Sahihu i Buhariut — Hadithi 5763
47. Nënkapitulli: Sihri (magjia)
Allahu i Lartësuar ka thënë: “Shejtanët ishin ata që bënë kufër, sepse u mësonin njerëzve sihrin dhe dijeninë që u ishte dërguar dy ëngjujve në Babiloni – Harutit e Marutit. Këta ëngjuj nuk i mësonin ndokujt magji pa i thënë: "Ne vetëm provojmë, dhe ti mos u bën mohues! Dhe njerëzit mësuan nga këta dy se si t’i ndajnë bashkëshortët. Por magjistarët – pa lejen e Zotit nuk mund t’i bënin dëm askujt. Njerëzit megjithatë mësonin ato gjëra që i dëmtojnë e nuk u bëjnë dobi; dhe me të vërtetë e dinin se ai që e ka përvetësuar këtë mjeshtri nuk do të ketë kurrfarë të mire në jetën tjetër. E sa e keqe është ajo shitblerje me magji. Ah! Sikur ta dinin!” (Bekare, 102) Allahu i Lartësuar ka thënë: “Magjistari (sihirbazi) nuk do të ketë sukses, kudo qoftë.” (Taha, 69) Ajeti tjetër: “Vallë, a do të shkoni ju pas sehireve, e ju po i shikoni me sytë tuaj (ata)?” (Enbija, 3) Ajeti tjetër: “... prej magjive të tyre iu dukën se me të vërtetë po rrëshqasin.” (Taha, 66) Ajeti tjetër: “... dhe prej sherrit të magjistarëve që fryjnë në nyja (bëjnë magji)” (Felek, 4) Ajeti tjetër: “E përse jeni të mashtruar?” (Muminun, 89)
5763. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Ibrahim ibn Musai na ka thënë: Na ka rrëfyer Isa ibn Junusi, e ky nga Hishami, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një pjesëtar i fisit benu zurejk, që quhej Lebid ibn Asami, i bëri sihër të Dërguarit të Allahut ﷺ. Si pasojë e kësaj, i përfytyrohej se bënte diçka të cilën në realitet nuk e bënte. Vazhdoi kështu derisa një ditë, - ose ka thënë: një natë, - teksa ishte tek unë, u lut gjatë, pastaj më tha: “Oj Aishe! A e di se Allahu më njoftoi për atë që e kam lutur? Kështu, erdhën dy burra dhe njëri u ul te koka ime, kurse tjetri te këmbët e mia. Njëri prej tyre i tha shokut të tij:
- Çfarë sëmundjeje ka ky burrë?
- I është bërë sihër, - tha tjetri.
- Kush i ka bërë sihër? - pyeti i pari.
- Lebid ibn Asami.
- Në çfarë?
- Në krehër me flokë dhe në thekun e hurmës.
- Ku janë të vendosura këto?
- Në Pusin Dhervan, - tha tjetri.”
Kështu, i Dërguari i Allahut ﷺ shkoi atje me disa sahabë dhe, kur u kthye, tha: “Oj Aishe! Uji i atij pusi kishte marrë ngjyrë të kuqërremtë. Frutat e asaj hurme (afër pusit) dukeshin si koka shejtanësh.” Unë e pyeta: “O i Dërguari i Allahut! A e nxore sihrin prej aty?” Ai më tha: “Allahu më ka shëruar, andaj u frikova se një gjë e tillë mund t'ua kujtojë njerëzve të keqen.” Më pas, Pejgamberi ﷺ urdhëroi që pusi të mbulohet tërësisht me dhé.
Transmetimin e Isa ibn Junusit e fuqizon Ebu Usame, Ebu Nadri dhe Ibn Ebu Zinadi, nga Hishami. Lejthiu dhe Ibn Ujejne e transmetojnë nga Hishami: “Në krehër me fije të lirit.”