Sahihu i Buhariut — Hadithi 5483
7. Nënkapitulli: Nëse qeni ha nga preja që ka gjahtuar
Allahu i Lartësuar ka thënë: “Të pyesin ty ç’është e lejueshme që të hanë. Thuaju (o Muhamed): “Ju lejohet juve çdo gjë që është e dëlirë dhe atë që jua gjuajnë shtazët që i keni stërvitur e i përdorni në gjueti, ashtu siç ju ka mësuar Allahu. Pra, hani atë që jua sjellin, e përmendni emrin e Allahut! Frikësojuni Allahut! Allahu është i shpejtë në llogari.” (Maide, 4) Ibn Abasi thotë: "Nëse qeni ha prej saj (presë), e ka prishur, sepse ai e ka gjuajtur për vete, ndërsa Allahu ka thënë: “... atë që jua gjuajnë shtazët që i keni stërvitur e i përdorni në gjueti, ashtu siç ju ka mësuar Allahu...” Pra, ato duhet të rrihen dhe të stërviten ashtu që të mos hanë prej presë. Ibn Omeri një gjë të tillë e ka cilësuar të urryer. Atau thotë: "Nëse ka pirë gjak, por nuk e ka ngrënë, hajeni."
5483. Nga: Adij ibn Hatimi
Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Muhamed ibn Fudajli nga Bejani, e ky nga Shabiu se Adij ibn Hatimi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një ditë, të Dërguarit të Allahut ﷺ i thashë: “Ne i përdorim këta qen për gjueti?” Ai tha: “Nëse i ke lëshuar qentë e stërvitur dhe ke thënë “bismilah”, atëherë ha nga preja që kanë gjahtuar, edhe nëse e mbysin atë, përveç nëse qeni ka ngrënë nga preja, sepse kam frikë se e ka gjuajtur për vete. E, nëse bashkë me të janë përzier edhe qenë të tjerë, atëherë mos e ha.”