Sahihu i Buhariut — Hadithi 5493

12. Nënkapitulli: Fjala e Allahut të Lartësuar: “Ju është lejuar gjuetia e detit dhe çdo ushqim nga deti është për t’u kënaqur ju...”

Omeri ka thënë: "Me gjahun e detit është për qëllim ajo që është gjuajtur në të, ndërsa me ushqim është për qëllim ajo që deti nxjerr sipër." Ebu Bekri ka thënë: "Çdo gjallesë deti, që deti e nxjerr sipër, është hallall." Ibn Abasi ka thënë: "Me fjalën ushqim, përmendur në ajet, është për qëllim ngordhësira e detit, përveç nëse neveritesh prej saj. E, sa i përket peshkut mustak, atë nuk e hanë çifutët, kurse ne e hamë. Shurejhu, shoku i Pejgamberit ﷺ, ka thënë: "Çdo gjë në det konsiderohet e therur." Atau ka thënë: "Shpendët e detit duhet të theren." Ibn Xhurejxhi tregon se e ka pyetur Ataun: "A konsiderohet gjah deti gjahu i lumenjve dhe i përronjve?" Ai tha: "Po. Pastaj lexoi: “... njëri është i ëmbël dhe i këndshëm, e që uji i pihet lehtë, kurse tjetri është i njelmët dhe i hidhët. E prej secilit ju ushqeheni me mish të njomë.” (Fatir, 12) Hasani kishte hipur mbi shalë të bërë prej lëkurës së lundrës." Shabiu thotë: "Sikur ta dija që familja ime do ta hanin mishin e bretkosës, do t’ua çoja për ushqim. Hasani nuk e konsideronte të ndaluar ngrënien e breshkës." Ibn Abasi thoshte: H"a prej gjahut të detit, edhe nëse e ka gjahtuar atë një i krishterë, çifut ose zjarrputist. Ebu Derdai, teksa flet për një lloj gjalpi, në mes tjerash, përmend: "Peshku dhe dielli janë për alkoolin ashtu siç është therja për kafshët."

5493. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu

Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahjai nga Ibn Xhurejxhi, e këtij i ka rrëfyer Amri se Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton: “Në betejën e Ushtrisë së Gjetheve të Pemës, udhëheqës yni ishte Ebu Ubejde. Gjatë rrugës na kaploi një uri shumë e madhe, por nuk shkoi gjatë dhe deti na hodhi një balenë të ngordhur. Asnjëherë nuk kemi parë si ajo (në madhësi). E quanin balena kokëmadhe. Hëngrëm prej saj gjysmë muaji. Pastaj Ebu Ubejde mori një brinjë të saj dhe një kalorës kaloi nën të (nën harkun e saj).”

Referenca: Sahihu i Buhariut 5493

Hadithe të ngjashme: Shiko (7)

Fjalë të panjohura?