Sahihu i Buhariut — Hadithi 564
20. Nënkapitulli: Emrat e namazit të jacisë dhe mendimi i atyre se kjo mesele është e gjerë
Ebu Hurejra transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Namazi më i rëndë për hipokritët është jacia (el isha) dhe sabahu.” Po ashtu, ai ka thënë: “Sikur ta dinin çfarë (shpërblimi) përmban jacia dhe sabahu...” (në këtë hadith, Pejgamberi ﷺ jacinë e ka quajtur العتمة el atemeh). Ebu Abdullahu (Buhariu) thotë: "Më e qëlluar është emërtimi i jacisë me emrin العشاء el isha, bazuar në ajetin kuranor: “... dhe pas namazit të jacisë (el isha)...” (Nur, 58)" Përmendet se Ebu Musai ka thënë: "Shkonim te Pejgamberi ﷺ, herë unë e herë të tjerët, për namazin e jacisë (el isha). Një natë ai e vonoi faljen e saj. Aishja dhe Ibn Abasi tregojnë se, një natë Pejgamberi ﷺ e vonoi jacinë (el atemeh). Disa transmetojnë prej Aishes se një natë Pejgamberi ﷺ e shtyu jacinë (el atemeh). Xhabiri tregon se Pejgamberi ﷺ e ka falur jacinë (el isha). Ebu Berze tregon se Pejgamberi ﷺ ndonjëherë e vononte jacinë (el isha)." Enesi tregon: "Pejgamberi ﷺ e vonoi namazin e jacisë (el isha). Ibn Omeri, Ebu Ejubi dhe Ibn Abasi tregojnë se Pejgamberi ﷺ e ka falur akshamin dhe jacinë (el isha)."
564. Nga: Abdullah ibn Omeri
Abdani na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Junusi, e ky nga Zuhriu, e ky nga Salimi se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Një natë, i Dërguari i Allahut ﷺ na e fali namazin e jacisë, - që disa njerëz e quajnë el-atemeh, - pastaj u kthye nga ne dhe tha: “A po e shihni natën e sotme? Në krye të njëqind vjetëve nga sot, askush që jeton tani, nuk do të mbetet i gjallë mbi tokë.”