Sahihu i Buhariut — Hadithi 5476

2. Nënkapitulli: Gjuetia me hu

Ibn Omeri ka thënë: "Ajo që mbytet me hobe, është ngordhësirë. Ndërkaq, të tjerët (më vonë), si: Salimi, Kasimi, Muxhahidi, Ibrahimi, Atau dhe Hasan Basriu e konsideronin të urryer. E, sa i përket Hasanit, ai e urrente gjuajtjen me të në fshatra dhe qytete, ndërsa jashtë këtyre nuk shihte ndonjë të keqe."

5476. Nga: Adij ibn Hatimi

Sulejman ibn Harbi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe nga Abdullah ibn Ebu Seferi, e ky nga Shabiu se Adij ibn Hatimi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “E pyeta të Dërguarin e Allahut ﷺ për gjahun e goditur me hu, e në atë rast ai më tha:
- “Atë gjah që e ke goditur me majën e tij, haje, kurse ai, të cilin e ke goditur me trupin e hurit, llogaritet ngordhësirë, andaj mos e ha!”
- Po kur ta lëshoj qenin tim?
- “Kur ta kesh lëshuar qenin dhe të kesh thënë “bismilah”, atëherë haje!”
- Po nëse ai ka ngrënë nga preja? - e pyeta.
- “Mos e ha, sepse ai nuk ka gjuajtur për ty, por ka gjuajtur për vete.”
- Po nëse e lëshoj qenin tim e bashkë me të gjej një qen tjetër?
- “Mos ha, sepse ti ke thënë “bismilah” për qenin tënd, e jo për ndonjë tjetër”, - m'u përgjigj Pejgamberi ﷺ.

Referenca: Sahihu i Buhariut 5476

Hadithe të ngjashme: Shiko (10)

Fjalë të panjohura?