Sahihu i Buhariut — Hadithi 597

37. Nënkapitulli: Ai që harron ndonjë namaz, duhet ta falë në momentin që i kujtohet dhe nuk përsërit ndonjë namaz tjetër përveç tij

Ibrahim Nehaiu ka thënë: "Ai që ka lënë një namaz, qoftë dhe para njëzet vjetësh, nuk ka nevojë t’i përsëritë të gjitha namazet me radhë, por e përsërit vetëm namazin e humbur."

597. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Ebu Nuajmi dhe Musa ibn Ismaili na kanë thënë: Na ka treguar Hemami, e ky nga Katadja se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Nëse dikush harron ndonjë namaz, le ta falë kur t'i kujtohet. Nuk ka shpagim tjetër, përveçse ta falë atë: “... dhe fale namazin për të më kujtuar Mua.” (Taha, 14)

Musai thotë se Hemami ka thënë: “E kam dëgjuar Kataden duke thënë më vonë: “... dhe fale namazin për të më kujtuar Mua.” Habani ka thënë: “Na ka treguar Hemami, e këtij i ka treguar Katadja, e këtij i ka treguar Enesi, e ky nga Pejgamberi ﷺ, ngjashëm.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 597

Fjalë të panjohura?