Sahihu i Buhariut — Hadithi 53

40. Nënkapitulli: Dhënia e një të pestës (nga preja e luftës) është prej imanit

53. Nga: Abdullah ibn Abasi

Ali ibn Xhadi na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuëbe se Ebu Xhemra ka thënë: “Qëndroja tek Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili më ulte në vendin e tij. Një ditë prej ditësh më tha: “Qëndro tek unë të të jap një pjesë të pasurisë sime, kështu që ndenja tek ai dy muaj. Një ditë më tha: “Kur delegacioni i Abdulkajsit vajti te Pejgamberi ﷺ, ky u tha: “Cilët jeni ju, o njerëz, - ose ka thënë: Cilët jeni ju, o delegatë?” -
- Jemi nga fisi rebia, - i thanë ata.
- “Mirë se erdhët, o njerëz, - ose ka thënë: o delegatë! - Nuk do të jeni as të poshtëruar, as pishmanë (që keni ardhur tek unë)”, - u tha ai.
- O i Dërguari i Allahut, ne nuk po mund të vijmë te ti, përveçse në këtë muaj të shenjtë, e mes nesh e jush ndodhet vendbanimi i jobesimtarëve të mudarit, andaj na urdhëro diçka konkrete, që t'i njoftojmë edhe ata që i kemi lënë mbrapa, në mënyrë që ta fitojmë Xhenetin, - thanë ata, si dhe e pyetën rreth pijeve.
Atëherë, Pejgamberi ﷺ ua urdhëroi katër gjëra dhe ua ndaloi katër të tjera: i urdhëroi ta besonin Allahun, që është Një dhe i Vetëm, e në atë rast i pyeti: “A dini ç'është besimi në Allahun, që është Një dhe i Vetëm?”
- Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri, - iu përgjigjën ata.
- “Dëshmia se s'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut, falja e namazit, dhënia e zekatit, agjërimi i Ramazanit dhe dhënia e një të pestës nga preja e luftës”, - u tha ai.
Po ashtu, ua ndaloi katër gjëra: shtambën, enën prej kungulli, varelën dhe vorbën e katranosur, - ose ka përmendur edhe koritën. Në fund u tha: “Mësoni mirë këto gjëra dhe njoftoni edhe të tjerët mbrapa jush.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 53

Hadithe të ngjashme: Shiko (11)

Fjalë të panjohura?