm e u zbardhua, u ngrit dhe e fali namazin.”
36. Nënkapitulli: Ai që u prin njerëzve në namazin që i ka përfunduar koha
596. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Muadh ibn Fedale na ka thënë: Na ka treguar Hishami, e ky nga Jahjai, e ky nga Ebu Seleme se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se, ditën e Hendekut Omer ibn Hatabi erdhi pas perëndimit të diellit dhe filloi t'i fyente jobesimtarët kurejshë, pastaj tha: “O i Dërguari i Allahut! Nuk arrita ta fal ikindinë, përveçse pak para perëndimit të diellit.” Pejgamberi ﷺ i tha: “Betohem në Allahun se unë ende nuk e kam falur.”
Pastaj shkuam në But'han dhe së bashku me Pejgamberin ﷺ morëm abdes për namaz. Ikindinë e fali pasi kishte perënduar dielli, pastaj e fali edhe akshamin.”
37. Nënkapitulli: Ai që harron ndonjë namaz, duhet ta falë në momentin që i kujtohet dhe nuk përsërit ndonjë namaz tjetër përveç tij
Ibrahim Nehaiu ka thënë: "Ai që ka lënë një namaz, qoftë dhe para njëzet vjetësh, nuk ka nevojë t’i përsëritë të gjitha namazet me radhë, por e përsërit vetëm namazin e humbur."
597. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Ebu Nuajmi dhe Musa ibn Ismaili na kanë thënë: Na ka treguar Hemami, e ky nga Katadja se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Nëse dikush harron ndonjë namaz, le ta falë kur t'i kujtohet. Nuk ka shpagim tjetër, përveçse ta falë atë: “... dhe fale namazin për të më kujtuar Mua.” (Taha, 14)
Musai thotë se Hemami ka thënë: “E kam dëgjuar Kataden duke thënë më vonë: “... dhe fale namazin për të më kujtuar Mua.” Habani ka thënë: “Na ka treguar Hemami, e këtij i ka treguar Katadja, e këtij i ka treguar Enesi, e ky nga Pejgamberi ﷺ, ngjashëm.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 597
Fjalë të panjohura?
38. Nënkapitulli: Kompensimi i namazeve sipas radhës
598. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e ky nga Hishami, e këtij i ka treguar Jahja ibn Ebu Kethiri, e ky nga Ebu Seleme se Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ditën e Hendekut, Omeri filloi t'i fyente jobesimtarët kurejshë dhe tha: “Nuk kam arritur ta fal ikindinë, përveçse pak para perëndimit të diellit.”
Më pas, shkuam në But'han dhe (Pejgamberi ﷺ) e fali pas perëndimit të diellit, pastaj e fali edhe akshamin.”
39. Nënkapitulli: Urrehet qëndrimi zgjuar pas namazit të jacisë
599. Nga: Ebu Berze Eslemiu
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e këtij i ka treguar Aufi se Ebu Minhali tregon: “Me babanë tim shkova tek Ebu Berze Eslemiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!), të cilit babai i tha: “Na trego si i falte i Dërguari i Allahut ﷺ namazet farze?” Ai tha: “Drekën e falte kur dielli kalonte kupën e qiellit. Pasi e falte ikindinë, kishte kohë sa dikush të kthehej në shtëpinë e tij, në periferi të Medinës, e dielli vazhdonte të rrezonte fort. Harrova çfarë tha rreth namazit të akshamit. Ndërkaq, jacinë i pëlqente ta vononte. E urrente gjumin para saj dhe bisedat pas saj. Namazin e sabahut e kryente atëherë kur zdritej, aq sa mund ta dalloje shokun pranë. Gjatë namazit të sabahut i lexonte gjashtëdhjetë deri njëqind ajete.”
40. Nënkapitulli: Të qëndruarit zgjuar pas namazit të jacisë për të mësuar dhe për të bërë punë të mira
600. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Abdullah ibn Sabahu na ka thënë: Na ka treguar Ebu Ali Hanefiu se Kurra ibn Halidi tregon: “Ishim duke e pritur Hasenin (Basriun), por ai u vonua. Kur koha e përfundimit të ndejës po afrohej, erdhi dhe tha: “Qemë të ftuar te fqinjët tanë.” Pastaj tregoi se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Një natë e pritëm Pejgamberin ﷺ derisa u afrua mesnata. Pasi erdhi, e fali namazin dhe na tha: “Dijeni se njerëzit e tjerë janë falur dhe kanë fjetur, kurse ju jeni llogaritur sikur jeni në namaz, për sa kohë që keni qenë duke e pritur namazin.”
Hasen Basriu tha: “Njerëzit llogariten se janë në mirësi për aq sa janë duke pritur mirësinë.”
Kurra ka thënë: “Ky është hadith i Enesit nga Pejgamberi ﷺ.”
601. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka treguar Salim ibn Abdullah ibn Omeri dhe Ebu Bekër ibn Ebu Hathme se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Në fund të jetës, Pejgamberi ﷺ një natë e fali jacinë dhe, pasi e kreu, tha: “A po e shihni natën e sotme? Në krye të njëqind vjetëve nga sot, askush që jeton tani nuk do të mbetet i gjallë mbi sipërfaqen e tokës.”
Njerëzit e keqkuptuan fjalën e të Dërguarit të Allahut ﷺ dhe menduan se Kiameti do të ndodhë pas njëqind vjetësh. Mirëpo, fjala e tij “... askush që jeton tani, nuk do të mbetet i gjallë mbi sipërfaqen e tokës”, aludon se do të vdiste gjenerata në fjalë.”