Sahihu i Buhariut — Hadithi 5777
55. Nënkapitulli: Transmetimet që flasin për helmimin e Pejgamberit ﷺ
Këtë e ka transmetuar edhe Urve nga Aishja, e kjo nga Pejgamberi ﷺ.
5777. Nga: Ebu Hurejra
Kutejbe na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Seid ibn Ebu Seidi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur u çlirua Hajberi, të Dërguarit të Allahut ﷺ iu dhurua një dele e helmuar, e në atë rast i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “M'i tuboni këtu të gjithë ata hebrenj që ishin të pranishëm më parë.”
Kur ia tubuan, i Dërguari i Allahut ﷺ tha:
- “Do t'ju pyes diçka. Vallë, do të ma thoni të vërtetën?”
- Po, o Ebu Kasim! - thanë ata.
- “Kush është babai juaj?” - i pyeti i Dërguari i Allahut ﷺ.
- Babai ynë është filani, - thanë ata.
- “Gënjyet. Babai juaj është filani.”
- Të vërtetën e the, ashtu është, - thanë ata.
- “Do të ma thoni të vërtetën, nëse ju pyes diçka?”
- Po, o Ebu Kasim. Edhe nëse të gënjejmë, ti do ta kuptosh gënjeshtrën tonë, siç e kuptove gënjeshtrën për babanë tonë, - iu përgjigjën hebrenjtë.
- “Cilët janë banorët e Zjarrit?” - i pyeti Pejgamberi ﷺ.
- Do të qëndrojmë një kohë të shkurtër në të, pastaj do të vini ju në vendin tonë, - thanë ata.
- “Heshtni aty! Betohem në Allahun se kurrë nuk do të zëmë vendin tuaj aty”, - u tha.
Pastaj, Pejgamberi ﷺ vazhdoi: “Do të ma thoni të vërtetën, nëse ju pyes edhe diçka?”
- Po, - iu përgjigjën hebrenjtë.
- “A keni vendosur helm në këtë dele?”
- Po, - thanë ata.
- “Çfarë ju shtyri të veproni kështu?”
- Deshëm që, nëse je gënjeshtar, të rehatohemi prej teje, e, nëse je pejgamber, nuk të bën dëm aspak, - thanë ata.”