Sahihu i Buhariut — Hadithi 5508
22. Nënkapitulli: Kafshët që therin ithtarët e Librit dhe dhjami që nxirret nga ato, përfshirë ata që janë në luftë me ne dhe të tjerët
Allahu i Lartësuar ka thënë: “Sot ju janë lejuar gjërat e mira e të pastra. Ju janë lejuar edhe ushqimet e ithtarëve të Librit; po ashtu, edhe ushqimet tuaja janë të lejuara për ata...” (Maide, 5) Zuhriu thotë: "Nuk prish punë të hahet mishi i therur nga të krishterët arabë. Por, nëse e dëgjon therësin duke përmendur diçka tjetër pos emrit të Allahut gjatë therjes, atëherë mos ha. E, nëse nuk e dëgjon, atëherë dije se Allahu e ka bërë të lejuar atë mish duke qenë në dijeni për mosbesimin e tyre. Ngjashëm me këtë transmetohet të ketë thënë edhe Aliu. Ndërkaq, Haseni dhe Ibrahimi kanë thënë: "Nuk prish punë të hahet mishi i therur nga ata që nuk bëhen synet. Ibn Abasi thotë: "Me fjalën “ushqimet” (tek ajeti i sipërpërmendur) janë për qëllim të therurat."
5508. Nga: Abdullah ibn Mugafel Muzeniu
Ebu Velidi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe nga Humejd ibn Hilali se Abdullah ibn Mugafeli (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Gjatë rrethimit të kështjellës së Hajberit, dikush gjuajti me një enë lëkure, ku kishte pak dhjamë. Unë zbrita me nxitim për ta marrë, por aty pranë e pashë Pejgamberin ﷺ, andaj më erdhi turp (ta marr).”