Sahihu i Buhariut — Hadithi 5478

4. Nënkapitulli: Gjuetia me hark

Hasan Basriu dhe Ibrahim Nehaiu kanë thënë: "Kur goditet gjahu dhe këputet prej tij një krah ose një këmbë, mos e ha atë që është këputur, ndërsa pjesën tjetër haje." Ibrahimi ka thënë: "Nëse e ke goditur në qafë ose në mes, haje. Ameshi transmeton se Zejdi ka thënë: "Një zebër u plagos nga një burrë i familjes së Abdullahut, e në atë rast ai i urdhëroi ta godisnin aty ku kishin mundësi, e pastaj ato copa që këputen, të lihen, ndërsa pjesa tjetër të hahet."

5478. Nga: Ebu Thalebe Husheniu

Abdullah ibn Jezidi na ka thënë: Na ka treguar Hajve, e këtij i ka rrëfyer Rebia ibn Jezid Dimeshkiu nga Ebu Idrisi se Ebu Thaleb Husheniu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se e ka pyetur Pejgamberin ﷺ: “O i Dërguari i Allahut, ne jetojmë në tokën e ithtarëve të Librit, andaj a na lejohet të hamë në enët e tyre? Gjithashtu, ne ndodhemi në troje gjuetie, ku gjuaj me hark dhe me qenin tim të pastërvitur e të stërvitur. Çfarë më lejohet prej këtyre?” Pejgamberi ﷺ tha: “Sa i përket asaj që e përmende për ithtarët e Librit, nëse gjeni enë të tjera, mos hani në enët e tyre, e, nëse nuk gjeni të tjera, atëherë pastroni ato dhe përdorini për ngrënie. Pastaj, atë që e ke gjuajtur me shigjetën tënde duke thënë “bismilah”, haje! Atë që e ke gjuajtur me qenin e stërvitur duke thënë “bismilah”, haje. Ndërkaq, atë që e ke gjuajtur me qenin tënd të pastërvitur, nëse arrin ta therësh, haje.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5478

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?