Sahihu i Buhariut — Hadithi 5509
23. Nënkapitulli: Bagëtia që ikën, merr dispozitën e kafshës së egër
Ndërkaq, Ibn Mesudi e konsideron të lejuar. Ibn Abasi thotë: "Ajo që s’mund ta zësh më prej bagëtive që të kanë ikur, është sikurse gjahu, kurse devenë që ka rënë në ndonjë pus, there prej ngado që mundesh. Të njëjtin mendim mbanin edhe Aliu, Ibn Omeri dhe Aishja."
5509. Nga: Rafi ibn Hadixhi
Amër ibn Aliu na ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e këtij i ka treguar Sufjani nga babai i tij, e ky nga Abaje ibn Rifae ibn Rafi ibn Hadixhi se Rafi ibn Hadixhi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se njëherë i ka thënë Pejgamberit ﷺ: “O i Dërguari i Allahut! Nesër do ta takojmë armikun, e ne nuk kemi thika (për të therur bagëtitë).” Ai tha: “Atëherë shpejtoni, - ose ka thënë: lehtësojeni (dorën), - me çfarëdo mjeti që derdh gjak, duke e përmendur emrin e Allahut gjatë therjes dhe hani, përveç nëse është dhëmb ose thua. Po ju shpjegoj për çfarë është fjala: sa i përket dhëmbit, (ndalohet) sepse është asht, kurse thoi për shkak se etiopasit e përdornin në vend të thikës”, - iu përgjigj Pejgamberi ﷺ. Pastaj zumë një tufë devesh e dhensh, e papritmas një deve na iku, e në atë rast një person e gjuajti me shtizë dhe e ndaloi. Pastaj i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Ndonjëherë edhe këto deve egërsohen sikurse kafshët e egra, andaj, nëse ndodh që t'ju ikin kështu, veproni me to në këtë mënyrë.”